Qytetari gjen dhe dorëzon në polici telefonin e portofolin e humbur në Mitrovicë të Veriut

Policia ka njoftuar se një qytetar ka dorëzuar në stacionin policor një telefon mobil dhe një portofol të humbur, të cilat më pas i janë kthyer pronarës së tyre pas verifikimeve.
Sipas njoftimit, më 3 qershor 2026 ankuesja ka raportuar se derisa kishte qenë në rrugën “Kolashini” në Mitrovicë të Veriut, i kishin humbur telefoni mobil dhe portofoli, brenda të cilit kishte edhe një shumë të hollash.
Ndërkaq, rreth orës 18:00, në stacionin policor është paraqitur qytetari me inicialet E.R., i cili ka raportuar se telefoni dhe portofoli ishin gjetur nga babai i tij dhe se ishte udhëzuar që t’i dorëzonte në polici.
Pas verifikimeve të nevojshme, zyrtarët policorë kanë bërë kthimin e telefonit, portofolit dhe parave tek pronarja.
Policia ka falënderuar qytetarin E.R. dhe familjen e tij për veprimin, duke e cilësuar atë si të përgjegjshëm dhe shembullor, si dhe ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e qytetarëve me Policinë, që sipas saj kontribuon në rritjen e sigurisë dhe forcimin e besimit në komunitet. /Telegrafi/

































