LAJMI I FUNDIT:

QYTET’I IM

QYTET’I IM

Nga: Mustafa Kruja

Kush i afrohet Durrsit me vapor nji mëngjesi të kthiellët e hýn n’atë liman, po të hjedhë sýt atje larg kah veriu e veri-lindja, do të shohë nji varg malesh qi, në majën mâ të naltën, s’i kapërcejnë 1200 metra. Ndër këto dallohet mâ së bukuri Mal’i Krujës, qi ka mu në rrafsh me faqen e tij, nji ndërtesë banimi për vizitorët e Shêjtit Sarisalltik, a Sallsataik, si thonë Krutanët. Duket madhështuer e i egër, krejt shkâmb i thatë e thikë përpjetë. Tue I ulë sýt pak mâ poshtë kah rrânxa e këtij mali, shtegtari shquen qartas ndërtesa të bardha si bora. Janë kullat e qytetit të Krujës nja 600 metra nalt prej rrafshit të detit.

Atje pa mbërrîmë ende deri në fund, veç sa mbaron shkâmbi dhe ka mundsí kazma me gërmue pak dhé, rânë e zhur bashkë me bâmë themela, fillon Kruja e Kastrijotit, Akça Hisar’i (Qyteza e Bardhë) e Osmanllijvet. Deri sod s’janë bâmë gërmime arkeologjike (), prandej nuk dihet se kur e prej kuj ka qênë themelue. Atje afër tij kah ana e Tiranës gjinden gërmadhat e nji qyteti të vjetër, qi Gjon Gjergj von Hahn-i ka mendue se do të jenë ato të Albanopolis-it të përmêndun prej Ptolemeut në të dytin shekull mbas Krishtit. Ka vallë ndonji lidhje Kruja e gjallë me këtë qytet të vdekun veç afërsís?

Topografisht Kruja ndehet ndërmjet malit të vet e Krastës qi mund të quhet nji vazhdim i tij deri në fushë. Âsht nji qytet pesmijë frymësh, () kodrash e luginash, qi për me i dalë prej nji skânji në tjetër kâmbsorit i duhet me ecun, me hapa të zakonshme, nji gjysmë ore e deri në nji orë. Banesat fillojnë me u shtrîmë prej lagjes së Varoshit, në rrânxën mâ t’eprën të malit, kah dy krahët, n’atê të veri-perëndimit deri afër Dro-s, përroit qi shënon kufînin e malit e të qytetit me lagjen e Abázaje, dhe në juglindje deri në Xaharí afër Zgurdheshit, të parit katund të Rrânsís, qi të çon ke përroi e gryka e Cudhînit në krah tjetër të malit. Prej Varoshit vêndi shkon tue u përvjerrë pak në të djathtë e të mângjët e lagjet tue u voglue. Teposhtë shtrihet po n’atë mënyrë deri ke rrânxat e Krastës. Qêndra nën Varosht disi sheshohet me dý fushat e Tallajbés (të Allaj-beut: allaj, turq. Regjiment; Allaj-Bej “= komandant regjimenti) e Kumllukut (rânishtës) dhe deri në Pazar, ke dyqanet, qi vijnë pak mâ poshtë.

Tallajbeja âsht nji emën vêndi i vjetër, turqisht, sikurse u shënue e si shumë tjerë të qytetit t’onë. Nuk âsht nji fushë e madhe, bashkë me Kumllukun, aty ngjitun me tê e pak mâ i ulët, dý fushore qi nuk dij a përbâjnë aqë metra katrorë sa nji nga sheshet e mëdhaja të qytetit të Romës. Por mbrênda qytetit hiq Namazgjahun ku falet bajrami, s’gjên tjetër rrafshore veçse larg në periferí. Kur kishte nevojë Shteti turk me mbajtun ushtarë atje, ushtrimet ushtarake n’atë shesh u bâjshin e n’atê u ngrihshin çadrat. Kjo ka edhe nji historí të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Në 1906 atje qe derdhun gjak njeriu kotnasikot. Gjatë luftës së dytë botnore italjanët e kanë mbushun me ndërtesa ushtarake.

Kazaja (nënprefektura) e Krujës dikur shkonte jo me sanxhakun (prefekturën) e Durrsit, por drejtpërdrejt me atê të Shkodrës e ishte e përjashtueme, si ajo me malet e veta, prej çdo detyrimi kundrejt Shtetit. Por mandej, mbas tanzimatit, (reforma çentralistike) të Sulltan Mexhidit (1839-1861) desh () Stambolli me i shtrîmë ligjët moderne pak nga pak kudo qi s’i haste sharra në gozhdë me popullsít e vêndit, të cilat bidatin, dmth. nji rregull jete të re e shihshin si nji herezí e prandej e urrejshin. Asokohe Pushteti qêndruer e kishte damë Krujën nga Shkodra e lidhun me Durrsin.

Ndonse edhe vetë Durrsi varej prej vilajetit (guvernoratit) të Shkodrës, nënprefekturat e tij: Kavajë, Shijak, Tiranë, i kishte të shtrueme. Kështu dojshin me e bâmë Turqit edhe Krujën. Nji herë i ndërrojnë qarkun, mandej shkallë-shkallë kërkojnë me ahtrîmë reformat e vêndeve edhe atje. Në 1906 qe rend’i xhelepit të gjâs së trashë. Qytet e katunde kundërshtojnë, s’duen kurrsesi qi t’u numrohen gjedhet e të paguejnë xhelep për to. Në Kurbî populli çon krye me armë në dorë. Vriten gjind, digjen shtëpija. Nji ditë prej ditsh edhe katundatët e tjerë rrâjnë në qytet për të protestue ke Mirallaji (Allaj-beu i mâhershëm qi gjêjmë ke emn’i sheshit të Varoshit), komandant’i fuqis së mbledhun në Krujë për t’i bâmë ballë nji kryengritjeje mâ të gjânë se ajo e Kurbînit. Të tânë janë t’armatosun. Se kurrë, deri ke Durgut Pasha në 1910, s’kishte mendue e provue ndonji herë qeverija turke me u a hjekun armët Shqiptarvet. Koloneli turk merr pozicion për projë. Në Tallajbé ishte fuqija e tij ndër çadra e ai e qet jashtë me armë në dorë e të rradhueme në beft. T’anët ishin grumbullue në Kumlluk e aspak s’e kishin mendue me bâmë shamatë me ushtrín. Ata kishin shkue atje vetëm për me protestue, me qamë hall, me u lutun. Parija e tyne kthehet prej Kolonelit ke turma e i rrëfen se s’kishte pasun vullëndim prej tij. Koloneli i kishte thânë parís se urdhni i Mbretit duhej të vente në vênt. Ç’me bâmë atbotë? Parija kshillon me u shpërdamë nji herë e mâ vonë me u mbledhun në kuvênd me qetsí. Por âsht e dijtun se ndër turmat e nxeme kush i bie thumbit e kush patkoit dhe në rasa t’atilla shpirtnat janë gati me shpërthye ndër akte të papeshueme. Ushtri e popull i armatosun gjinden kundruell. Nji djalosh qi nxirrte shkëndija sýsh s’i a bân nji e dý, mbërthen hutën e i ep zjarm kundra ushtarvet. Kaqë u desh. Ushtarët të komanduem e të rradhosun rregullisht, fillojnë zjarmin batare kundra turmës qi s’kishte marrë asnji masë. Atëherë po, shpërdahet gjindja, por me tëmerë e panik, mbasi lên të vramë në fushë të Kumllukut 22 burra. Ky gjak, veç nuk shkoi krejt kot për qëllimin qi kishte ai popull atëherë. Qeverija turke s’nguli kâmbë mâ për xhelepin e gjedheve të Krujës.

Nji tjetër kujtim kam prej Kumllukut. I bukur, i gzueshëm, intim ky. Ishim në vjetën 1920, 27 qershuer. E turbull aso kohe gjêndja e mbrêndshme e vêndit t’onë të ngratë qi s’pa ndonji herë dit me të vërtetë të qeta e të lume. Rrethânat më kishin bâmë me u tërhjekun në shtëpín e vjetër atnore. Atë ditë ishem thërritun për darkë ke nji mik e ishem ngjitun përpjetë kah qêndra qyshë herët me disa shokë. Shtëpija ku ishem i ftuem ishte në Varosh. Bashkë me shokët qi më shoqnojshin ishim ulë në buzë të Kumllukut tue pritun kohën për me shkue ke miku e me soditun nji falje dielli të mrekullueshme, si ato qi veç nji vênd si Kruja mund t’i ketë. Po ligjirojshim në qetsí me sý atje larg kah fusha e deti. Sinija e rrëgjyeshme e diellit po i u avitte dalkadalë e madhnisht rrethit t’ujit të ngjelbët t’Adriatikut tue na përshëndetun me rrezet e arta të saja edhe për nji natë të jetës s’onë. Kur qe! Pa prit’e pa kujtue disa pushkë njâna mbas tjetrës po e shklyejnë at’atmosferë pushimi shpirtnuer në prêhnin përkëdhelës të nânës natyrë. Ku ranë ato pushkë? Disi larg ishin prej nesh. Zân’i kishte të tânë gjasën e nji drejtimi të frikshëm, andej kah lagjia e ime. Po ç’mund të ishte? Nji pritë? Më vrau kush babën? Më vrau kush vëllán? Jo, ata personalisht s’kishin anmiq. “Mos t’ishe ti vetë këtu me ne”, po më thonte njâni prej shokvet, “na s’do të kishim humbun kohë deri tashti me këto hamêndje qi po bâjmë, por do të kishim vrullue pa tjetër andej kah shtëpija e jote; por për njerzit e tuj s’na merr mêndja ndonji rrezik”. Kështu filluem me u qetsue, por me gjithë këtê un s’ndejta pa e nisun nji vrap teposhtë për me marrë vesht. Pa shkue nji gjysmë ore i a mbërrîni lajmsi; e pamë nja pesdhetë metra larg ke po u ngjitte tërmal kah na me hapa të shpejta tue i u marrë fryma, por gjâ të keqe s’i thonte fytyra. “Sihariq! Sihariq”! bërtiti, “i ka lemë djalë Mustafës”! Kishte lemë Fatosi i im. Shokët deshën me shtimë, edhe ata, për gzim; por i ndala me të shpejtë. S’ishte rasa me trêmbun botën edhe na siç u trembëm vetë.

