LAJMI I FUNDIT:

Qemajl Mustafa dhe të akuzuarit tjerë lirohen nga akuzat për korrupsion me tenderë dhe krim të organizuar

Qemajl Mustafa dhe të akuzuarit tjerë lirohen nga akuzat për korrupsion me tenderë dhe krim të organizuar
Foto: Arkiv

Gjykata Themelore në Pejë, ka shqiptuar aktgjykim lirues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 35 të pandehurve tjerë, të cilët akuzoheshin për korrupsion me tenderë në Komunën e Gjilanit në bashkëpunim me operatorët ekonomik.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.


Sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, provat e nxjerra, respektivisht përgjimet e nxjerra në bazë të urdhëresës së Gjykatës së Qarkut, ishin nxjerrë në kundërshtim me ligjin dhe se mungonte kërkesa e prokurorisë për lëshimin e urdhëresës për masat e fshehta të përgjimit.

E njëjta shtoi se zbatimi i masës së fshehtë pa kërkesë të prokurorisë, është i paligjshëm. Kurse, tha se provat e mbetura pa përgjime, nuk i formojnë elementet e veprës penale.

Tutje, gjykatësja tha se Prokuroria Speciale nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale.

Ndryshe, më 6 dhjetor 2021, kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka- Mekaj në ditën e shpalljes së aktgjykimit, e kishte bërë rihapjen e kësaj çështje gjyqësore. Kurse më 1 dhjetor 2021, palët kishin dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

Aktakuzën në këtë rast e ka përfaqësuar prokurori Agron Bajrami, mirëpo me avancimin e të njëjtit në Prokurorinë e Apelit, kjo lëndë i është ndarë në punë prokurorit Burim Çerkini.

Ky rast fillimisht gjykohej nga trupi gjykues i udhëhequr nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, mirëpo pas pensionimit të tij, gjykatëse e rastit është caktuar Nushe Kuka-Mekaj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në Komunën e Gjilanit janë bërë dallavere me 18 tenderë, për çka ngarkoheshin ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 26 zyrtarë tjerë komunal dhe 9 operator ekonomik.

PSRK pretendonte se të akuzuarit kanë bërë kurdisjen e tenderëve, me qëllim që ato t’i fitojnë disa biznese të caktuara.

Në këtë rast, PSRK ngarkonte të akuzuarit me veprat penale të krimit të organizuar lidhur me veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare si dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

Në këtë rast, fillimisht kanë qenë të akuzuar 39 të pandehur, prej të cilëve 29 kanë qenë zyrtar komunal dhe 10 operator ekonomik, mirëpo ky numër është ulur në 36 pasi është pushuar procedura për të akuzuarit Heset Mahmuti dhe Behar Mehmetit kurse ndaj Burim Govorit është veçuar procedura.

Gjykata e Apelit, në shkurt të vitit 2019, kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin e ish-kryetarit të Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 39 të akuzuarve tjerë, duke vendosur kështu që të njëjtit të gjykohen për veprat për të cilat akuzohen.