Një senator republikan i është bashkuar zërit në rritje që kërkon publikimin e dokumenteve të pedofilit të ndjerë, Jeffrey Epstein.

“Publikoni ato dokumente të mallkuara”, tha senatori Thom Tillis gjatë një ngjarje të Axios, raporton skynews.


“Premtimi për publikimin e dokumenteve gjatë fushatës ose u ekzagjerua, ose është diçka vërtet shqetësuese, dhe kjo është arsye edhe më bindëse për t’i publikuar”, shtoi ai.

Dokumentet e Epsteinit janë bërë problem për presidentin amerikan, Donald Trump, duke krijuar një ndarje rrallë mes liderit amerikan dhe bazës së tij zakonisht shumë besnike.

Gjatë fushatës, Trump ishte mbështetësi kryesorë i idesë që ekzistonte një listë klientësh të Jeffrey Epsteinit me njerëz që dyshohej se kishin marrë shërbime seksuale nga të miturit.

Epstein, 66 vjeç, u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg federal në Manhattan, New York në gusht të vitit 2019, teksa po priste gjykimin për akuza të trafikut seksual. Vdekja e tij u klasifikua si vetëvrasje.

Ndryshe, Kongresi amerikan ka shkuar në pushim më herët se zakonisht për të shmangur votimin për zbardhjen e informacionit rreth Epsteinit. /Telegrafi/