Zakon shqiptar! Gzimet e mëdhá, e të lemët e nji djali i tillë quhet ndër ne, do të festohen me pushkë. E mbasandej kush e paska fillue pushkën për Fatosin? Nji grue e fisit t’onë s’më bie ndër mênd tash se për cilën më kanë pasë thânë. Edhe grát dijnë t’a përdorin pushkën në Shqipní, dhe ka rasa në të cilat kanë dijtun t’a përdorin me shumë mjeshtrí e trimní. Flas për Shqiptaret e hershme këtu, se me luftare moderne âsht mbushun bota plot tashmâ!

Pak nên Tallajbéj vjen Pazar’i Krujës. Ky përbâhej aso kohe, siç besoj se do të jetë edhe sod, prej dy rreshtash të gjatë dyqanesh, nja 200 gjithsej, qi fillojshin me hanin e Picorit. Populli, për me diftue fillimin e pazarit thonte “ke hani”. Ndërmjet dy rreshtavet ishte rruga qi i dante, e shtrueme me gurë, kalldrâm me nji ulluk në medist për me mbledhun e marrë ujët e shiut qi rridhte prej pullazesh. Aq’e ngushtë ishte kjo rrugë, qi verës dyqanxhijt e mbulojshin me qingla strehë mbë strehë të dý anvet të dyqanevet për me ndalue diellin e kështu me bâmë mërriz në freskt të hijes. Se me të vërtetë mërriz bâjshin tregtarët e shkretë të Krujës, si bagtija, e jo veç në vapët, por gati gjithë ditën e javën, përveç së hânës qi ishte ditë pazari e gulojshin katundarët për me shitun e blemë.

Për të hânë po, kishte lëvizje; katundsija qitte me shitun drithnat e miellin, bagtín e prodhimet e saja: bulmetin, leshin, lëkurën; mbandej lândën e pishën e kështêjët. Burrat qi s’mund të dilshin vetë për shkak gjaqesh e ngalsash tjera a pse nuk i lëshonte puna, nxirshin grát, të tana zbuluet, myslimane e katolike, lidhun kryet me nji faculetë të bardhë të vêndit, të vêjtun në vegël, ase nji rubë të zezë a bojnash, simbas moshës, secila veshun me kostumin e krahinës së vet, fusha me mângore pëlhure të vêndit, përmbi të gupen ase mitanin, me çitjane e këpucë qyteti; malsija me linjë të gjatë, xhubletë e “apênga”. Të rejat e malsís të tâna me flokë të zez si pênda e korbit e kush s’i kishte kështu vetiu do t’i lyente me mazi, siç bâjshin edhe gratë e qytetit. Të mrekullueshme balluket e nuseve malsore lëshuem mbi nji ballë të bardhë si bora.

Këta, burra e grá, mblidheshin në gurishtën e ullishtës “përmbi dyqanet”. Kështu e cilsonte populli atë vênd. Atje e shtrojshin mallin qi kishin për të shitun. Vêndit i thojshin edhe “Pazar i grávet”, sepse ndërsa katundaret, nji për nji si burrat, shkojshin edhe nëpër dyqanet, Krutanet e qytetit s’e kishin këtë guxim, por u ndalshin përmbi dyqanet, ku edhe dyqanxhijt ngrihshin nga nji tândë dhe qitshin nji pjesë të mallit atje për ditë pazari. Drithna e kështênjë kishte herë herë edhe në bark të javës e atbotë u shitshin në Lamë. Ky ishte nji shesh i vogël në mest të pazarit, atje ku dy rreshtat e dyqanevet bâjshin nji kthim të vogël në të djathtë për me mbërrîmë kështu deri në Derexhik. Asnji Krutan nuk e dinte se ky emni Derexhik ishte nji fjalë turqishte qi don me thânë përrueth. Me të vërtetë atje e çán pazarin kryq nji rrëké shinash dimnorë me shtrat kalldrâmi qi kalonte nên sallën shkollore të Hasan Çitozit, nji shkollë fillore private ku edhe un kam pasë këndue për nji kohë të shkurtën para se me u ulë mbë gjunj përpara Molla Hysen Topçiut.

Pazar’i Krujës edhe atje merr nji kthim të lehtë kah e djathta për me mbarue nja 100 metra mâ përtej. Krutanët thonë: “Rrêjti ke hani, e besoi edhe vetë në Derexhik”.()

Rruga e pazarit vijon mbandej drejt portës kryesore të kalás. Në të djathtë dahet nji rrêmb e varet teposhtë kah lagja e Kavaçajve e pak mâ poshtë kah ajo e Dedelijve; atje përpiqet me rrugën e vjetër të qiraxhijvet Krujë-Durrës e pa mbërrîmë në Ballefenaj (Ball efendi) lëshon nji rrêmb tjetër në të mângjët për ke Zhillajt, Qoshelijt e Kuqnakët; mû nên Ballefendi shkon e mbaron ke përroi i Hoxhajve, ku piqet edhe me shtegun e përshkurtët të kâmbsorvet qi zbresin prej pazari kah han’i Picorit, për rrânxë të Namazgjahut, të teqes së Shemsi-Babait e të Ballefendiut. Në të mângjët të këtij përroi piqet me rrugën e subashit qi, tue lânë prap në të mângjët nji krue me të njâjtin emën e tue kapërcye përruen, kalon kah Selim-agajt; pret mâ poshtë edhe përruen e Deredés e piqet me sheshijollin nën Dërshaban (Dervish Shaban) e lagjen e Dallakvet; po aty lên në të mângjët Sulhoxhajt. Në të djathtën e përroit të Hoxhajve, rruga qi zbret nga Kavaçajt piqet me atê të Deredés qi lên në të djathtën e vet Pengilajt e shkon me u bashkue me sheshijollin ke t’Aliut të Dylës, ku dahet trish, në të mângjët për Dallakë, Dërshaban, Pengilajt e vjetër e teposhtë përmbi Allamanen t’onë e deri në Krastë; në të djathtë mban për Sutaj e në mest varet teposhtë me nji kalldrâm të vjetër kah Lisat e Çakallit, tue lânë menjiherë prap në të djathtën Ristant; mbërrîn ke Bregu, lên në të mângjët rrugën e lagjes s’onë, Merlikajt, kalon nëpër Dy Çinarët – dy rrapa vigâna, Zoti e di sa shekujsh, në bestytnín popullore çerdhe xhindësh – e mbaron në Krastë me lagjen e kodrën e Barunvet në të djathtë.

Mbas Subashit, ke Selimagajt, dahet rruga e Sarxhës, në të mângjët, qi tue u përshkue fushës së Llabufes (vakuf, vakf) mbërrîn te kroi homonim e shkon ke Bardhajt aty afër në të mângjët dhe kah Emirajt drejt tatpjetë.

* * *

Ballefendiu âsht nji shênjt i fortë, jo veç për bektashijt e Krujës, por për të tânë Krutanët, posë atyne të pakve qi urrejnë bektashizmën e tjerve qi s’besojnë në shêjtnín e vorrevet. Janë dy vorre (merkate, në gjuhë të besimtarvet; merkad, arab. vênd ku flêhet) Ballefendiu me të birin. Ky i biri, mbas legjendës, paska qênë bâmë viktimë e drejtsís ekstreme të t’et. I tmerrshëm Ballefendiu për drejtsí.I a paska pasë marrë shpirtin të birit – legjenda s’e shquen se në ç’mënyrë – për nji vesh rrush qi ky paska pasë këputun e ngrânë pa leje prej nji hardhije të huej. Nji nga mrekullít e tija qi rrëfehen âsht edhe ajo qi i ka dhânë emnin. S’më ka ramë me ndie se si e quejshin deri në këtë mrekullí qi kallzojnë për tê. Nji ditë Shênjti paska pamë rrugës dikê me nji kafshë përpara të ngarkueme me dy bolira dhe e pyetka të zotin se ç’kishte në to. Bolirat ishin plot me venë. Por i zoti ka pasun marre me e kallzue, mbasi vena për myslimanin âsht gjâ e ndalueme (haram), e prandej i përgjigjet Shênjtit se ishte mjaltë (turq. ball). Edhe Shênjti, qi, si shênjt qi ishte, e ka dijtun të vërtetën, i a kthyeka: “mjaltë (ball) pra t’u bâftë”! Për njimênd kur çilka i zoti bolirat në shtëpí për me nxjerrë venën, në vênt të ksaj paska gjetun mjaltë.

