LAJMI I FUNDIT:

Rahovecasit me peticion kundërshtojnë variantin aktual të “Autostradës së Dukagjinit”

Rahovecasit me peticion kundërshtojnë variantin aktual të “Autostradës së Dukagjinit”

Pas kundërshtimeve të njëpasnjëshme, takimeve me qytetarë dhe me ankesa drejtuar institucioneve gjegjëse, sot Këshilli i Banorëve të Rahovecit, i formuar për çështjen e Autostradës së Dukagjinit, bëjnë të ditur se kanë nisur një peticion, ku sipas tyre për vetëm dy ditë i kanë grumbulluar mbi 2500 nënshkrime të banorëve të kësaj komune që e kundërshtojnë Variantin 6 të ndërtimit të kësaj autostrade.

Ky këshill vlerëson se përveç se dëmtohet lumi Drin, gjithashtu mbi 75% e fshatrave të Rahovecit do të kenë vështirësi në qasje, ku disa prej tyre do ta kenë mbi 28 kilometra larg kyçjen më të afërt për në autostradë dhe se kostoja për Variantin 6 që sipas tyre e përkrahë edhe kryetari Smajl Latifi, është më e shtrenjtë për mbi 50 milionë euro.


“Shumë shpejt do caktojmë datat kur do vizitojmë secilin fshat të komunës sonë për të kërkuar mbështetje. Kemi përkrahjen e shumicës se fshatrave pasi ata do të dëmtohen më së shumti”.

“Nuk e kuptojmë pse kryetari i komunës sonë e mbështetë këtë variant duke e ditur që e dëmton Rahovecin dhe se nuk i konvenon banorëve të kësaj komune”.

Ky variant i konvenon disa personave për përfitime personale dhe ata e kanë mbështetjen e Latifit”, thuhet në njoftimin drejtuar mediave nga këshilli.

Për çështjen e kundërshtimit të Variantit 6 të Autostradës së Dukagjinit, klankosova.tv ka kontakuar edhe Komunën e Rahovecit, zyrtarë të së cilës kanë deklaruar se qëllimi i kryetarit Latifi nuk është t’i dëmtojë interesat e qytetarëve të kësaj komune dhe se nuk e kanë në dorë asnjë përgjegjësi.

“Ministria e Infrastrukturës së bashku me kompaninë projektuese e kanë vlerësuar ashtu dhe ne jemi vetëm spektatorë. Ekspertët kanë bërë hulumtime dhe e kanë gjetur zgjidhjen më të mirë, duke i ikur dëmtimit të tokave bujqësore dhe të tjerave”, kanë deklaruar nga Komuna e Rahovecit.

Klan Kosova ka kontaktuar edhe me ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Pal Lekaj, të cilët theksuan se “janë në dijeni për ankesat dhe se nesër do të diskutohet në komitetin ndërministror dhe aty do të debatohet rreth planifikimit dhe se pa e dhënë aprovimin ky komitet, nuk ka projektim”.

Nga zyra për informim e kësaj ministrie shpalosën se cilat kritere sipas tyre janë marrë parasysh për përcaktimin e variantit të përzgjedhur.

“Përveç kritereve teknike që dalin nga detyra projektuese, që janë shpronësimi, faktori ekonomik, topografia e terrenit, gjeologjia dhe hidrologjia dhe faktori ekologjik, pas debateve publike dhe analizave të kërkesave të qytetarëve, në rastin e Rahovecit është marrë parasysh edhe rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë, duke e parandaluar degradimin tij, shpronësimi minimal i tokave bujqësore dhe tokave private, mosndarja e parcelave në dy pjesë, gjatësia më e shkurte e autostradës, etj”, thuhet në arsyetimin e ministrisë.

Nga ana tjetër, këshilli i banorëve të Rahovecit që e kundërshtojnë autostradën bëjnë të ditur se edhe më tutje do të vazhdojnë të luftojnë për kërkesat e tyre.

“Nuk do ndalemi. Kërkojmë nga të gjithë banorët e komunës së Rahovecit që të na bashkohen kundër kësaj katastrofe ekologjike që po i shkaktohet Drinit dhe kundër grupeve që për interesa të tyre do ta izolojnë ekonominë e komunës së Rahovecit përgjithmonë”, thuhet në njoftimin e tyre drejtuar mediumit tonë.