LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Lukashenkos arreston gazetarin bjellorus Raman Pratasevich – kishte raportuar për protestat e opozitës

Qeveria e Lukashenkos arreston gazetarin bjellorus Raman Pratasevich – kishte raportuar për protestat e opozitës

Një gazetar bjellorus i cili kërkohet nga qeveria e Aleksandar Lukashenkos u arrestua pasi aeroplani me të cilën po udhëtonte bëri një ulje të paplanifikuar në Minsk më 23 maj, pas asaj që duket se ishte një kërcënim i rremë bombe.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Raman Pratasevich u mor nga policia menjëherë pasi fluturimi Ryanair, i cili ishte në një itinerar të planifikuar nga Athina në Vilnius të Lituanisë, zbarkoi në kryeqytetin bjellorus.


Asnjë detaj i mëtejshëm nuk u bë i ditur menjëherë. Ishte e paqartë se kush e kishte raportuar kërcënimin për bombë.

Pratasevich ishte një administrator kryesor i kanalit Telegram NEXTA-Live, i cili ka qenë duke mbuluar protestat që shpërthyen në Bjellorusi për shkak të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.

Në muajin nëntor, autoritetet bjelloruse njoftuan se Pratasevich së bashku me Stsyapan Putsila – gjithashtu një administrator i NEXTA Live – po hetoheshin për dyshime për organizimin e çrregullimit masiv, prishjen e rendit shoqërore dhe nxitjen e urrejtjes shoqërore.

Bjellorusia është vërshuar nga protestat që kur Lukashenko, në pushtet që nga viti 1994, u shpall fitues i zgjedhjeve mes akuzave për manipulim të votave.

Që nga ajo kohë, më shumë se 30 mijë njerëz janë arrestuar, qindra janë rrahur ose torturuar, dhe gazetarët kanë qenë në cak të regjimit të Lukashenkos, qeveria e së cilës është goditur nga sanksionet e vendeve perëndimore. /Telegrafi/