Kryetari i Sindikatës së “Trafikut Urban”, Ilmi Gashi, ka deklaruar se punëtorët janë të gatshëm të rikthehen në punë që sot, nëse Komuna e Prishtinës jep një përgjigje pozitive për zgjidhjen e situatës financiare që ka paralizuar ndërmarrjen.

Para mediave, pak para takimit me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, Gashi theksoi se punëtorët nuk kanë marrë paga prej dy muajsh, ndërsa borxhet e kompanisë ndaj furnitorëve kanë arritur shifrën prej mbi 1.6 milionë eurosh.


Ai nënvizoi se kriza nuk ka karakter politik, por lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën e ndërmarrjes dhe aftësinë e saj për të vazhduar operimin.

“Me keqardhje i drejtohem qytetarëve të Prishtinës. Kërkojmë falje për situatën ku ndodhemi, por ajo nuk është rezultat i vullnetit tonë. Trafikut Urban i mungojnë një milion euro vetëm për karburantin, dy paga nuk janë dhënë ende. Komuna i ka borxh ndërmarrjes tre milionë euro, ndërsa ne u kemi furnitorëve tanë 1.6 milionë. Nuk kemi mjete për të punuar, nuk kemi paga. Kjo nuk është çështje politike, por çështje mbijetese për Trafikun Urban”, u shpreh Gashi, raporton Telegrafi.

Ai shtoi se sindikata pret takim me kryetarin Rama për të gjetur një zgjidhje urgjente. “Nëse komuna përgjigjet pozitivisht, greva ndërpritet sot dhe puna mund të fillojë në orën 10:00 ose 11:00. Nëse jo, greva do të vazhdojë.”

Ndërkohë, kryetari Përparim Rama ka kërkuar takim urgjent me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të adresuar bllokimin e fondeve që ka çuar në këtë krizë. /Telegrafi/