Putin foli në prag të takimit historik në Alaska

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndërmarrin masa për të ndalur luftën në Ukrainë, gjatë një takimi me zyrtarët më të lartë rusë, në prag të samitit që do të mbahet të premten në Alaskë me presidentin amerikan, Donald Trump.
Para udhëtimit për në Alaskë, Putin kryesoi një takim ku morën pjesë anëtarët e ekipit negociator që do ta shoqërojë në samit, përfshirë ministrin e jashtëm Sergey Lavrov, me qëllim që t’i informonte për "rrjedhën e procesit të negociatave mbi krizën në Ukrainë".
"Administrata aktuale amerikane… po bën, sipas mendimit tim, përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta për të ndalur armiqësitë, për të zgjidhur krizën dhe për të arritur marrëveshje që janë në interes të të gjitha palëve të përfshira në këtë konflikt", tha Putin, raporton skynews.
Sipas tij, paqja do të forcohet mes Rusisë dhe SHBA-së – si dhe në botë në përgjithësi – nëse të dyja vendet arrijnë marrëveshje në fushën e kontrollit të armëve bërthamore.
Putin theksoi se marrëveshjet për Ukrainën duhet të krijojnë kushte afatgjata për paqen mes dy vendeve dhe në Evropë.
“Dhe në botën në tërësi, nëse arrijmë marrëveshje në fushën e kontrollit strategjik të armëve ofensive në fazat e ardhshme të negociatave,” shtoi ai.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/


















































