LAJMI I FUNDIT:

Reagon Facebook pas deklaratës së Biden, ku tha se mediet sociale ‘po vrasin njerëz’ për lejimin e përhapjes së dezinformatave në rastin e vaksinave

Reagon Facebook pas deklaratës së Biden, ku tha se mediet sociale ‘po vrasin njerëz’ për lejimin e përhapjes së dezinformatave në rastin e vaksinave

Kompania Facebook ka reaguar ndaj presidentit amerikan Joe Biden, i cili tha se faqja e medieve sociale është përgjegjëse për personat që hezitojnë ndaj vaksinave.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti Biden deklaroi të premten se platformat e medieve sociale sikurse Facebook, “po vrasin njerëz”, duke lejuar përhapjen e dezinformatave të vaksinave.

Guy Rosen, nënkryetari i integritetit të Facebook, e publikoi të shtunën kundërshtimin e plotë të kompanisë në një postim në blog.

“Fakti është se pëlqimi për vaksinat midis përdoruesve të Facebook në SHBA është rritur. Këto dhe fakte të tjera tregojnë një histori tjetër nga ajo e promovuar nga administrata në ditët e fundit”, tha Rosen.

Rosen tha se Facebook ka punuar me Universitetin Carnegie Mellon dhe me Universitetin e Maryland që nga muaji prill 2020 për të anketuar përdoruesit e tij, derisa ka mbledhur 70 milionë përgjigje deri më tani.

“Për njerëzit në SHBA në Facebook, hezitimi i vaksinave ka rënë me 50 për qind; dhe çdo ditë po bëhen më pranues ndaj vaksinave”, u shpreh Rosen. /Telegrafi/