Raste të shumta me COVID-19, mbrojtësi filloi lojën si portier në Kupën e Afrikës dhe bëhet viral me pritjet e tij fantastike

Pandemia COVID-19 që ka kapluar botën ka prekur shumë muajt e fundit edhe botën e futbollit.
Në Kamerun është duke u zhvilluar Kupa e Afrikës dhe disa nga Kombëtaret pjesëmarrëse kanë pasur raste të shumta të lojtarëve të infektuar me COVID-19.
Përfaqësuesja e Komoros kishte arritur të shkaktojë befasi duke kaluar në mesin e 16 më të mirave në CAF dhe do të përballeshin me nikoqirët e Kamerunit.
Por para kësaj sfide ka shpërthyer virusi në këtë ekip përfaqësues, ku kanë rezultuar pozitivë tetë futbollistë, përfshirë tre portierët e tyre.
Duke parë se ndeshja nuk mund të shtyhej, mbrojtësi i majtë i skuadrës franceze Ajacio, Chaker Alhadhur vendosi të futet në portë për Komorosin.
Ishte një paraqitje fantastike e Alhadhur përkundër se pësoi dy gola nga Kameruni dhe Komors humbi takimin 2-1.
30-vjeçari që njihet për depërtimet e tij në krahun e majtë është bërë viral në rrjetet sociale falë disa pritjeve të pabesueshme përballë sulmuesve të rrezikshëm të vendasve.
Anësori edhe pse vetëm 1,72 centimetra i gjatë dhuroi një shfaqje të mirë në portë dhe në fund të ndeshjes mori duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve, përfshirë edhe nga lojtarët e Kamerunit për pritjet e tij.
Gjithsesi Alhadhur tregoi përkushtimin e tij për vendin, duke bërë maksimumin dhe duke fituar simpatinë e adhuruesve të futbollit, pasi tani mbrojtësi i majtë është bërë njëri nga emrat më të kërkuar në rrjetet sociale. /Telegrafi/




































