Një qytetar nga Malisheva ka dorëzuar në Polici një portofol të gjetur në një parking, brenda të cilit kishte 2,940 euro dhe dokumente personale.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 4 gusht 2026, kur qytetari B. Krasniqi është paraqitur në Stacionin Policor në Malishevë dhe ka dorëzuar portofolin që e kishte gjetur.


Portofoli është hapur në prani të zyrtarëve policorë, ndërsa brenda tij janë gjetur paratë dhe dokumentet personale.

Pas verifikimit të dokumenteve, zyrtarët policorë kanë arritur ta identifikojnë personin të cilit i kishte humbur portofoli.

Policia ka bërë të ditur se personi është kontaktuar dhe është ftuar në stacionin policor për ta marrë portofolin e tij.

Policia e Kosovës e ka falënderuar qytetarin për, siç ka thënë, “ndershmërinë dhe bashkëpunimin e treguar”, duke e cilësuar veprimin e tij si shembull pozitiv të përgjegjësisë qytetare. /Telegrafi/