LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e Postës ende nuk i kanë marrë pagat

Punëtorët e Postës ende nuk i kanë marrë pagat

Punëtorët e Postës së Kosovës, për shkak të gjendjes së vështirë financiare, ende nuk i kanë marrë pagat për muajin shkurt.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, Etrit Hoti ka konfirmuar për Telegrafin se ende nuk i kanë marrë pagat e muajit shkurt.

“Kanë kaluar katër ditë nga fillimi i muajit dhe punëtorët e Postës së Kosovës nuk i kanë marrë pagat për muajin shkurt. Mirëpo të martën është afati i fundit kontraktual për ekzekutimin e pagave”, tha Hoti.

Ndryshe, të enjten Posta e Kosovës, ka njoftuar se ndodhet në situatë shumë të vështirë financiare për shkak të borxheve të papaguara nga Telekomi dhe Qeveria e Kosovës.

“Për më tepër, nëse nuk tejkalohet kjo gjendje, Posta së shpejti do të përballet edhe me paralizim total të funksionimit, përkatësisht pamundësisë së ofrimit të çfarëdo shërbimi. Telekomi i ka borxh Postës së Kosovës rreth gjysmë milioni euro për qiranë e objekteve dhe shërbimet që Posta i kryen për Telekomin”, ka njoftuar Posta e Kosovës.

Vetëm borxhet e Qeverisë ndaj Postës kapin shumën prej mbi 5 milionë euro, për mbulimin e humbjeve nga shërbimi universal postar. /Telegrafi/