Qeveria e Kosovës planifikon të shpërblejë me 84 milionë euro Kompaninë ‘Limak’ në një proces jotransparent e favorizues për një kompani private e në dëm të interesit publik.
Javën e kaluar u bë publikimi i Kontratës për zgjatjen e pistës së Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës si dhe u publikua edhe raporti i analizës për këtë kontratë. Përmbledhja e gjetjeve nga ky raport del mjaft shqetësuese dhe lë shumë pikëpyetje. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Qeveria do t’ia falë ‘Limak’-ut 84 milionë euro.
Më datë 4 gusht të vitit të kaluar, afërsisht një muaj para dorëzimit të mandatit, Qeveria në dorëheqje përmes Ministrisë së Infrastrukturës, kishte vendosur që ta shpërblejë koncesionarin e Aeroportit, ‘Limak Kosovo International Airport JSC’ (Limak), me një kontratë me vlerë 33.6 milionë euro. Kontrata parashihte që pista e Aeroportit të zgjatej për 500 metra shtesë si dhe të bliheshin edhe disa pajisje që nevojiten për sistemin e aterrimit dhe radiokomunikimit.
Problemi qëndron te fakti që kjo kontratë me vlerë kaq të madhe ishte bërë pa shpallur fare tender, por vetëm me procedurë të negociuar. Andaj edhe gjithçka rreth kësaj kontrate ishte mbajtur larg syve të publikut dhe medieve. Që nga nisma nga ana e Ministrisë që parashtronte zgjatjen e pistës si problem që kërkon zgjidhje, e deri te nënshkrimi i kontratës, publiku është mbajtur në terr. Përjashtim bëjnë vetëm disa raste sporadike kur ministrat në detyrë kanë përmendur projektin shkarazi.
I shtyrë nga kjo mungesë totale e transparencës, e mora për obligim që ta gjeja këtë kontratë dhe ta analizoja se çfarë përmbante, e për më tepër të gjeja edhe arsyen se pse kjo punë po mbahej në sekret të plotë – kontrata, megjithëse nuk kishte ndonjë klauzolë të sekretit afarist, vazhdonte të mos publikohej nga Ministria e Infrastrukturës.
Kontratën mu desh ta siguroja në mënyrë jozyrtare dhe nga ajo çfarë pashë në të e kuptova edhe arsyen pse po mbahej e papublikuar.
Ministria e Infrastrukturës kishte nënshkruar një kontratë, e cila obligonte Ministrinë të investonte në një biznes privat, atë të ‘Limak’-ut, e madje të mos kishte as kontroll se kë e përzgjedhë për punëkryerje. Me fjalë tjera, Ministria dhe ‘Limak’-u ishin pajtuar që ‘Limak’-u të investonte rreth 34 milionë euro në rritjen e kapaciteteve të biznesit të vet, kurse Ministrisë do t’ia dërgonte faturën për ta paguar.
Ministria e Infrastrukturës fillimisht kishte tentuar që këtë investim ta bëjë në kuadër të kontratës bazë të koncesionimit, asaj të vitit 2010. Mirëpo kishte hasur në problem sepse Ligji për Prokurim Publik e lejonte që punët shtesë mund të kryheshin vetëm deri në masën 10% të vlerës së kontratës bazë. E shifra prej 34 milionë eurove e tejkalonte dukshëm këtë kufi.
Por meqenëse Ministria e Infrastrukturës ishte e palëkundur në synimin e saj për të investuar në biznesin e ‘Limak’-ut, pengesat ligjore nuk vlenin, sepse siç ka thënë një herë kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci: “ligji është si llastiku”. Andaj edhe kishin vendosur të shkonin me një alternativë tjetër – atë të kontrabandimit të këtij projekti si punë publike.
E tërë kjo ishte bërë pa kurrfarë analize financiare dhe vetëm mbi bazën e një klauzole në Kontratën e Koncesionimit të vitit 2010, ku thuhej se ‘Limak’ kishte të drejta ekskluzive për sa i përket kryerjes së punëve në Aeroport.
Mirëpo, kjo e drejtë e ‘Limak’ në këtë rast nuk është asgjë më shumë sesa të drejtat e zakonshme që një pronar gëzon mbi biznesin e vet. Te secili biznes që shkon, pronari vendos se çka investohet dhe kush i kryen punët. E njëjta është edhe për Aeroportin.
Prandaj, përfundimi i vetëm që mund të arrihej nga analizimi i kontratës ishte se me të në fakt Ministria e Infrastrukturës po subvenciononte një kompani private, ‘Limak’-un, por pa përfillur procedurat e parapara për subvencionim.
Kjo kontratë është në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, sepse paraja publike po investohet në biznes privat, si dhe është po ashtu në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, sepse edhe po të ishte investim në të mirë të publikut, kontraktimi është bërë pa tender.
Deri këtu, të bëmat mund t’i faturohen Qeverisë së kaluar.
Tani në vend që Qeveria aktuale të ndalojë zbatimin e një kontrate që është në kundërshtim me ligjin, kanë vendosur që keqpërdorimin e parasë publike ta amplifikojnë edhe më tej.
Sipas një deklarate të ministrit Lekaj, të bërë në emisionin Puls më 17 shtator të këtij viti, vërehet se Qeveria aktuale synon që koston e kësaj kontrate të mos ia paguajë Limak-ut nga buxheti, por në vend të saj të bëjë marrëveshje kompensimi ashtu që ‘Limak’-u e bart koston e investimit, kurse Qeveria në kompensim të kostos heq dorë nga të hyrat e taksës koncesionare për 5 vitet e ardhshme. Për ata që nuk e dinë, taksa koncesionare është pagesa që Limak-u ia bën Qeverisë në emër të shfrytëzimit të Aeroportit.
Përkthyer në numra, të hyrat nga kjo taksë për 5 vitet e ardhshme (2019-2023), do të jenë rreth 84 milionë euro, nën supozimin që numri i udhëtarëve vazhdon me këtë trend, kur edhe të hiqen vizat.
Kjo nënkupton që në emër të kësaj kontrate, Qeveria po planifikon t’i falë kompanisë ‘Limak’ rreth 84 milionë euro. Me fjalë tjera, një projekt që sipas Ministrisë së Infrastrukturës ishte nisur me qëllim rritjen e të hyrave, lëre që nuk po i rrit të hyrat e shtetit, por paradoksalisht po i shkakton buxhetit humbje shumëfish më të mëdha sesa vetë kostoja e projektit.
Po të mos ishte kostoja kaq e lartë për vendin, kjo do të ishte mjaft komike. Sepse është rasti i dytë që na ndodhë këtë vit, pas atij me 53 milionëshin e Bechtel&Enka-s, ku Qeveria e kaluar bën një marrëveshje në dëm të buxhetit dhe kjo aktualja në vend se ta ndalojë dëmin e rrit edhe për dhjetëra miliona tjera. Për më tepër, të dyja rastet po ndodhin në të njëjtën Ministri, atë të Infrastrukturës.
Dallimi është se kësaj here, dëmtimi i buxhetit ka mundësi të ndalet. Krejt çka duhet është që kjo kontratë të shpallet e pavlefshme për shkak se është në kundërshtim me ligjet në fuqi, si dhe të ndërpritet çfarëdo ndryshimi në dinamikën e pagesës së taksës koncesionare. Nëse ‘Limak’-u e sheh të nevojshme zgjatjen e pistës, atë mund ta bëjë me paratë e veta, ashtu siç e parasheh Kontrata e Koncesionimit, e jo me para të taksapaguesve. /BIRN/
(Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK-së)
Speciale Kriza në Ukrainë
Më shumëNga Rubrika