Askush s’din me na dëftye gjâ mbi origjinën e këtij shênjti. Shênjt bektashj, por kundra venës; mallkimin i a lëshon venës me nji frazë turqishte: Ball ollsun! Dhe prandej i jet emni Ball-Efendi. I vetmi mandej ndër shênjtnit bektashianë qi kam ndie me këtë titullin efendi.

E vërteta veç âsht qi ky shênjt nderohet e drohet fort në Krujë. N’emën e mbi vorr të tij bâhen bét mâ të rândat. Atij i kushtohen mbrênda në qytet mâ e shumta e kurbanvet për kushte të ndryshme, në teqe të tij shtrohen mâ e shumta e drekavet prej qytetarvet në rasa të këtilla.

* * *

Tash dalim e vazhdojmë rugën e pazarit deri në kalá. Në të djathtë duhet të përshëndes nji herë ryzhdijen t’eme ngjitun me zyrën e postelegrafës s’asaj kohe. Përmbi këtê gjindet sod nji shkollë e re shqipe, mjaft e mirë, ndërtuem prej Shtetit shqiptar. Mandej mbërrîjmë përpara portës së kalás. Atje përpiqen edhe dý rrugë të tjera. Në të djathtën varet ajo e Mezinajvet qi shkon rrânxës së murit perëndimor të kalás e deri në Meçaj; prej së mângjëtës vjen rrafsh përmbi Pazar ajo e Kakulit, qi mû n’atë vênd ku merr kët’emën bashkon atë të Kasmajve (dmth. të lagjes ekstreme rrânxës së malit në vazhdim të Varoshit kah juglindja) me atë të Berberajvet qi ngjitet përpjetë me nji prjerrje mjaft të fortë.

Kalaja e Krujës âsht nji shkâmb i damë mbë vete në pjesën lindore të qytetit. Mbërrîn gadi në nji naltsí me Varoshin. Rrafshina e saj ndjek topografín e përgjithshme të qytetit, dmth. shkon tue u përvjerrë prej anës së malit kah ajo e fushës. Rreth’i mureve mund t’arrijë në nja 1000 metra. Mbrênda në skânjin verijak të saj âsht kulla e sahatit të qytetit. Ky sahat dikur kishte pasun nji kumbonë të mrekullueshme. Por kumbim’i saj tepër i fortë, ndihej në Prez, thojshin pleqt, e për këtë e paskan pasë hjekun e zevëndsue me nji mâ të vogël qi i a kam mbërrîmë un. Edhe kjo ndihej mjaft mirë në qytet, së paku deri në Merlikaj po. Ajo e vjetra pushonte për tokë mbrênda në kullë. Dikur i paska ramë në sý nji eksperti të huej, nji Austrijaku, s’kam mundun t’a marr vesht a ndonji konsulli apo ndonji turisti. Sigurisht vlerë artistike ka pasun, por ndoshta edhe historike. E kush din me t’a kallzue? Fakti âsht ky, qi nji ditë prej ditsh ajo kumbonë zhduket e askush nuk din t’a qarojë me detaje të sigurta atë mister. Mâ vonë, shumë mâ vonë, kur ishem burrnue e kishem fillue t’interesohem për gjâna historike të vêndit, më pat ramë me e marrë vesht se si ishte zhdukun kumbona e vjetër e sahatit t’onë. Nji patriot shqiptar banues në Durrës e nji krutan, të ngarkuem pa dyshim prej konsullit austriak t’asaj kohe në Durrës (kah fund’i shekullit të kaluem a kah fillim’i këtij), kanë gjetun mënyrën me e bartun e ngarkuem më ndonji vapor t’Austrís. M’a ka pasë diftue nji bashkqytetar i im tue më sigurue se e kishte ndie prej vetë gojës së protagonistit krutan, Ibrahim Kaloshit, të ksaj ndërmarrjeje. Këtë e paska pasë sigurue miku i Durrsit qi kur të dalë Shqipnija mbë vete ajo kumbonë do t’i kthehej Shtetit shqiptar. Deri sa ajo ishte gjâ Turku e Austria nji Fuqí e madhe qi përkrahte idén e pavarsís s’onë, ata e quejshin veprën e tyne nji akt miqsije për atë Pushtet e pa kurrnji dâm kundra atdheut të vet. E me të vërtetë i kam njohun fare mirë të dy si ndër patriotët mâ të vjetër e mâ të kulluet qi ka pasëun Shqipnia.

Mbrênda në kalá s’ka kurrgjâ të vjetër me nji vlerë historike: muret, bedenat, gërmadhat e nji hamami (bânjë turqishte), nji xhamí, sod e papërdorun e me minare të shêmbun, nji tyrbe e Dollmajvet, vorret e Toptanvet. Do të kishte pasun nji vlerë saraji, sidomos arkitektore, shtëpija e Toptanvet, qi mâ vonë, mbas shpërnguljes edhe të degës së fundit të tyne me Ismail beun prej Kruje në Tiranë, kishte përmbledhun gjithë zyrat qeveritare të nënprefekturës. Por edhe ai u la në rrenim, s’i ra kush mbrapa. Âmza (zyra e shtetit civil) e Krujës e dán qytetin në dý pjesë kryesore: Kalá e Varosh, tue përfshimë nên secilin nga këta dy emna shumë lagje të ndryshme. Zakon i vjetër, mesjetuer, kur gjithë banorët e qytetit banojshin mbrênda murevetë kalás e mâ vonë kur popullsia u shtue u krijuen banesa edhe përjashta e kjo pjesë e qytetit muer në Shqipní emnin slav varosh. Kalaja e Krujës vetë përmban në të vërtetë nji lagje të vogël banorësh, si gadi të gjitha lagjet e qytetitt’onë. Por ata janë për njimênd banorët mâ të privilegjuem të këtij qyteti. Rrethpámjen ma të gjanën, panoramën mâ të mrekullueshmen përpara sýve të tyne, pa pasun nevojë të lodhen, shpesh herë drejtpërdrejt prej dritores së shtëpís mbrênda në nji qytet, veç ata e kanë, e në të tânë botën ndoshta. Âsht kjo rrethpamje, kjo panoramë e pashoqe për nji qytet qi e bân Krujën nji ndër vêndet mâ të bukura të botës, siç e ka pohue, ndër shumë vizitorë të huej qi e kanë pamë, gazetar’i madh zviceran Wiliam Martin-i. Prej asnji pike shikimi tjetër të qytetit s’e ka njeriu para sýsh nji pámje aqë jashtzakonisht të bukur. Aty nji ashik i natyrës nuk mundet mos me e humbun veten. Në nji krah, mali; shkâmb kolos, masiv, madhështuer, kërcnues, aty për brinjë; me t’u bâmë sikur të tânë vigájt e mitologjís janë shkrîmë bashkë n’atë gur të gjallë për me përgjue mbi fatin e Shqipnís.

Poshtë, shtrîmë në prêhën të tij, qyteti; nji amfithjatër pa masë, me kullat e bardha hallakatun ndër grupe të vogla ase mbë vete, mbë faqe ase mbi kurriz kodrash, disa me shpinë kah mali e sýt drejtuem andej larg deri ke brigjet e detit, do tjera ijën kah mali e faqen kah shoqet e veta, siç e kanë lypun kapricet topografike të vêndit, fytyrat e tyne të fshehuna pjesrisht nëpër degat e ullijvet si faqe të njoma vashash me flokët e mëndafshët të derdhun përpara. Mâ përtej Krasta, pararoja strategjike e qytetit, me shkrepat e këlqertë të saj, minierë e Krujës së vorfën, aty-këtu mbjellë me kumí këlqerje qi buçasin tym e flakë shkurresh. Dikur kjo ka qênë krejt e veshun me shkozë, shqopë e dushk qi ushqejshin tufa dhish dhe mbajshin qytetin me drû; mbandej nevoja e këlqeres për ditë mâ e madhe për vêndin e për qytetet e Durrsit e Tiranës e xhveshi gadi krejt. Kur punim’i linjitit, qi duket se s’mungon në tokën t’onë, ka për t’u zhvillue si duhet kumít e këlqeres do të fillojnë me punue me tê në forma moderne, atëherë Kruja ka me pasun nji fat ekonomik mâ të mirë, Krastën e vet prap të veshun, të gjelbër e të bukur edhe atê. Kur mbaron Krasta fillon fusha e Krujës. Nji katund i ksaj fushe ka monopolizue në gjuhën e vêndit kët’emën, quhet ai Fusha e Krûs. Por në të vërtetë kjo fushë shtrîhet për së gjati qyshë prej Ujit të Matës me Milot, Gurëz e breg deti deri në lum të Tërkuzit ku bashkohet me fushën e Tiranës; e për së gjâni ke merr fund Krasta e deri në lumë t’Ishmit e të Gjoles tue u kapun me fushën e Prezës. Soditsi i kalás së Krujës të tânë këtë panoramë, qyshë prej vetullës së Sarisalltikut, 500 metra mbi tê, e deri në buzë t’Adriatikut me kodrat gjelbrore të gjithë atyne fushave, me arnajë e livadhe, me dushknajë e zabele, me lumna e shena t’argjêntë qi gjarpnojnë nëpër to, me kullat e bardha të mbjella nga pak kudo, me malthin e Ishmit e kalán e Prezës dhe tutje deri në limanin e Durrsit e në qytetin e Tiranës, krejt e ka para sýve të këndellun të tij.

