Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar ndaj Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, lidhur me cilësinë e ujit në pishën e Gërmisë.

Rama thotë se uji nuk ndryshon brenda nate, transmeton Telegrafi.


"Dje “UJI I NDOTUR” - Sot “UJI I PASTËR” Uji s’ndryshon brenda nate! Ky nuk është kujdes, është kalkulim politik. Të nderuar qytetarë, Dje, më 24 korrik, në bazë të rezultateve të mostrave të ujit në Pishinën e Gërmisë, që nuk ishin as të plota, as përfundimtare u mor vendimi për MBYLLJEN e kësaj hapësire publike. Ky vendim erdhi pikërisht në mbrëmjen kur ishte paralajmëruar dhe organizuar ceremonia publike e kandidaturës sime për mandatin e dytë si Kryetar i Prishtinës, pikërisht në amfiteatrin e kësaj pishine! Sot, më 25 korrik, pra VETËM NJË DITË PAS, analizat përfundimtare të IKSHPK-së kanë konfirmuar se cilësia e ujit në pishinën e Gërmisë është brenda standardeve të lejuara dhe pishina është HAPUR për publikun", ka shkruar Rama.

Ai tutje shtoi "Kjo na vendos përballë një pyetje thelbësore: Kush i shërben qytetarëve dhe kush i manipulon ata?".

"Në prag të një cikli të ri zgjedhor, duket se kanë zgjedhur të aktivizojnë çdo mekanizëm të mundshëm, përfshirë edhe ato institucionale në funksion të interesave politike. Fatkeqësisht, kjo po ndodh edhe në dëm të interesit qytetar dhe të së vërtetës", theksoi ai.

Mes tjerash, ai ka pohuar se "Përdorimi i frikës dhe alarmit si mjet politik është një praktikë që nuk i përket një shteti demokratik dhe as një shoqërie të qytetëruar. Krijimi i panikut në publik jo vetëm që është moralisht i dënueshëm, por edhe ligjërisht i sanksionueshëm".

"Institucionet ekzistojnë për t’i mbrojtur qytetarët, jo për t’i manipuluar ata në emër të kalkulimeve elektorale. Andaj, apeloj prap që çdo zyrtar publik të ruajë integritetin profesional dhe të mos lejojë të bëhet instrument i askujt, aq më pak në kohën kur qytetarët kanë nevojë për qartësi, jo për konfuzion. Për shërbim, jo për drama!

Ne, si Kryeqytet, mbetemi të përkushtuar të funksionojmë me transparencë, përgjegjësi dhe dinjitet institucional, duke e mbrojtur të përbashkëtën nga keqpërdorimi e manipulimi dhe duke e vendosur interesin qytetar mbi çdo interes partiak. Qytetarët nuk janë mjet elektoral". /Telegrafi/