LAJMI I FUNDIT:

Rama tregon pse PS propozoi një ushtarak për president

Rama tregon pse PS propozoi një ushtarak për president

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot mblodhi Grupin parlamentar të Partisë Socialiste (PS) për të marrë firmat e nevojshme për kandidaturën e Bajram Begajt për postin e presidentit të ri.

Rama e vlerësoi Begajn si një person që përmbush të gjitha kriteret e nevojshme për të qenë në krye të shtetit, raporton Telegrafi.

“Një proces që për natyrën e vet është jo i lehtë, për shkak se siç e kemi diskutuar bëhet fjalë për të identifikuar një figurë që do të përmbushë kërkesa shumë specifike, por për të garantuar edhe respektin dhe mos cenimin e të gjithë kandidatëve potencialë në një proces diskutimi që kthehet në thashethemnajë. Kështu procesi që ne zhvilluam këtu në grup na dha të drejtë në fund.

Marrja e propozimeve nga gjithë anëtarësia e grupit me zarfe që u vunë në dispozicion të kryesisë për një diskutim konkret. Na mundësuan që të arrijmë në një konkluzion që përmbush nevojën për një njeri normal. Për një figurë me profil sa të lartë, aq edhe të paangazhuar në gjithë përplasjet apo rrugët që kryqëzohen në arenën politike. Kjo na bën të ndihemi sot të lehtësuar nga barra e përzgjedhjes si forca dominuese që ka përgjegjësinë. Dhe po ashtu na bën të ndihemi mirë me shqiptarë përtej hapësirave të kufizuara”, tha Rama.

Kreu i qeverisë zbuloi prapaskenat e diskutimeve në grupin e PS-së, për të arritur deri tek emri i Begajt.

“Patëm nga grupi tre drejtime të përcaktuara në bazë profileve të propozimeve të bëra. Njëri drejtim ishte ai i të vetë propozuarve këtu në grup, i cili u përjashtua menjëherë. E kemi thënë publikisht që në krye të herës nuk do të kishim një kandidat nga grupi parlamentar i PS-së. Drejtimi i dytë ishte ai që adresonte mundësinë që kandidati i cili ka dhënë kontribut në PS, që nga ish-kryetari i PS Fatos Nano e me radhë për të cilët kemi respektin më të madh, por e përjashtuam këtë mundësi pasi në këtë fazë PS ka barrën që të jetë e të gjithëve.

Kështu u fokusuam tek drejtimi i tretë, ku grupi kishte vënë në dispozicion 26 kandidatura gra dhe burra të nderuar me profile të ndryshme,  që nga akademikë e deri të profile që vinin nga të tjera drejtime politike. Pas një diskutimi shumë cilësor, dhe mbas vënies në peshore të çdo kandidature duke ruajtur respekt për të gjithë personat. Në fund patëm 6 kandidatura që u diskutuan në mënyrë shumë konsensuale”, tha ndër të tjera, Rama. /Telegrafi/