Por Krutani këtë thesar shpirtnuer qi i ka falë natyra në shtëpi të vet nuk e çmon. Atij, si gjâ e përditshme qi âsht, i u ka bâmë kjo nji gja e zakonshme. Âsht i përjashtmi qi i a ndien shijen e qi, t’i a ndiemen nji herë, s’ka për t’a harrue mâ në të tânë jetën e tij. Edhe ky veç, po vojt deri në qytet e i a përtoi me bâmë edhe ato 500 metra tërmale për me dalë deri në Sarisalltik, ka me mbetun si ai peregrini qi ka vizitue Vêndet e Shênjta e âsht kthye pa pamë vorrin e Krishtit në Jeruzalem ase Gurin e zí në Mekë. E dij, kush shkon me vizitue Krujën, për gja të shênjtë kishte me kërkue atje, në mos vorrin, qi mjerisht s’âsht mâ kurrkund, as në Lesh ku ka qênë, nemose nji kujtim ç’faret do të fatosit me të cilin lidhet ngusht emn’ i atij qyteti qe pesë shekuj e këndej. Por kot, kujtime t’atilla s’ka për të gjetun, posë kalás, e cila, as ajo s’paraqet fizionomín e kohës së Kastriotvet e t’Uranit (). As qi po e kam ndërmênd këtu un me i krahasue vizitorit të Krujës Shênjtin Sarisalltik të bektashijvet me Jezu-Krishtin e gjithë botës së krishtenë ase me Profetin Isá dhe Gurin e Zi të qabes së botës mohamedane. Sarisalltiku i gjorë s’ka kso pretendimesh. Por nj’ashtu sikur peregrini qi shkon në Jeruzalem e ai qi ve në Mekë nuk mund t’a quej detyrën e tij fetare të kryeme e as shpirtin e tij të kënaqun deri sa s’ka pamë edhe atë gjâ të shênjtë kryesore, po ashtu as turisti i Krujës, pa dalë edhe në majë t’atij mali, të cilin vêndi e thërret edhe me emnin e shênjtit qi ka lânë atje kujtimet e veta, s’e ka mbarue qëllimin turistik dhe në shpirtin e vet, pa ditun ka lânë nji gjymtí të paplotsueshme. Me nji mundim të vogël, nji hypje asaj faqje mali nji oret, të shumën dý për pa i u marrë fryma asnji herë ai do të kishte para sýve të tij panoramën mâ madhështore qi mund t’i paraqitet nji njeriu në jetën e vet: prej maleve të Leshës e deri ke baba-Tomorri në nji të përfshime sýni me gjithë ç’mban kjo mbrênda tokë e det. Qytet’i Krujës, qi pa dyshim ka për t’u bâmë nji ditë qêndra turistike mâ e rândsishmja në Shqipnín t’onë, qán për nji teleferik me majën e malit të vet. Kjo âsht e nevojshme sidomos për sedentarë shum’a pak si un, qi u pëlqen me këndellë sýt, por pa i mundue shumë kâmbët. Më bie ndër mênd kur qeshë ngjitun nji herë deri në qafë të Jungfrau-t (), me hekurudhën e posaçme t’atij mali për me pamë akullinëne famshme nên tê. Mbandej i shkrova nji letër Dom Lazër Shantojës, () të cilit veç artevet i pëlqente edhe turizma e alpinizma. M’u përgjegj: “Mos të qofsha falë pse ke hypun në 3500 metra … me tren. A jé i zoti me u ngjitun kâmbë si un?”

Naltsija 1100 metrash dhe afrija me qytetin do t’a kishin bâmë malin e Krujës nji vênd verimi të çmueshëm. Por mjerisht i mungojnë gjâna të tjera shumë mâ të rândsishme për këtë shërbim. Mali ka trajtën e nji piramidi katërfaqsh të premë rregullisht me kryenajë rrafshore. Prandej të gjitha ernat, nga çdo anë qi të fryjnë, atje janë në shtëpi të vet. Mâ e shuma e sipërfaqes së kryenajës âsht fushë pa drûj, veç nji pjese t’anvet të veriut e të verilindjes. Në këto anë ka ah. Ujë n’atë mal ka fare pak, vetëm nji krue “ke Lugjt” pak pa mbërrîmë në buzët. I thonë “ke Lugjt”, se atje gjinden dy lugj të gjatë drûni për të pimë ujë gomarët qi bâjnë drû e patavra sidhe disa qind krenë dele qi dalin verës n’atë bjeshkë.

Heret, due me thânë deri në djalní t’eme, deri qi s’pat fillue vargu i papremë i mjerimeve të vêndit t’onë fatkeq me luftat ballkanike e, në daçim me pavarsín e tij qi do t’i sillte lumtunín, mund të them se s’ka pasun familje krutane – pa përjashtue edhe shumë katundarë – qi dilte n’atë mal për nji piknik në nji ditë vere të çdo vjete. Çilej stina ditën e Shën Gjergjit. Burra, grá, kalamâj shum’a pak të mbërrîshëm, kapshin përpjetën varg e varg, heret për me sosun në majë pa u shtrîmë dielli faqeá së malit. E shumta e burravet ishin t’armatosun, simbas zakonit, dhe argtimi mâ i madhi i tyne ishte me shtimë mbë nishan (qitja në shênj)

U ngrihshin tre a katër shênje në largsí të ndryshme, u dajshin burrat grupe-grupe, fillonte qitja, u gjuejshin shênjet nji herë, u ngrihshin prap e prap për së dyti e për së treti … deri sa të gjithë vizitorët e Sarisalltikut t’a ndiejshin veten të nginjun me kët argtim. Mbrapa shetina, lojna të ndryshme, kângë burrash e grásh. Mâ në fund burrat i a nisshin pijes, prap me kângë e muhabet, grupe grupe e u përgatitshin për drekë. Mbas dreke pushim, gjumë deri qi t’u kthiellojshin kokat e turbullueme nga rakija, e rrushit ase e detit (mastika); q’atje së voni edhe nji herë qitje në shênj e nja nji orë a dý para se të ngrysej u niste gjindja për kthim, tufë-tufë, ku tue këndue e ku tue shtimë ase të dyja bashkë.

Stina e vizitave në Sarisalltik, e fillueme kështu ditën e Shën Gjergjit si nji peregrinim i përgjithshëm, vazhdonte deri në fund të gushtit. Por andej e mbrapa në nji tjetër formë. Dikuj i âsht shfaqun n’ândërr detyrimi me i kushtue nji kurban atij shênjti, dikush e ka pasë bâmë vetë këtë kusht si nji falënderim për nji të mirë, për nji gzim qi e ka gjetun, tjetri vetëm i âsht tekun me gzue veten, familjen edhe nji palë dashamirë të tij qi i pëlqente me ftue, gadi për ditë bâhej nji gostë, mâ të shumtën për drekë, por shpesh edhe për darkë, me nji, dý a tre desh për kurbana atje nën hijen e Sarisalltikut. Lëkurat e kurbanavet i jitshin falë teqes, dmth. dervishit qi e ruente. Teqja kishte gjelltoren e ênët qi duheshin për të hângër. Por s’ishin vetëm lëkurat e kurbanavet qi fitonte dervishi nga vizitat; shumë vizitorë i falshin edhe të holla. Për vizitorët qi flêjshin atje, Sarisalltiku ka edhe dý konaqe, nji me 4-5 oda edhe nji tjetër, këtë shi në buzë malit, me njo odë të vetme por të madhe. Të gjitha natyrisht përdhesa. Kështu, madje, edhe herë mbas here era s’e lên pa u a zbulue pullazin. Në qoftë se ai pullaz qi çon peshë era ka qênë ndërtue me bamirësí të dikuj, popull’i Krujës e përfol sikur bâmirsi i ka pasun ato pare haram e se prandej Shênjti Sarisalltik, qi s’e duron haramin, ka çue erën me e hjedhun poshtë.

Âsht interesante gojdhâna e këtij shênjti. Pikë së pari âsht rasa me shënue se në qoftë qi ai ka ekzistue njimênd ndonji herë moti nji njeri i përshpirtshëm n’atë majë mali, duhet të ketë qênë nji eremit. Vênd’i tij atje nalt âsht nji shpellë. Sdrypet nja tri metra thellë e aty nji bërryl i ksaj shpelle asht damë me mur, si nji sacrarium i shênjtit. Hýhet mbrênda prej nji dere të vogël. Në fund nji presë me dërrasa, mbrapa së cilës duket se do të jetë nji greminë. Kurrgjâ s’ka në këtë qelzë shkâmbi veç nji kutije drûni, ku të devotshmit qi hýjnë atje për me i u falë shênjtit hjedhin nga nji pare. Këta i a nisin qyshë prej prakut të derës me nderue e lutun shênjtin, qi s’ka lânë kurrfarë shênji aty, me zâ t’ulët vetë me vete e tue puthun muret e shpellës.

