Nga: Nathalie Tocci / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Shpërthimi i dhunës më të rëndë ndër dekada në konfliktin izraelito-palestinez – i shkaktuar nga sulmi i tmerrshëm i Hamasit më 7 tetor dhe reagimi joproporcional ushtarak i Izraelit – shënon një pikë kthese për rolin e Evropës në botë.
Disa muaj më parë, fjala ishte për një Evropë të ngadaltë, por të sigurt, që vepron në unison. Pasi Rusia pushtoi Ukrainën, guximi i ukrainasve dhe mbështetja ushtarake e ShBA-së ia dha mundësinë Ukrainës që të qëndrojë në këmbë. Ndihma e Uashingtonit e tejkaloi ndihmën që evropianët mblodhën si kolektiv. Por, teksa lufta zvarritej, qeveritë evropiane u sfiduan.
Por, është ruajtur uniteti politik për mbështetje të Ukrainës, pavarësisht pengesave – veçanërisht ato të krijuara nga Hungaria e Viktor Orbanit. Njëmbëdhjetë pako sanksionesh ndaj Rusisë, strehimi i miliona refugjatëve ukrainas, fitorja mbi përpjekjen e Moskës për ta përdorur energjinë si armë kundër Evropës, si dhe rritja e vazhdueshme e ndihmës ushtarake dhe ekonomike, kanë qenë shtyllat e strategjisë së bashkërenduar. BE-ja me vendosmëri rihapi diskutimet për anëtarësimin e anëtarëve të rinj, duke pranuar se – pas pushtimit të Ukrainës – zgjerimi është imperativ strategjik.
Ndërkohë, marrëdhënia transatlantike është në nivelin e duhur: duhet të kthehemi në vitet 1990 për ta gjetur një kohë ku kjo lidhje ishte po aq e fortë. Po ashtu, Evropa ka ndjekur tranzicionin energjetik përmes marrëveshjes për energjinë e gjelbër – Green Deal; ka përforcuar sigurinë ekonomike dhe teknologjike për të përcaktuar rrugën mes rivalitetit në shtuar ShBA-Kinë; ndërsa, kërkoi mënyrat e reja për të angazhuar vendet e Jugut Global.
Kjo u arrit nëpërmjet angazhimit diplomatik dhe momentumit të ri – pas nismës prej 300 miliardë eurove, që njihet si Global Gateway – që u krijua për të nxitur rritjen e energjisë së gjelbër dhe të infrastrukturës përkitazi me këtë. Lidhja e qartë e krijuar mes Global Gateway-it dhe Korridorit Ekonomik Indi-Lindje e Mesme-Evropë (IMEC), që nisi në shtator në samitin e G20-ës në Delhi, tregoi se Evropa duhet të riformulojë politikat, për t’i bërë ato më tërheqëse për Jugun Global.
Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, erdhi në këtë detyrë në vitin 2019 duke deklaruar se donte të drejtonte një “Komision gjeopolitik”. Shumica prej nesh me këtë kanë nënkuptuar BE-në që është e aftë për të vepruar në emër të 450 milionë qytetarëve të saj, në një botë me rivalitete të shtuara e të rrezikshme gjeopolitike. Dhe, disa muaj më parë, Evropa gjeopolitike nisi të dukej si diçka e largët.
Gjithçka nisi të shkojë keq. Nga Afrika Perëndimore u dëbua Evropa e përfaqësuar kryesisht nga Franca e ngarkuar me bagazhet koloniale, gjë që pengoi suksesin në operacionin e saj 10-vjeçar ushtarak për të çrrënjosur forcat xhihadiste. Puçet ushtarake, rënia e qeverive, efektet shkatërruese të krizës klimatike, pasiguria ushqimore dhe rritja e emigracionit, që të gjitha këto tregojnë për dështimin masiv të politikës evropiane. Dështoi ajo që Brukseli e quante “qasje e integruar”, ku siguria e shtuar për qeveritë afrikane, miqësore me Perëndimin, do të kombinohej me ndihmën për zhvillim dhe reformat demokratike.
Udhëheqësit e BE-së e ridrejtuan shikimin kah Afrika e Veriut, me një marrëveshje të pavlerë për paratë e gatshme për emigrantët – e nënshkruar në korrik të këtij viti, me insistimin e kryeministres italiane, Giorgia Meloni – që në fakt do t’i blinte shërbimet e Tunizisë si roje që ndalon emigrantët për të kaluar në Mesdhe. Siç mund të parashikohej, diktatori tunizian, Kais Saied, më vonë e refuzoi marrëveshjen duke i kërkuar paratë pa asnjë obligim shtesë.
