Qeveria miraton kredinë 2.5 milionëshe për RTK-në

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 2.5 milionë euro për Radio Televizionin e Kosovës, me qëllim sigurimin e likuiditetit të transmetuesit publik. Vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten.
RTK po përballet me krizë financiare, pasi punonjësit kanë mbetur pa paga për shkak të mungesës së rialokimit të buxhetit për gjysmën e dytë të vitit, pas moskonstituimit të Kuvendit. Punëtorët kanë protestuar dhe paralajmëruar grevë e mosraportim të ngjarjeve nëse situata nuk zgjidhet shpejt.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe këto vendime:
Miratimin e kërkesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për ndarje të mjeteve financiare në shumën 24,236.29 euro dhe shtimin e 10 pozitave të reja;
Miratimin e kërkesës së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për transfer të mjeteve buxhetore në shumën 2,300,000 euro për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese;
Miratimin e kërkesës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në shumën 489,932.72 euro për Ndërmarrjen Shoqërore PRN046 “FAN Zahir Pajaziti”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë në detyrë përmes të cilit miratoi në parim kërkesën e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për huamarrje deri në 2,540,000 euro.
Sipas AGK-së, nëpërmjet këtij vendimi mundësohet funksionimi në së paku 3 muajt e ardhshëm për RTK-në, dhe ekzekutimi i pagave për 700 punonjësit e saj.
“AGK-ja ka qëndruar pranë gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të RTK-së që prej fillimit dhe i përgëzon ata për kryerjen e detyrave me gjithë presionin financiar. AGK-ja e fton Qeverinë në detyrë të Kosovës, dhe partinë politike që e udhëheq atë, Vetëvendosje që të ndalojë presionin e vazhdueshëm politik ndaj RTK-së, të ushtruar në forma të ndryshme.” – thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK po ashtu bën thirrje që legjislatura e re të miratojë një Ligj të ri për Transmetuesin Publik, që do të garantonte funksionimin e pavarur e të papenguar të RTK-së, duke përfshirë edhe gjetjen e zgjidhjes për pronën.


















































