LAJMI I FUNDIT:

Qeveria merr vendim për strehimin e afganëve në Kosovë

Qeveria merr vendim për strehimin e afganëve në Kosovë
Arkiv

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për strehimin e menjëhershëm të refugjatëve afganë në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur Sveçla përmes një postimi në Facebook, duke thënë se ky vendim “nisur përveç nga fryma e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është njëherësh edhe një përpjekje e Republikës së Kosovës të ofrojë ndihmën e saj duke respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare për ofrim të ndihmës kategorisë së personave të cilët gjenden apo mund të gjenden në rrezik, u janë shkelur të drejtat themelore për arsye të luftës dhe konfliktit në Afganistan”.


“Pamjet që po shohim sot, jo shumë kohë më parë ishin pamjet që i kemi jetuar vetë dhe mbrojtja që kemi propozuar të ofrojmë sot, është prezantuar dhe zbatuar si koncept pikërisht për ekzodin e refugjatëve kosovarë në vitet e 90’ për t’i dalë në ndihmë Kosovës, e cila sot ka vullnetin ta kthejë këtë të mirë”, shkruan Sveçla.

Tutje ai shtoi se, “Ky vendim, i hap rrugë kësaj kategorie për një vend ku do të qëndrojnë përkohësisht, të sigurt, të gëzojnë të gjitha të drejtat themelore sipas legjislacionit tonë si dhe përkrahjen institucionale deri në krijimin e një zgjidhjeje afatgjate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Kjo përpjekje për të shpëtuar jetë, është detyrim moral i vendit tonë, dhe parim njerëzor të cilit po i jepet karakter institucional si dhe është bashkëpunim i pandërprerë me shtetin amerikan, si aleat në këtë proces dhe në të gjitha proceset e rëndësishme të zhvilluara në Kosovë”, shkruan Sveçla.

Ndërkaq, sipas komunikatës për medie, “Qeveria e vlerëson të nevojshëm ofrimin e mbrojtjes së përkohshme e të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar mbledhje korresponduese, në të cilën ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visas (Vizave të Veçanta Imigruese) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”, thuhet në komunikatë.

Tutje, është bërë e ditur që këta persona do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Republikën e Kosovës, në rast të nevojës e në qëllim të sigurisë kombëtare, sipas vlerësimit të institucioneve relevante në Republikën e Kosovës.

“Personat nën mbrojtje sipas vendimit të Qeverisë, gjatë kohës së qëndrimit në Republikën e Kosovës do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara sipas Ligjit për Azil”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.  /Telegrafi/