Rama akuzon Qeverinë për bllokadën e buxhetit, ushtron padi ndaj Hekuran Muratit

Punëtorët e Ndërmarrjes “Gjelbër” po përballen prej kohësh me vonesa në marrjen e pagave të tyre.
Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, priti sot në takim përfaqësuesit e ndërmarrjes dhe u shpreh për situatën me shqetësim të thellë, duke thënë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e bllokadës së buxhetit nga Qeveria e Kosovës, raporton Telegrafi.
"Me mirëkuptim dhe shqetësim të thellë njerëzor u shpjegova punëtorëve situatën e krijuar. Kjo bllokadë, e cila po dëmton jo vetëm punëtorët por edhe shërbimet publike jetike të kryeqytetit, është e pajustifikueshme, e paligjshme dhe me prapavijë të qartë politike", tha ai.
Rama bëri të ditur se për këtë arsye është iniciuar një padi ndaj ministrit Murati dhe tre zyrtarëve përgjegjës për këtë pengesë të qëllimshme.
"Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë punëtorët për durimin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, të cilët përkundër sfidave ekonomike dhe presioneve kanë vazhduar të kryejnë punën me dinjitet, duke mos e ndalur asnjë ditë shërbimin ndaj qytetarëve tanë. Ky është shembulli më i pastër i përgjegjësisë dhe integritetit punëtor", deklaroi Rama
Ai shtoi se do të mbështesë plotësisht punëtorët deri në sigurimin e pagave të tyre: "Ju siguroj se jam në krahun tuaj dhe do të vazhdoj me vendosmëri çdo rrugë ligjore e institucionale deri në zhbllokimin e mjeteve të ndërmarrjes dhe shpërblimin e drejtë të çdo punëtori me pagën që e ka fituar me punë. E drejta do të triumfojë, padrejtësia nuk do të tolerohet".
Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh tek punëtorët e “Gjelbër”, të cilët vazhdojnë të ofrojnë shërbimet publike për qytetarët e Prishtinës, pavarësisht vonesave në kompensim. /Telegrafi/

















































