Përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, tërhoqi vëmendje të madhe mbrëmë në Bilina Polje të Bosnjës, teksa u shfaq në fushë para ndeshjes me kombëtaren e këtij vendi duke ngasur një biçikletë elektrike.

Pamjet e Rangnick që ngiste biçikletën u bënë shpejt virale, ndërsa pas ndeshjes, ai shpjegoi arsyen e këtij veprimi.


“Para disa ditësh vura re se distanca nga tuneli deri te stolat këtu është mjaft e gjatë. Kyçi im i këmbës ende nuk është në gjendje të mirë dhe do të ishte shumë e lodhshme të ecja".

Rangnick me biçikletë (Foto: Reuters)

"Kisha gjithashtu frikë se mund të vonohesha për pjesën e dytë nëse do të ecja. Folëm për disa mundësi, por karroca e golfit nuk ishte e mundur, kështu që vendosa të përdor biçikletën time”, deklaroi Rangnick pas ndeshjes.

Në sfidën e zhvilluar, Austria arriti të mposhtte Bosnjën dhe Hercegovinën me rezultatin 2-1. Për mysafirët shënuan Marcel Sabitzer dhe Konrad Laimer, ndërsa goli i vetëm për “Dragojtë” u realizua nga Edin Dzeko.



Me këtë fitore, Austria barazon pikët me Bosnjën dhe Hercegovinën në krye të grupit kualifikues për Kupën e Botës, të dyja ekipet me nga 12 pikë, por Austria ka një ndeshje më pak për të zhvilluar. /Telegrafi/

telegrafi sport app