Të dielën, më 9 nëntor, në Kosovë do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale (balotazhi) për zgjedhjen e kryetarëve të komunave ku asnjë kandidat nuk arriti shumicën absolute në raundin e parë.

Balotazhi do të mbahet në 18 komuna të vendit, përfshirë: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.


Në këto komuna, qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin mes dy kandidatëve më të votuar nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale.

Sipas të dhënave të KQZ-së, të drejtë vote kanë mbi 1 milion e 316 mijë qytetarë me të drejtë votimi.

Ndërsa, periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, ka filluar nga 27 tetori - 8 nëntor, dhe ka vlejtur vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik – 29 gusht 2025).

Ndryshe, edhe Policia e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryetar komune-balotazh, ka hartuar urdhrin operativ policor, ku janë bërë planifikimet e duhura policore lidhur me zgjedhjet (në aspektin e sigurisë), të cilat do të mbahen me 9 nëntor 2025, në Republikën e Kosovës.

Në njoftimin e bërë për media, thuhet se planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor gjatë procesit të balotazhit, angazhimi dhe garantimi i sigurisë, transporti nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit.

Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe hartimin e një udhëzuesi për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë balotazhit.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ është:

• krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas balotazhit.

• sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.

• përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha vendet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin e balotazhit.

• inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Procesi pritet të monitorohet nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00. /Telegrafi/