Nja dý metra mâ poshtë ka nji shtresë dërrasash në nji anë, mbuluem me nji hasër, ku mund t’ulen nja dhetë vetë rreth e përqark n’atë fresk shpelle. Dritë ka mjaft, se gryka e shpellës âsht e gjânë. Zbresim tekembramja edhe nja dhetë metra ma poshtë, nji palë shkallë gurit, ndërtuem fare rregull me nji prjerrje normale, edhe mbërrîjmë në nji krue me çep të mbyllun e me nji lug guri nên tê. Pijmë ujë. E ç’farë uji! Aq’ i ftohët, sa âsht gadi e pamundun me e mbarue nji gotë të tânë në nji hov. Mbas murit të kroit ka nji “depozitë”, qi nuk dij a âsht e natyrshme apo e ndërtueme. Përmbi tê qëndron nji “gur rrumbullak” si nji bullungë e tavanit të shpellës. Prej këtij guri pikon në depozitët ata ujë. S’i kam pamë me sý as depozitën as gurin rrumbullak, por m’i kanë thânë. Pikat qi gjerbojnë e bien në hurdhët ndihen fare kthiellët. Guri rrumbullak po s’e muerëm shkrolarisht kët’epitet ka gjasë të jetë nji stalaktite.

Kjo, shpella e Sarisalltikut. Tash legjenda na e tregon këtë shênjt për Shën Spiridionin, qi e ka kufomën “të pacenueme” në Qerfos (Korfuz). Qi nji shênjt bektashian t’identifikohet prej bektashive vetë me nji shênjt të krishtenë s’âsht aspak çudí për kê ka pasun rasë me ndëgjue, si un, disa ndërpretime interesante prej gojës së fetarve bektashijanë në këtë kuptim. Bie fjala H.T. Ahmet Sirri Dedeja, kryegjysh i bektashijvet të botës e i teqes bektashijane të Kajros, më ka lanë nji ditë me gojë hapët ndaj spiegimet e tija kso dore, si p.sh. mbi identifikimin e Aliut, të katërtit Khalife t’Islamit, me Shën Llín (Sh. Ilia) e mbi sa tjerë kështu. S’kanë asnji rândsí, simbas ndërpretimit të H.T., datat historike të jetës së njânit e të tjetrit shênjt t’identifikuem me shoshoqin. Âsht shpirti i atij ma të lashtit qi ka lemë përsri me trupin e mâ të vonshmit.

Por si fluturoi e duel ky shênjt prej majës së malit të Krujës deri në Qerfos?() Legjenda e përshkruen sikur ai ka qênë i mbësýmë prej kulshedrës e mbas nji luftimi të rreptë me tê s’i ka pamë shteg tjetër vetes veçse me ikun e me kërkue nji strehë mâ të sigurtë. Edhe këtê e ka gjetun në Qerfos. Tue fillue prej të Letit, në buzë të Krastës, gjatë xhades Krujë-Durrës e Tiranë ku sod gjinden vorrezët e Merlikajve, deri afër krojit të Fokës, ke bie në fushë, heret ka qênë nji kalldrám qi i thojshin Kalldrám i Qerres. Në gjysmë të këtij kalldrámi ka qênë (ka mot qi s’kam kalue mâ andej) nji kolibë e shtrueme me harasan qi në mest kishte nji gropë në formë të nji gjurme njeriu e pranë saj nji birë të vogël: gjurma e kâmbës së Shênjtit Sarisalltik dhe për brinjë ajo e shkopit të tij qi ka lânë tue ikun prej kulshedrës. Që prej malit të Krujës e deri atje në gjysmën e Krastës pak me thânë nja dý mijë metra në vijë ajrore, Shênjti Sarisalltikka kërcy me nji hapë të vetme. E tash shpejt po shohim mrekulli edhe mâ të madhe kso dore. Pak përmbi atë gjurmë anës së kalldrámit gjinden dý gurë të ngulun në tokë e krejt në trajtë konike, njani pak mâ i madh se tjetri. Populli, tue folë për atê vênd, thotë “ke Pilafët”. Ky emën asht fare normal, pse njimênd ajo âsht forma e atyne dý gurve. Por bukuria e legjendës âsht kjo, qi ma të madhin e atyne dy gurve, i cili âsht pakëz i cenuem nga fundi, na e tregon për pilaf gruni e mâ të voglin orizi, e Sarisalltiku, i ûntuem mbas gjith’asaj lufte me kulshedrën, ka dashun të hajë, ka fillue me nji lugë grunë – lugën sigurisht shênjti e kish marrë me vete në xhep – e mbasi i a ka mbërrîmë kulshedra me i u turrë mbrapa, i u ka dashun të kaptojë e pilafët atëherë janë bâmë gurë. Për çudi, veç, gjurma e shênjtit âsht disa qind metra larg pilafëve e âsht gjurma e parë dhe e vetmja qi ai ka lânë në tokë tue ikun, sepse prej andej me hapën e dytë ka fluturue e ramë fill e në Qerfos!

Edhe nji shênj tjetër na ka lânë Shênjti Sarisalltik në mal të Krujës. E ky âsht mjaft i dashun, i kandshëm: nji lulez e bardhë qi i gjân shumë asaj së deles, margaritës, por mâ e vocërr se ajo e me erë të mirë. Popull’i Krujës e quen shallnesh (Shën Llesh) edhe beson qi ka bimë prej pikave të djersës së Sarisalltikut kur ky po luftonte me kulshedrën e po ikte prej saj. Logjikisht ajo lule duhej të merrte emnin e Shën Spiridionit, mbasi Sarisalltiku âsht ky vetë, e jo atê të nji shênjti tjetër. Por mâ edhe logjika e emnit të lules s’ka si me qênë tjetër veçse nji pjesë e gjithë logjikës së ksaj legjende. Kjo lule n’asnji vênd tjetër nuk gjindet posë malit. Âsht vallë nji lule e rrallë, vetëm e malit të Krujës? Nuk dij s’kam fé pjese në botanikë.

Por kush janë Krutanët? Asnji dokument historik, s’më ka rânë në dorë qi të na sigurojë mbi fatin e popullsís së Krujës kur hýnë Turqit n’atë qytet njimbëdhetë vjet mbas vdekës së Fatosit t’onë (). Por ka gjasë qi as këta mos të kenë qênë mâ të mëshirshëm për atë popullsí se vetë kundërshtari legjendar i tyne për rojën anmike qi gjet në kështjellin e t’et kur u kthye mbas tridhetë vjet mërgimi. Sod në Krujë s’ka asnji familje me tradita të vjetra. Të tânë gati e tregojnë origjinën e tyne, kush mâ të largë e kush mâ t’afër, nga vise tjera, mâ e shuma prej viseve jo fort të mërgueme. Na Merlikajt b.f. siç kam pasë ndëgjue prej tim ungj, () jemi të shpërngulun në Krujë prej Malit të Bardhë të Kurbinit shumë breza mâ para. Kemi pasun në fushë t’atij katundi do tokë të trashigueme qyshë moti së bashku me Allmuçajt, krutanë edhe ata, qi sod janë shue e qi në vogjlí t’eme u pritshim e u përcillshim ke shoshoqi si në vllazní, por pa qênë kurrkush i zoti me i lidhun brezat krye më krye deri në të parin t’onë të përbashkët. Ajo tokë atje në Mal të Bardhë ishte e vetmja dëshmí konkrete e origjinës s’onë, si dhe prova, veç traditës së vazhdueshme, e gjakut të përbashkët me Allmuçajt. Ajo tokë, tue mos i rânë kush mbrapa, tue e lânë mbas dore për nji kohë të gjatë, pak nga pak u përvetue prej katundarvet rreth e rrotull qi kishin krahë me punue, ndërsa neve për nevojat t’ona na mjaftojshin ato të qytetit.

Me lavdrue veten njeriu âsht marre. Me lavdrue atdheun e vet, kombin e vet, me gjithë qi edhe vetë asht pjestar i këtij quhet detyrë. Besoj pra se edhe nji qytet me popullsín e tij, ku na ka pamë sýni për të parën herë dritën e diellit, po qe për t’u lavdrue mund të lavdrohet pa pasun kush të drejtë me na paditun për mungesë modestije. Në fund të fundit trandafille pa gjêmba s’ka e kur i këndojmë hymne trândafilles nuk don me thânë qi u a këndojmë gjêmbavet.

Popull’i Krujës, pra, âsht nji popull i squet, por sidomos thellsisht i ndershëm. S’e kam ndie kurrë veten mâ kryenaltë për qytetin t’em sesa nji herë në nji kafe të Vjenës në 1926. U njoha atje me nji trgtar të madh të Stambollit. T’a marrmen vesht ai prej emnit t’em qi ishem krutan (), më pyeti nëse e njihshem “nji farë” Ismail Kasmi. Ky “nji farë” Ismail Kasmi ishte tregtari mâ pasaniku i vêndit t’em. Sod kemi edhe krushqi me shtëpín e tij. Atëherë ishim vetëm bashkqytetarë qi njiheshim, por as miq jo. Po më thoshte tregtar’i Stambollit:

“Në jetën t’eme s’kam pamë njerí mâ të ndershëm se atë burrë. Para luftës ballkanike kishim magaze edhe në Selanik. Kasmin e kishim myshterí. Para se të plaste lufta na kishte mbetun borxh nji kusur të vogël, nja njiqind lira. Lufta na shtrëngoi me e shkrehun magazen e Selanikut, u dyndëm e shkuem në Stamboll e s’u kthyem mâ atje. Mbaroi lufta ballkanike, kaloi edhe ajo e madhja e 1914-s e me Shqipnín qe premë çdo marredhânje tregtare për Turqín. Me gjithë këtê nji ditë prej ditsh kê po shoh në magazet t’eme? Ismail Kasmin! Faleminderës Zotit! … edhe u gzova qi pashë nji klient të vjetër e të dashun edhe u habita. Kafe e muhabet, e po e pyes mikun e papritun: “Po tý, Ismail Aga, ç’erë e bekueme të paska hjedhun ksaj ane? Mos ke ardhun për ndonji mjekim?….” jo,jo! Ismail Aga s’e kishte bâmë gjith’atë rrugë as për mjekim as për dëfrim e aqë mâ pak për tregtí. Ai mbasi kishte kalue për Selanik për me më kërkue e atje s’më kishte gjetun, kishte ardhun në Stamboll nergut e vetëm për me më lamë borxhin mue! Nji borxh qi un e kishem fshimë kryekëput prej mêndsh e qi e kishem nxjerrë sa fijsh në tregtín t’eme me tê. Por Ismail Kasmi s’e kishte harrue e kishte ardhun postafat qyshë prej Kruje për t’a lamë….

