LAJMI I FUNDIT:

Qeveria i drejtohet me letër Dioqezës Rashkë-Prizren për restaurimin e Manastirit të Banjskës

Qeveria i drejtohet me letër Dioqezës Rashkë-Prizren për restaurimin e Manastirit të Banjskës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka publikuar të premten shkresën zyrtare të cilën ia ka dërguar Dioqezës Rashkë-Prizren dhe peshkopit Teodosije, për t’i kërkuar bashkërendim të veprimeve për restaurimin e Manastirit të Banjskës.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë konkretizohet zotimi i dhënë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të datës 27 shtator 2023 për sanimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës në Zveçan, të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator.


“Konform detyrimeve, autorizimeve kushtetuese dhe ligjore ftojmë autoritetet e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për bashkërendim të veprimeve deri në ndërhyrjet e nevojshme restauruese për sanimin e dëmeve në këtë aset të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë./Telegrafi/