Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot raportin “Deklarimi i pasurisë – Gabimi gjyqësor që hoqi gjithë përgjegjësinë e shkelësve të ligjit”, ku u paraqiten gjetjet mbi ndikimin e një aktgjykimi të Gjykatës Supreme që, sipas IKD-së, ka krijuar standard të ri dhe ka dekriminalizuar në praktikë veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë nga zyrtarët publikë.

Gjatë prezantimit të raportit, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, tha se ndonëse mosdeklarimi i pasurisë ishte kriminalizuar që nga viti 2013 dhe ishte ruajtur në Kodin e ri Penal, një aktgjykim i Gjykatës Supreme “faktikisht e ka ndryshuar ligjin”.


Sipas tij, ky vendim ka krijuar “qasje të pabarabartë dhe kundërligjshme”, duke bërë që qindra zyrtarë të dënuar më herët për këtë vepër të gjenden në trajtim të pabarabartë krahasuar me rastet e reja.

Shala theksoi se vendimi i Supremes i është referuar një norme të shfuqizuar, konkretisht nenit 17 të Ligjit të vitit 2011, duke e trajtuar mosdeklarimin e pasurisë si kundërvajtje dhe jo si vepër penale. Ai kujtoi se edhe në kohën kur ligji ishte zbatuar drejt, gjykatat në praktikë e kishin trajtuar këtë vepër me dënime të buta.

Sipas hulumtuesit të lartë të IKD-së, në gjithë këtë situatë, është e qartë se Gjykata Supreme ka nxjerrë një aktgjykim të bazuar në një gabim të rëndë që ka pasur efekt të gjerë negativ në trajtimin e këtyre rasteve. Për këtë arsye, në kuptim të nenit 102.3 të Kushtetutës, Gjykatat duhet të vazhdojnë zbatimin e ligjit dhe jo standardit të Gjykatës Supreme, deri në nxjerrjen e një vendimi të ri nga Gjykata Supreme. Derisa, kjo e fundit duhet të nxjerrë një qëndrim juridik për të qartësuar këtë situatë.

Në tryezën e organizuar nga IKD, pjesëmarrës nga gjyqësori, prokuroria, avokatia dhe agjencitë shtetërore dhanë komente mbi gjetjet e raportit dhe aktgjykimin kontestues të Gjykatës Supreme.

Burim Ademi, gjyqtar në Gjykatën Supreme, deklaroi se një rast i vetëm nuk mund të shërbejë si bazë për ndërtimin e praktikës gjyqësore.

“Praktika gjyqësore nuk mund të ndërtohet mbi një vendim të vetëm. Duhet ta shohim në kontekst të ndryshimeve ligjore. Nuk mund të flasim për një qëndrueshmëri të praktikës vetëm nga një rast”, tha Ademi.

Gjyqtari Ademi tha se është e qartë se dispozitat ligjore që janë shfuqizuar nuk mund të gjejnë zbatim në gjykimin e çështjeve penale nëse ato nuk kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale apo që nuk janë të favorshme në kontekst të veprës penale.

Poashtu ai shtoi se ka raste kur Supremja nga një vendim i caktuar ka pasur një qasje ose e ka ndërruar praktikën gjyqësor kur ka ardhur rasti tjetër për trajtim. Tha se nuk duhet të referohet i gjithë sistemi prokurorial dhe gjyqësor mbi bazën e një rasti konkret të caktuar.
Megjithatë, ai shtoi se rekomandimet e raportit janë të drejta.

Nga ana tjetër, Arianit Salihu, prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, tha se aktgjykimi i Supremes “ka krijuar standard të ri” dhe se ka efekt domino: “Tani kemi një standard të ri se çfarë konsiderohet pasuri në kuptimin penal dhe si trajtohet ky element. Vendimi i prillit të vitit të kaluar ka ndryshuar krejt qasjen”.

Ai shtoi se pajtohet me raportin e IKD-së.

Gent Beka, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, theksoi kompleksitetin e rasteve të deklarimit të pasurisë.

“Është vështirë të ndahet vija administrative nga përgjegjësia penale. Shumë prej rasteve janë të ndërlidhura me raportet e Agjencisë Kundër Korrupsionit, që përfshihen edhe si dëshmitarë”, tha Beka.

Afrim Atashi, drejtor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), shprehu shqetësim të madh për kufizimin e kompetencave të institucionit të tij.
“Aktgjykimi i Supremes na ka kufizuar shumë. Edhe pse kallëzimet tona penale hidhen, ne jemi të obliguar nga ligji të vazhdojmë t’i bëjmë ato”, deklaroi Atashi.

Ndërsa Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, kritikoi ndikimin e vendimit në integritetin institucional.

“Kemi kërkuar gjithmonë që gjyqtarët të kenë më shumë vëmendje në rastet e korrupsionit. Por një vendim i vetëm e shkatërron gjithë sistemin e mbikëqyrjes. Një shembull është rasti i ministres Donika Gërvalla. Ministrja iu bërtet gjyqtarëve. Iu kërkon llogari gjyqtarëve dhe në fund del se ministrja është amnistu prej Gjykatës e prej këtij vendimi”, tha Miftaraj

Në tryezë foli edhe avokati Alban Krasniqi, i cili e quajti vendimin e Supremes “të çuditshëm dhe kontrovers dhe se i njëjti nuk mund të jetë i ligjshëm i cili thotë se vepra është e kundërligjshme vetëm kur ka pasuri të paligjshme. Askush nuk deklaron pasuri të paligjshme, prandaj kjo logjikë sipas Krasniqit nuk qëndron.

Raporti i IKD-së flet për pasojat serioze në luftën kundër korrupsionit dhe integritetin publik, për shkak të një standardi të ri gjyqësor që ka ndikuar në tërë sistemin e drejtësisë.

Tryeza shënoi debat të rëndësishëm për sfidat ligjore, standardet gjyqësore dhe nevojën për korrigjimin e gabimeve sistemike në trajtimin e rasteve të deklarimit të pasurisë.

Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.