Kështu asht krutani: Xhiu i Fajës shkon në Stamboll me lânë kryet për nji gjysmë fjale qi i kishte dhânë mikut me i marrë gjakun, Ismail Kasmi për me lamë nji borxh qi edhe vetë i zoti e kishte harrue. Fjals, besa, detyra për tê ka vetëm nji ligjë: me e mbajtun e me e krye me çdo kusht.

Krutani âsht modest. Nuk mbahet, s’krenohet, s’lavdrohet. Âsht trim, por trim i pafjalë e i padukë. Për fjalë e sjellje të tija s’e blen kush për pesë pare. Trimnín e tregon vetëm kur e zên puna për projën e vet e të të drejtave të veta, për mikun, për zakonet. Sa âsht fanatik në projën e nderës së vet, me gjith’aqë shkrupull nderon edhe tjetrin, kushdo qoftë. Gadi në të tâna zakonet e tija ka mbetun malsuer. Në punë gjaqesh ndjek pikë për pikë Kanunin e malevet. Gjakun e lyp vetëm prej mashkujve të rritun e t’armatosun të tymit të gjaksit krye për krye (). A e muer gjakun, ka për t’i dërgue anmikut pleqt ke dera për pajtim e s’ka ndodhun kurrë qi ky mos t’i shtrohet Kanûnit.

Krutani asht puntuer. Strukun n’atë rrânxë mali me q’ata ullîj qi nji vjetë bâjnë e dý jo, me nji copë arë të shkretë në ndonji luginë ndërmjet dý sukash a vetëm me nja dý pash kopësht para shtëpís, me nji copë dyqan qi punon mirë vetëm nji ditë në javët me katundarët, me ndonji dele, dhí a lopë në derë, lufton i ziu me jetën si të mundet, veç të rrojë me nderë. “Në Krujë ha pula gurë” thotë nji fjalë e moçme e vêndit. Kallzohet se dikur paska qênë mbledhun Kruja në kuvênd e gadi paska pasë vêndosun me e ulë qytetin në fushë mbi xhaden e Shkodrës. Sigurisht s’ka qênë pun’e lehtë me lânë plâng e shtëpí me kujtime shekullore mbas shpine për me fillue gadi një jetë të re. Prandej bisedimi do të ketë qênë mjaft i nxetë, mjaft i ashpër ndërmjet tradicjonalistavet e antarvet guximtarë të një sýnese të largët qi premtonte, së paku për brezat e ardhshëm e mbas shumë sakrificash, nji jetë mâ të volitshme se poplat e shkrepat e të parvet në nji skânj mali ku nuk shihej kurrë nji fytyrë jabanxhiu. Nji qytet n’atë fushë të bukur, në nji vênd qëndruer, p.sh. andej anës së Gjoles a mâ nalt kah Zeza, jo veç qi do t’i a kishte premë udhën konkurrencës tregtare të Tiranës mbi shumë katunde të Krujës, por do të kishte tërhjekun e bâmë krejt për vete edhe krahinën e pasun t’Ishmit e treqind shtëpí Prez. E mbandej xhamija e madhe, me qênë nji stacjon përmbi nji damar tregtije aqë të rândsishëm! Ky argument’i fundit kishte magjepsun sidomos esnafin e Krujës, tregtarët qi ishin, si me thânë, ajka e qytetarvet. Por ja ku del q’atje përtej dikush, ndoshta nji teshë i ngratë qi deri atë ças s’e kishte përfillë kurrkush e ai vetë soll kishte ndêjtun e ndëgjue se ç’po thojshin burra mâ të parë e mâ të mêndshëm, edhe thotë: “Or shokë, a e flas nji fjalë edhe un qi s’dij gjâ, qi jam mâ i mbetmi i të gjithve këtu në këtë kuvênd burrash e zotnísh? Ju besa mjaft mirë jeni tue thânë se kjo rrânxë mali ku na kanë lânë të parët t’anë fort vênd i vorfën e i shmangun âsht. E po thotë Zotnija e Juej me ramë atje poshtë në xhadet të madhe, se atje kishte me na rrjedhë allishverishi si zalli e kishte me na bâmë rahat. Për mue, qe besa, më falni, por kjo kaprroqja e ime s’po më mbushet bash fort se xhadja do të na bjerë atë fitim të madh qi po shpresohet. A thue s’ka qênë kush ndonji herë në Lesh prej sa jemi këtu në këtë kuvênd? Un pra po, kam qênë, e kam pamë e e njoh mirë Leshën. Ky qytet, qyshse âsht ngrefun, q’aty në breg të Drinit e përmedis xhades së madhe ka qênë, asnji karvan s’ka pasë kah me i a mbajtun pa ramë nëpër tê për me votun në Shkodër, në Gjakovë e në Prizren. E pra me gjithë këtê s’e pashë kurrë n’atë qytet nji tregtar qi të ketë bâmë prokopí. Mendohi mirë, burra, para se me dhânë nji vendim të pamatun, se edhe të parët t’anë s’kanë qênë, jo, aqë të pamênd kur e kanë themelue këtë qytet këtu, për vete, për ne e për tânë sa do të lejnë e të vdesin mbas nesh”!

E pat! Kruja mbet atje ke qe, tek e kishin themelue të parët “për vete, për ne e për sa do të lejnë e do të vdesin mbas nesh”, sikur tha ai sukllari i panjohun n’atë kuvênd të hershëm të qytetit ku kishin të drejtë me marrë pjesë e me folë i madhi e i vogli, pasaniku e vobeku (). Ajo mbet atje në vorfnín e vet, por edhe me historín e vet, madhështore e krenare. A ka themel historik ky kuvênd a s’ka, nuk e dij. Âsht nji gojdhânë. Krutanët kanë mbetun besnikë të gurvet, të shkrepavet, të malit të tyne. Por vorfnija i ka shtrëngue me e kërkue kafshatën e vet edhe për jashta; gjithmonë, veç në Shqipní, vetëm në Shqipní e ndër vise jo aqë të largta. Gjêjmë krutanë në Durrës, Shijak, Tiranë, Mat, Thkellë me dyqane. Kah Juga asnji s’e ka kapërcye Vlonën. Në dhena të huej, as në Stamboll e vênde tjera të Turqís nuk gjindet farë Krutani. Edhe kudo qi kanë vojtun janë mundue me bâmë ndonji tregtí të vogël e rrallë janë pasunue. Krutani âsht mohimi vetë i çdo aventure. Vullëndohet me pak, por punën e don të ndershme e të sigurtë. Âsht i urtë, kryeulët në sjellje, por krenar, hijerândë përmbrênda. Puntorë, shërbtorë, rrogtarë krutanë nuk gjên kurrkund përjashta. Krutani qi shkon e pajtohet rrogtar me gjâ të gjallë, me kafshë barrtore a me qé ke nji zotní, bashvendës i vet, mbahet baras me djelmt e shtëpís. Ai këta i quen vëllazën, zotnín e njeh vetëm për të parë shtëpije, granija për tê janë motra e nâna atje ku punon. Han në nji tryezë me gjindën e shtëpís.

Mikpritja në Krujë vetëm tash vonë, nën influksin e nji tog rrethanash të ndryshme, ka marrë aty-këtu pak si hije qyteti. Në vogjlín t’eme çdo derë krutane ishte e hapët për të njohun e të panjohun, nji për nji si ndër malsít t’ona mâ bujaret. Grueja krutane i shërben mikut në shtëpí të saj si t’a kishte farefis të vetin a të burrit. Nusja ashtu siç i lante kâmbët gjindës së vet i a lante edhe mikut. Sod ky zakon âsht vjetrue e lânë, por un i a kam mbërrîmë.

Më bie ndër mênd ç’më ka ndodhun nji herë në shtëpí t’onë kur ishem fëmijë:

Nji të dielle mbrâma kishin ardhun te na miq kurbîjas, për me ndjehun të hânën, për ditë pazari, në qytet.Ndër ta ishte edhe nji nuse e re bashkë me të shoqin. Kjo qet nji varg kështênjë të zieme e m’a dëften së largu tue më thërritun për me m’a dhânë. Kur i u afrova muer me më puthun; por un, shen e verë për vargun e gështenjvet, para se të më puthte ajo mue, kap e puth un atê, gjâ qi s’asht zakon ndër né. Shkoi gazi në kupë të qiellit e un zûna me qamë prej marres.