Dështoi kjo politikë dritëshkurtër. Ndërkaq, BE-ja fsheh mungesën e vizionit në lidhje me organizatat afrikane: pas puçit në Niger, në gusht, ishin qeveritë anëtare të ECOWAS-it ato që ua dhanë ultimatumin drejtuesve të grupit për të rivendosur demokracinë. Evropa mbeti me gishta në gojë duke predikuar gjatë gjithë kohës “një zgjidhje afrikane për problemet afrikane”. Sado tërheqës që duket slogani, tregon se Evropa nuk e ka idenë se çfarë duhet të bëjë.
Në Ballkanin Perëndimor, situata nuk është – ende – aq e rëndë, por pavarësisht ringjalljes së perspektivës së anëtarësimit në BE, për vendet kandidate, dhuna është ndezur mes Serbisë dhe Kosovës. Përsëri, BE-ja ka qenë e pafuqishme në ndalimin e kësaj, e lëre më në gjendje të arrijë një marrëveshje diplomatike midis Beogradit dhe Prishtinës.
Shumë më keq është situata në Kaukaz. Për të qenë të drejtë, dështimet e BE-së nuk burojnë nga mungesa e përpjekjeve. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, duhet të vlerësohet për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, pas luftës së vitit 2020. Por, kjo përfundimisht u shkatërrua pasi konflikti u shndërrua në dhunë më të madhe – përmes rrethimit të Karabakut nga Azerbajxhani, që u ndoq nga pushtimi ushtarak dhe spastrimi etnik i pothuajse të gjithë 120 mijë armenëve në enklavë. Dhe, ne ende nuk mund të themi se gjithçka ka mbaruar me Azerbajxhanin që mbështetet nga Turqia dhe në mënyrë implicite nga Rusia, duke pretenduar një korridor përmes territorit sovran armen, për ta lidhur atë me enklavën e Nahçevanit që mund të përpiqet ta zaptojë me forcë ushtarake.
Shthurja e ambicies së “Evropës gjeopolitike”, ka qenë e qartë që nga shpërthimi i ripërtërirë i luftës në Lindjen e Mesme. Evropa, si Shtetet e Bashkuara dhe monarkitë e Gjirit, në mënyrë implicite e kishin pranuar narrativën cinike izraelite se mund të anashkalohet zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez. Forca e madhe e Izraelit dhe nënshtrimi i palestinezëve, krahas eliminimit të çështjes palestineze nga ekuacioni rajonal përmes normalizimit të lidhjeve të Izraelit me botën arabe, ishin pjesë e kësaj strategjie. Në mënyrë implicite kjo pranoi se është i mundshëm stabiliteti në Lindjen e Mesme, pa zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.
Kjo politikë për herë të parë u miratua nga Donald Trumpi, me Marrëveshjet e tij të Abrahamit të vitit 2020 – midis Izraelit nga njëra anë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Sudanit dhe Marokut nga ana tjetër. E njëjta qasje është ndjekur edhe nën Joe Bidenin. Marrëveshja e normalizimit midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, do të ishte kulmi i kësaj. Megjithatë, Evropa ra në rolin tradicional në Lindjen e Mesme: duke e luajtur violinën e dytë, pas ShBA-së. Nisma IMEC që përfshin Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite, së bashku me Indinë dhe BE-në, është dëshmi e mëtejshme e kësaj.
Anashkalimi i çështjes palestineze, të paktën do të thotë se dështoi konsensusi i brendshëm i BE-së i arritur me vështirësi për këtë konflikt – për zgjidhjen me dy shtete, bazuar në kufijtë e vitit 1967. Qeveritë e BE-së që pa kushte ishin në anën e Izraelit, në mënyrë pasive ndoqën politikën e Benjamin Netanyahut për minimin dhe refuzimin e zgjidhjes me dy shtete.
Ngjarjet tragjike në rajon, që nga 7 tetori i ekspozuan kontradiktat e Evropës. Ka pasur kakofoni – që nga ndihma e BE-së për palestinezët që u pezullua dhe më pas u rivend, e deri te mesazhet e paqarta për nevojën që Izraeli të mbrojë veten në suazat e ligjit ndërkombëtar humanitar.
