LAJMI I FUNDIT:

Qytetarët duan paratë e Trustit: Kuvendi të miratojë sa më parë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Qytetarët duan paratë e Trustit: Kuvendi të miratojë sa më parë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, me ç’rast do të mundësohej tërheqja deri në 10 për qind e kursimeve në Fondin e Kursimeve Pensionale (Trusti).

E kjo ka mllefosur qytetarët të cilët thonë se mezi po presin që t’u mundësohet tërheqja e mjeteve në këtë krizë të shkaktuar nga pandemia COVID-19.


Në një anketim të realizuar nga KosovaPress shumica e qytetarëve shprehen pro tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

Haki Krasniqi njëri nga qytetarët mendon se popullit duhet t’i dilet në ndihmë sadopak nga dikush, pasi që vlerëson se gjendja ekonomike është e rënduar.

“Mendoj që është mirë se populli është aq në krizë që qytetarët po presin sado pak një ndihmë prej ku do qoftë se ato para janë të tyre, me përkrah e përkrahi. Ka pas nevojë moti që të miratohet ligji dhe populli t’i marrë ato para. Vetëm unë sa njoh njerëz që janë duke i pritë me padurim”, tha Krasniqi.

Qytetari Ismet Pacolli thotë se tërheqja e një pjese të mjeteve të trustit është ide e mirë, pasi që do të zbuste sadopak gjendjen ekonomike.

“E përkrahi, po nëse e miraton kuvendi kish me qenë mirë se është edhe ndihmës në këtë krizë pandemie”, tha Pacolli.

Xhevdet Kumnova mendon se gjendja e krijuar është emergjente dhe në raste të tilla qytetarët kanë shumë nevojë për të holla të cilat do të ndihmonin sado pak në përmirësimin e gjendjes ekonomike.

“Njerëzit kanë nevojë për të holla, gjendje emergjente tash nuk po di pasi nuk jam edhe vet kompetent nuk di edhe çka me shtua. 90 për qind e popullatës kanë nevoje për të holla faktikisht mirë kish me qenë”, deklaroi Kumnova.

Ndërsa qytetari tjetër Sabri Hasani i ardhur nga Zvicra thotë se në Kosovë nga trusti mund të përfitojnë vetëm kompanitë e mëdha.

Ai bën një krahasim të gjendjes së trustit në Kosovë me atë në Zvicër.

“Ajo është sasi shumë e vogël tash sa ka llogari të nxirren 100 ose 105, 110 euro nuk e di sa mundet t’iu ndihmojnë, mirëpo sa është qëllimi për kompanitë e mëdha që kanë profit shumë atëherë me siguri atyre mundet me t’iu ndihmojë në bazë të situatës momentale ma merr mendja që ideja është e mirë por duhet me shikuar kush sa mundet dhe kush sa ka mundësi mi tërheq. Në Zvicër për shembull, çdo gjë që e ki në Trust ecin parat në qoftë se i kam pas një sasi të parave vitin e ardhshëm është më i madh, unë e di vëllan e kam këtu edhe këtu zbresin të hollat”, u shpreh ai

Të premten, Kuvendi dështoi të miratoi Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, ndërsa ministrja Hykmete Bajrami tha se do të provojë përsëri të marrë votat e deputetëve për këtë ligj. /Telegrafi/