Dom Nikollë Kaçorri () më ka pasë diftue nji herë ç’i kishte pasë ndodhun në Krujë në të ri të tij:

“Porsa kishem dalë prej seminarit të Shkodrës, prift i ri e sekretar i Kryepeshkopit të Durrsit, Monsinjor Bianchi-t – nis tue më thânë Dom Nikolli dhe vijon: – Plaku (), me gjithë qi vetë kurbîjas, s’kishte pasë qênë ndonji herë në Krujë, në këtë qytet me nji popullsí qind për qind myslimane, e s’kishte nji mendim të mirë për bashkatdhetarët t’anë mohamedanë përgjithsisht. Un vetë edhe mâ zi se ai. Nji ditë i mbushet mêndja Arqipeshkvit me shkue e vizitue atë qytet, veç për kujtimin e Gjergj Kastriotit. Të dý hypim nji mëngjesi dý kualve shalet, nji rrogtar me vete e nisemi për Krujë. Mbërrîmë atje mbas dite vonë. Arqipeshkvi e un, dý priftën katholiq me nji shërbtuer, katolik edhe ai, në nji vênd thjesht mysliman. Mu në krye të pazarit ishte nji han. U zdrypëm kualvet aty dhe lypëm nji odë. Hanxhiu na prîni e na hypi për do shkallësh të çudiçme nalt në pod e na çeli nji odë. S’kishte asgjâ mbrênda posë nji hasre të vjetër shtruem. Pyetëm në kishte shtresa e mbulesa për të flêjtun. Hanxhiu, Senë Picorri, na përgjigjet: – jo, zotní, këtu s’ka kurrgjâ as për të ngrânë as për të flêjtun, veç po çoj e marr në shtëpí. Por këtu nuk âsht vênd për z.T’uej, âsht ma mirë me urdhnue në shtëpí t’eme? Qyrim shoshoqin me Arqipeshkvin e ky i përgjigjet hanxhiut bujar: – Jo, jo; faleminderës, na po bûjmë e ti veç na bâ hall për haje e të shtruena… U hap zâni nëpër Pazar se dý priftën kishin mbërrîmë në qytet e kishin ramë në hant. Nji zotní vjen e hyp ke na, ishte nji tregtar. Na përshëndet e na thotë: Zotní, nuk besoj se keni ardhun këtu për me koritun Krujën. Këtu s’mbahet mênd me pasë ramë kush i përjashtëm ndonji herë në han. Urdhnoni në shtëpí t’eme, s’e kam fort larg pazarit, po rrijmë e bâjmë muhabet, po hajmë e pijmë ç’të na ketë falë Zoti e ju po bâni rahat, se jeni edhe lodhun mbas gjith’asaj rruge të gjatë. Vijni nga Durrsi, në mos gabofsha … Ç’me bâmë? Arqipeshkvi ka ramë gjall’e ngusht. Bani e i tha njânit jo e duhet me vijue n’atë fjalë edhe me tjerët. S’i a njohim as zakonet nji qyteti qi ishim tue pamë për herë të parë. Mbas pak kohe i a befti edhe nji zotní tjetër e edhe me atê kështu shkoi puna. Për mos me e zgjatun, kur mbërrîni darka neve na qe mbushun oda e hanit me dyshekë leshi e jorgana mëndafshi, çarçafë qi me marrë miza mjaltë në ta e mbandej gjellë si me pasë qênë ftue në darsëm! Veç pleshtat e hanit na mërzitën pak, por për tjetër s’po shkoj mâ gjatë mbi bujarín e qytetit t’and, se s’përshkruhet. E po t’a pohoj se ka qênë bash nj’ajo rasë qi më ka çelë sýt për me pamë e me besue se paskish për njimênd nji popull shqiptar me të gjitha vërtytet e moçme e jo vetëm mysliman, katoliq e ortodoks qi flasin të njâjtën gjuhë pa mujtun me u marrë vesht shoq me shoq.

Kruja âsht e njohun si qytet bektashijsh. E vërteta âsht qi në krahasim bektashijt për numër janë pakicë në Krujë. Veçse mâ e shumta e parsís së qytetit i përkasin atij sekti. Prandej ky ushtron nji ndikim të madh në gjithë popullsín si të qytetit si të katundevet, sado qi ndër katunde bektashijt janë fare të rrallë. Teqet e kleri bektashijan nderohen edhe prej pjesës synite, posë 3-4 vllaznive të njohuna e të dallueme për fanatizëm. Mue p.sh. ndonse im atë s’ishte bektashij, m’i ka marrë flokët Dervish Hysen Dollma e shkues në fejesën t’eme ka qênë Baba Haxhiu i teqes së khalifatit të Krujës. Kjo teqe âsht nji ndër mâ të rândsishmet qi ka ai sekt në Shqipní. Teqja gjindet në katundin e Fushës së Krujës, e mbajtun prej Babait e Dervishve të saj tradicjonalisht me kujdes të madh. Mikpritse për kêdo, ka qênë gjithmonë vênd gostash me kurbâna si Sarisalltiku për çdo kategori të popullsís së qytetit e të rrethit të tij e tash vonë, qyshse ka fillue të punojë me lehtësí rrota e automobilit, edhe sýnesë piknikësh nga intelektualë të Kryeqytetit.

Popull’i Krujës âsht shumë liberal, në kuptimin mâ të lavdrueshëm të ksaj fjale, e këtë liberalizëm e ka, posë karakterit të vet malsuer, për nji pjesë të madhe edhe prej bektashizmës.

* * *

Nën sundimin turk arsimi i Shqiptarvet ishte nji privilegjë e rrallë vetëm për pasanikët, e të këtillë kishte pak Shqipnía. Ndër qytetet t’ona kishte vetëm ndonji shkollë fillore e ndonji plotore (ryzhdije) në gjuhë turqishte e me nji sistem aqë primitiv sa qi rezultati për nji nxânës qi t’i kishte mbarue rregullisht të gjitha klasët mund të barazohej ma atê të tri vjetve të nji fillorje moderne. Në ndonji qêndër prefekture ryzhdijet kishin përmbi to edhe dý klasë gjimnazore. Gjimnaze të plota shtatë klasësh kishin vetëm qêndrat e vilajetevet, veç Shkodrës (). Pra nji familje shqiptare qi dëshironte t’a stërvitte djalin e vet – se ma për vajza qi as fjalë s’u bânte aso kohe së paku me nji arsim mesatar, – duhej të kishte mjetet për t’a dërgue në nji internat të largët si në Janinë në Shkup, në Selanik ase në Stamboll. Gjâ kjo qi mund t’a bâjshin vetëm bejlerët, disa agallarë e nji palë nëpunsa të naltë. Këta të fundit madje s’kishin as nevojë t’i dajshin fëmijët prej gjînit të familjes, mbasi punën e kishin gjithmonë në nji nga qêndrat e mëdhá të Mbretnís.

Relatat kulturore të Shqiptarvet me Okcidentin ishin aso kohe thuejse të paqêna. Pasanikët ortodoks i tërhiqte Athina, katolikt e Shkodrës Italija ase Austrija. Por këta të fundit, gati të gjithë tregtarë, sa për nevojat e tyne vullëndoheshin me shkollat klerikale qi kishin në vênd. Në të tanë Shqipnín njoh vetëm të bijt e Neki Pashë Libohovës, Mufid beun me të vllaznit, qi kanë krye studime të rregullta n’Okcident nên sundimin turk, edhe Ekrem bej Vlorën qi ka studjue në gjimnazin aristokratik të Vjenës Theresianum ().

Me këto kushte s’âsht aspak çudí, pra, qi nga shkrepat e Krujës së vorfën mos të kenë dalë njerëz të mësuem deri në kohën t’eme. Besoj se e vjyen barra qirán me i përshkrue disa tipa interesantë t’intelektualizmës krutane t’asaj kohe. Mâ i dijshmi ishte Myrteza Efendi Goci. Por ky kishte mbërrîmë në nji gradë … ditunije qi për tê s’kishte vênd në zyrat e nji nënprefekture. Sepo, e ditun, kush këndonte atëherë këndonte vetëm për nji qëllim: qi të bâhej nëpunës e të merrte një meash a ylefe prej Shtetit. Shkolla, dija, për myslimanin e Mbretnís otomane, s’kishte asnji kuptim tjetër. Myrteza Efendiu e kishte fillue karjerën e tij si praktikant në nji sekretarí gjyqi e, në 1910, kur u njoha un me tê porsa kishem krye studimet, ishte kryesekretar i gjyqit ndeshkimuer me 500 grosh në muej në Durrës. Kishte hypun nalt Myrteza Efendiu dhe kishte shpresë me u bâmë edhe gjykatës. I ri un, e i marrë (), si shumë të rij të tjerë të kohës s’eme, e nxitshem me nxânë shqipen. Për do kohë s’pat dashun të m’a prishte, më thoshte se ishte tepër i zanë me punët zyrtare e shtëpijake qi kishte, por nji ditë sigurisht s’do të rrinte pa i a hýmë edhe shqipes. Veçse nji herë, kur pa mâ qi s’po i u dajshem me përrallat e mija si më ngul sýt e më shikon nji ças të mirë pa zâ e me nji farë çudije, më thotë: “Ndëgjo këtu, djal’i im! Ti besa mir’e ke, je tue mendue për mue bash si për vete. Por ti sod me turqishten t’ânde () je tue fitue ma se njimijë grosh në muej, pra dy fijsh sa marr un. E nesër, në të daltë ajo tjetra qi ke ndër mênd (donte të thoshte Shqipníja mbë vete), je prap i sigurtë se veç do të të shtohet rroga. Kurse un, bir’i im, nga shqipja s’pres gjâ mâ, jam dyzet e kusur vjeç e kishte me m’u dashun t’a nis karrjerën t’eme edhe nji herë atje ku e kam fillue para njizetepesë vjetve. Në më gjettë ky hall më gjet e s’kam se ç’i bâj, por qi t’a kërkoj vetë, besa jo!”. Myrteza Efendiu m’i kishte premë drût shkurt, me shume elegancë e takt zotnísh, por shqip. Të tânë problemën e shqipes e të Shqipnís e kishte përmbledhun në nji pikë të vetme qi mue të marrit s’më kishte ramë ndër mênd asnji herë deri atë ças. Natyrisht heshta e i dhashë arsye, s’kishte vênd mâ me ngulë kâmbë në marrín t’eme me tê. ().

