Qeveria promovon restaurimin e shtëpisë tradicionale në Qendrën Historike të Prizrenit

Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë promovuar punët restauruese në njërën nga shtëpitë tradicionale në rrugën “Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka publikuar fotografitë para dhe pas restaurimit të kësaj shtëpie.
“Si e gjetëm dhe si është sot. Një nga shtëpitë tradicionale në rrugën Marin Barleti, në Qendrën Historike të Prizrenit”, ka shkruar ai në rrjetet sociale, raporton Telegrafi.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vlerësuar se ky është vetëm një shembull i transformimit që është bërë në trashëgimi kulturore.
“Qindra monumente të restauruara dhe në proces, si dhe shumë të tjera në pritje të nisjes së punimeve. Me kujdes për historinë e identitetin tonë, për turizmin e ekonominë tonë”, është shprehur Kurti.
Në fund të vitit 2022, Zyra e BE-së në Kosovë, MKRS-ja, Komuna e Prizrenit dhe Fondacioni Lumbardhi patën nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për projektin "Revitalizimi i rrugës 'Marin Barleti' dhe kinemasë Lumbardhi në Prizren".
Ky projekt ishte paraparë të realizohej në kuadër të programit IPA të Bashkimit Evropian.
Por disa muaj më parë, Fondacioni Lumbardhi pat njoftuar se projekti i restaurimit të kinemasë është anuluar shkaku i masave të BE-së ndaj Kosovës.
"Pas dy procedurave të pasuksesshme të prokurimit nga ana e Zyrës së Bashkimit Evropian, në fillim të tetorit kemi marrë njoftimin zhgënjyes që projekti në fjalë është anuluar “për shkak të masave të BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës””, thuhej në njoftimin e Lumbardhit, raporton Telegrafi.
Megjithatë përkundër anulimit nga Zyra e BE-së, MKRS-ja dhe Komuna e Prizrenit kanë vijuar realizimin e punimeve të marra përsipër me këtë projekt në rrugën 'Marin Barleti' dhe në kinemanë Lumbardhi.
Madje MKRS-ja ka marrë përsipër edhe restaurimin e Kinemasë Lumbardhi. /Telegrafi/




















































