Presidenti i shkarkuar katalanas, Carles Puigdemont pranon se është i gatshëm për një marrëdhënie të re me Spanjën.

Në një intervistë për shtypin belg, ish lideri deklaroi se pavarësia e Katalonisë dhe shkëputja e saj nga Spanja nuk është e vetmja zgjidhje për të shuar konfliktin.


Me tone të zbutura, Puigdemont tha se mund të nevojiten bisedime të mëtejshme dhe një marrëveshje e re me qeverinë spanjolle.

Ai tha se është i gatshëm të pranojë realitetin e një marrëdhënieje të re edhe pse ka vite që punon fort për pavarësinë e Katalonjës.

Ish-presidenti rajonal, fajësoi ish kryeministrin spanjoll Jose Anzar, për përkeqësimin e marrëdhënieve mes Katalonisë dhe Spanjës.

Puigdemont aktualisht ndodhet në Bruksel dhe i është lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, mbi të cilin rëndojnë akuzat për rebelim dhe përçarje.

Ndërkohë që Puigdemont ka zbutur qëndrimin e tij, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy i bëri thirrje katalanasve në ditë më parë, që të votojnë në zgjedhjet rajonale të 21 dhjetorit për të normalizuar situatën.

Në vizitën e tij të parë në Barcelonë, që kur parlamenti spanjoll vendosi sundimin direkt në Katalonjë dhe shkarkimin e zyrtarëve rajonalë, Rajoy propagandoi për partinë e tij dhe kandidatin Xavier Garcia Albiol duke i bërë thirrje popullit rajonal katalanas të votojnë kundër përçarjes dhe ideve separatiste. /Oranews.tv/