Prap në Durrës gjindej nji tjetër intelektual krutan. Ishte Hysen Efendiu, kryesekretar i doganës, qi mâ vonë, kur duel Shqipníja mbë vete, e drejtorit turk i u desh me u kthye në vênt të vet, pat zânë kâmbën e tij. Por ky mâ ishte bâmë durrsak gjithsej, me shtëpí e katandí të veten, edhe mjaft trashë madje, e si plak qi ishte s’e çante kokën veçse për volít e t’ija. Me gjithë këtê, pa dashun e pa pasë kërkue n’asnji mënyrë veçse me gjuhën e tij të prehtë, ra se ra në lak. Në 1915 e kapi Esat Pasha e e internoi bashkë me mue e tjerë n’Italí. Në Favinjana () banojshim në nji shtëpí me tê. Plak liberal e shum i âmbël, mahitar me të kënaqun. Në doganë të Durrsit, ku kishte kalue të tânë jetën e pjekun të tij e n’atë skele deti pak a shumë kozmopolite ku ai kishte hýmë në rradhë të parsís mâ të shqueme të qytetit, kishte pasun mjaft të përpjekun e të njohun edhe me të huej, sidomos italjanë e austrijakë. Të parët s’i çmonte fare, për të dytët kishte mjaft simpatí.

Qatib’ i Krujës aso kohe, kur un ishem ende kalamâ, ishte Zenel Efendi Kavaja. Ishte sekretar-arktar i kompanjís së gjindarmërís me gradë tetari. Pun’e tij ishte regjistr’i kompanjís dhe llogarit e saja. Sa për kaqë, praktika e gjatë qi kishte, e kishtë bâmë mjeshtër. Raportat e shkresat e tjera të gjindarmërís me gjerarkít, eprore, i bânte vetë komandanti, qi ishte nji oficer i përjashtëm. Me gjithë këtê Zenel Efendiu ishte gjithmonë Zenel Efendiu edhe nji nga parija e vêndit. Atje në gjindarmërí, mbas komandantit, ishte autoriteti mâ i nalti, i zoti me e influencue e me e sjellë oficerin si të donte vetë; e tue qênë se edhe komandant’i gjindarmërís ishte mâ i madhi pushtet administrativ i nënprefekturës mbas kajmekamit, ja ku rol’i Zenel Efendiut bâhej i rândsishëm në gjithë jetën zyrtare të Krujës, qytet e katunde. Çaushët, edhe ata vêndas shum’a pak me nji farë tarafi, ku as qi mund të piplojshin përpara tetarit bylyk-emin. Ky mâ tepër se ata kishte edhe kalemin në dorë e po t’i merrte për keq kalemi ishte nâma e zezë për ta! Kështu Zenel Efendiu, qi kishte edhe irád, ullîj në qytet e nja dý a tri shtëpí bujq në fushë, posë rrogës e vogëlsinash tjera qi i sillte zyra e pozita e lidhun me këtê, ishte nji ndër të parët e vêndit. Vishej vêndçe si borgjezija, por me kujdes e pastërti të madhe. Ndërsa agallarët pleq bajshin ende fistanen e gjatë me pala përmbi të lintat, xhamadanin e qëndisun prej cohe të kuqe me mângë e fesin tanuz të kuq me tufë të madhe mëndafshi të brustë, ndërsa populli përgjithsisht mbathej e vishej verës me cedille (brekushe), xhokë të zezë të qëndisun e me tufa dhe qeleshe gjakove (kapuç), e dimnit brekushet i ndërronte me çedikë, Zenel Efendiu bante ver’e dimën cedille prej nji pëlhure të bukur leshi në bojë të vet natyrale, xhokën të qepun me porosí e krejt të qëndisun për të qëndrue mbë kâmbë, jelekun bojë gjaku të ngrîmë edhe atê me bërshim, e përmbi ta pardhocen e kuqe në krye. Pardhocja ka qênë nji ksulë vetëm krutane. Në vogjlí t’eme përdorej gadi rendom prej esnafit. Mâ vonë filloi me u rrallue e erdh tue i a lëshue vêndin pak nga pak qeleshes. Përmbrênda s’ishte tjetër as ajo veçse nji qeleshe e lehtë qilindrike si e ka Matja, Dibra e Luma, por e veshun me kazmir të kuq të qepun me rreshta të zez në mënyrë qëndisjeje.

Kështu vishej Zenel Efendiu e, me folë të drejtën, kjo veshë i kishte hije sa s’ka atij trupi burri mjaft të pashëm, të gjatë e të drejtë si qiriu.

Por tipi intelektual n’e moçme e autodidakt mâ interesant në Krujë ka qênë Jahe Gjeli (Jahja Kovaçi, mâ vonë). Ishte ndoshta nja 3-4 vjet mâ i madh se un. Kur kam kalue un në ryzhdije ai kishte mbarue e hýmë praktikant në zyrën e financës së Krujës. Por vinte edhe  … si asistent vullnetar i të vetmit mësues qi kishim, i Arif Efendiut plak me çallmë, na mësonte kaligrafí e na tfillonte ndonji pjesë të vështirë të ndonji mësimi tjetër. Jahja këndonte çdo libër turqisht qi t’i binte në dorë, krejt në kundërshtim me të gjithë të tjerët qi s’dijshin se kuj i thonë këndim.Ishim shumë miq qyshse u rrita edhe un e u bâna student gjimnazi e universiteti. Qyshë ditën qi u shpall Kushtetuta turke më 1908, ai, tashmâ me nji farë rroge të mirë në zyrën e tij, qe pajtue në 2-3 gazeta të Stambollit dhe këndonte, këndonte pa i a damë. Turqishtja e tij pat mbërrîmë në nji shkallë përsosunije me i a pasun lakmí nji gjimnazist i mirë. Por Jahja për mâ tepër nxû shpejt me këndue rrjedhshëm e me shkrue mjaft mirë edhe shqip. Sa ishem student në Mylqije, në Krujë me atê e kishem korrespondencën. Edhe nânës s’eme ai i a shkruente letrat për mue. Ishim bâmë mâ si vëllazën. Por nji miqsí e vazhdueshme pa përpjeta e tatpjeta me tê ishte shum’ e vështirë për kêdo. Karakter nervoz e i përkeqtë qetash ishte gati me të dashun e lavdrue deri në qiell, edhe faqe, e nesër me të vûmë në qêzë e në taplote me të parin njeri qi të ndeshte, pak me të pasë rrëshqitun kâmba ase me i pasë prekun kund me nji gjeth trândafillje në ndonji dell qi i dhêmbte. Si nëpunës, veç, Jahja ka mbetun gjatë gjithë karrjerës së tij shêmbull ndershmënije e përpiknije. Si financier burokrat rrallë e tek e kishte ndonji shoq në Shqipní, edhe për kah ana e zotsís. Por ndërsa tjerë edhe mâ pak të zot se ai hýpshin ndër vênde të nalta të ministrís së financavet, atê as topi s’e luente prej drejtorís së Krujës. Atje donte t’a griste jetën, atje të vdiste. Mirpo qe se vêndi ka nevojë për veprën e tij në nji fushë mâ të gjânë e mâ të frytshme, e ministrija e shpërngul në nji drejtori prefekture në Durrës e në Shkodër, Jahja bân çmos për me i ikun ksaj rritjeje qi vetë e quente nji ndëshkim të padurueshëm. Sikur të kishte me se të rronte, sado keq, do t’epte atças dorhjekjen e asnji hap s’do t’a bânte për me dalë jashta Krujës së tij. Kishte gjetun nji rrugë të vetme për me provue nëse mund t’a shtrëngonte ministrín me e kthye prap në gradën mâ t’ulët që kishte atje në strofullin e vet. Qitte shqelma pa damë me ministrín e me ministrin personalisht, herë me arsye e herë pa arsye. Por kot, e njihshin mâ të gjithë e e durojshin, edhe pse e çmojshin e s’ishte lehtë me i a gjetun shoqin. Në 1944 e kam lânë ende në Shkodër. Mbrapa kush e di se në cilën kategori “reakcjonarësh” do të ketë vojt e mbarue i shkreti! [sic] /VOAL/

Në trend Kultura

Më shumë
Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

Kulture
QENTË

QENTË

Poezi
KËNGA E NATËS

KËNGA E NATËS

Përse nuk vjen

Përse nuk vjen

NATASHA

NATASHA

KUJDES ME FJALËN

KUJDES ME FJALËN

Kalo në kategori