Të rejat nga Ermal Mamaqi: Cili është projekti i tij i radhës?

Djegia e objektit të ELKOS Center, Kelmendi: Biznesi ka qenë i siguruar – sipas kontratës kompensimi është 90 për qind

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë vizitoi kompaninë ELKOS Group, pas incidentit me zjarr

Kosova ka thëngjill me bollëk, por importon nga jashtë

Punime për siguri në rrjet, KEDS tregon vendet ku do të ketë ndërprerje të rrymës të premten

Gjermania miraton Projektligjin që lejon ardhjen e 50 mijë punëtorëve në vit nga Ballkani, këto janë lehtësimet për t'u pajisur me vizë

WSJ: Ekonomia ruse drejt kolapsit, lufta dobësoi të ardhurat dhe frenoi investimet

Hoti ironizon me Muratin pas shtrenjtimit të energjisë elektrike: Me rëndësi ministrit po i tepron buxheti

ZRRE tregon tre faktorët që ndikuan në ngritjen e çmimit të energjisë elektrike

Kjo është lagjja e kryeqytetit në të cilën duhet të posedoni një banesë

Kjo banesë është zgjedhja më e mirë për ju #176

A po kërkoni të tërheqni një audiencë të gjerë ose të krijoni një qendër të re aktiviteti në Pejë? Ky vend është ideal

Brezovica – një parajsë në viset malore për vilën tuaj të ëndrrave

Ideale për të gjitha llojet e bizneseve – këto lokale në Lakrishtë janë vendi për startin e biznesit tuaj

Nga brendi Nike dhe të dizajnuara për futboll këto atlete janë perfekte për fëmijët që luajnë profesionalisht

A jeni tip sportiv? Atëherë kjo trenerkë e sipërme duhet të jetë zgjedhja juaj e radhës

Shfrytëzoni zbritjen e fundit për veshmbathje të dimrit – çmimet më të konvenueshme fillojnë me pranverë

Elegant në çdo prekje – ky kostum gri kombinohet në mënyrë perfekte me kravatë të kuqe

Këto janë atletet perfekte për në fushën e basketbollit
Më të lexuarat

Arrestohet shoferi i BMW-së që u bë viral në internet - policia thotë se i figurojnë 225 gjoba në trafik

Fotografi në vende të njëjta në periudhë të njëjtë kohore – rikthehen aludimet për lidhjen e mohuar të Kiarës me djalin e biznesmenit të njohur shqiptar

Sa janë përfitimet e deritanishme në karrierën e Modric

Lista me trajnerët më të paguar në botë, fituesi i shumëfishtë i Ligës së Kampionëve është i shtati

Vuçiq paralajmëroi vizitën në Kosovë, Kurti: Natyrisht se nuk do t’i jap leje, është i padëshiruar

Motra e Luizit zbulon se ka folur me Kiarën pas eliminimit të saj nga Big Brother VIP Albania?