Derisa disa liderë evropianë – si Michel, apo kryediplomati i BE-së, Josep Borrell – kanë qenë të qartë në mesazhet për detyrimet ligjore të Izraelit, të tjerët, përfshirë Von der Leyenin, kanë qenë shumë të paqartë, duke shkaktuar kështu fërkime brenda institucioneve evropiane dhe më gjerë. Në aspektin semantik, dallimet mund të duken margjinale; politikisht, ato përbëjnë ndryshimin midis afrimit ndaj zjarrit me një tub uji apo me një bombole gazi.
Kur dukej se qasja e Evropës po arrinte fundin, BE-ja vazhdonte të gërmojë. Krerët e qeverive debatuan nëse duhet të bëjnë thirrje për një pauzë humanitare në bombardimet e Gazës, apo për një armëpushim – eventualisht duke ndjekur formulimin shumë më të dobët të dikurshëm. Por, ngjyra mezi u tha në atë marrëveshje të Këshillit Evropian, kur 27 vendet e BE-së u ndanë në tresh në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – me tetë që votuan pro, me 15 abstenime dhe katër që votuar kundër një rezolute jordaneze që bënte thirrje për armëpushim dhe për respektimin e të drejtave ndërkombëtare humanitare.
Franca votoi pro, por pak ditë më parë, presidenti francez, Emmanuel Macron, e shtoi konfuzionin duke e propozuar riaktivizimin e koalicionit kundër Shtetit Islamik, në luftën kundër Hamasit. Pos ngecje në pothuajse çdo nivel, dukej më shumë se mbyllje e syve ndaj Netanyahut që ka tërhequr paralelen “Hamas = ISIS”.
Prishja e unitetit evropian në konfliktin izraelito-palestinez, mund të jetë një fusnotë tjetër në historinë e gjatë të dështimeve diplomatike në këtë tragjedi. Por, është edhe më shumë. Komuniteti Evropian, në vitin 1980 për herë të parë njohu të drejtat legjitime të vetëvendosjes së popullit palestinez, ndërsa në fund të viteve 1990 tregoi se çfarë mund të thotë në të vërtetë një zgjidhje me dy shtete. BE-ja ende është partneri më i madh tregtar i Izraelit dhe donatori më i madh i ndihmës për palestinezët. Me udhëheqje më të guximshme dhe koherente, Evropa mund të luante një rol shumë më konstruktiv.
Dhe, derisa pasojat e ndarjeve deri tash janë të brendshme, kjo mund të ndryshojë nëse hidhërimi vazhdon dhe lufta për konsensus të brendshëm e çon diku tjetër energjinë për veprim konstruktiv, përfshirë këtu Ukrainën.
Derisa Lindja e Mesme po digjet dhe ShBA-ja – megjithëse në mënyrë të njëanshme – përpiqet të frenojë zjarrin, Rusia dhe Kina me kënaqësi e shikojnë këtë gjendje. Me avullimin e shpresave për një Evropë gjeopolitike, disa mund të thonë “e çfarë tash”? Përgjigja është se në botën ku fragmentimi, polarizimi, konflikti dhe dhuna fitojnë epërsinë, nevojitet uniteti shumëpalësh që reziston si i bashkuar dhe zbaton parimet demokratike – si për hir të qytetarëve evropianë ashtu edhe për pjesën tjetër të botë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDriloni zgjedhet finalist, Xuxi: Si festivalet në Kosovë e në Shqipëri, gjithë dihen gjërat më herët
Zgjedhja e Drilonit finalist, Gresa dhe Xuxi hedhin dyshime mbi transparencën e produksionit
"Ne nuk duam të jemi amerikanë", kryeministri i Grenlandës me deklaratë të fortë
Akuzat e Berishës ndaj Majkos, reagon SPAK
“Nuk do të tentojmë që të ndërpresim rrugëtimin e Gjestit”, Alaudini nis spektaklin me ‘thumba’
Skandal nga arabët në Superkupën e Spanjës: Kanë ngacmuar dhe 'prekur pa pëlqim' gratë e futbollistëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
“Nuk do të tentojmë që të ndërpresim rrugëtimin e Gjestit”, Alaudini nis spektaklin me ‘thumba’
Si mund të bëhet Grenlanda pjesë e SHBA-ve?
Publikohet lista e pagave të lojtarëve të Man United - kryesojnë të 'dështuarit'
Lejet për armë bëjnë bum në Kosovë
“Ai nuk vrapon mjaftueshëm”, stafi i Barcelonës kundër transferimit të yllit portugez
Qytetarët në mënyrë gjeniale penguan që shtëpia e fqinjit të merrte flakë në Los Angeles