Qeveria procedon për në Kuvend buxhetin e vitit 2026 me vlerë rreth 4 miliardë euro

Në mbledhjen e parë të Qeverisë Kurti 3, është marrë vendimi që të procedohet në Kuvend Projektligji i buxhetit për vitin 2026, i cili vitin e kaluar nuk mundi të miratohej për shkak të afateve ligjore dhe ndryshimeve politike.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vlera e buxhetit është 4 miliardë euro.
“Sot po e riprocedojmë në Kuvend Projektligjin për buxhetin e vitit 2026, i cili ishte miratuar në mbledhjen e 31 tetorit të vitit të kaluar. Ky buxhet arrin vlerën prej 4 miliardë eurosh, ndërsa për komunat e Kosovës janë parashikuar 867 milionë euro”, tha Kurti.
Ai gjithashtu theksoi se buxheti përmban pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, e cila do të paguhet sapo buxheti të hyjë në fuqi.
“Buxheti përmban gjithashtu fondet që mundësojnë rritjen e shtesës për 15 vitet e para të përvojës së punës për të gjithë punonjësit e sektorit publik”, shtoi kryeministri.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se projektligji parashikon një buxhet prej rreth 4 miliardë euro, ku 3.64 miliardë euro sigurohen nga të hyrat buxhetore, ndërsa pjesa tjetër financohet përmes huamarrjes dhe metodave të tjera përmes deficitit.
“Siç e sqaruam, ky projektligj ishte proceduar vitin e kaluar dhe për shkak të pamundësisë për t’u miratuar në Kuvend, po e riprocedojmë edhe një herë. Marrim parasysh ndryshimin e qeverisë dhe mund të ketë nevojë për rishikim, por është urgjente që të kemi buxhet të miratuar sa më shpejt për funksionimin e shtetit”, tha Murati.
Ministri gjithashtu propozoi që Kuvendi të marrë në konsideratë zgjatjen e afatit për muajin mars, për shkak të pagesave të pensioneve që duhet të realizohen këtë javë, duke shprehur shpresën se kjo kërkesë do të miratohet.
Projektligji është miratuar nga Qeveria dhe tashmë do të procedohet në Kuvend për shqyrtim dhe miratim final. /Telegrafi/



















































