eksperti-banner

Në një seri e-mailësh të publikuar së fundmi, është zbuluar se agjentë dhe skautë të industrisë së modës për vite me radhë i prezantonin financierit të diskredituar dhe të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, vajza të reja, duke i përshkruar në mesazhe madje si “dhurata”.

Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, të analizuara nga CNN, hedhin dritë mbi lidhjet e thella midis Epsteinit dhe figurave të rëndësishme të botës së modës.


Sipas dokumenteve, Epstein siguronte para, lidhje profesionale dhe ndihmë për viza amerikane, ndërsa disa njerëz të industrisë së modës i mundësonin kontakt me vajza të reja të huaja, shumë prej të cilave më vonë pretenduan se ishin abuzuar seksualisht prej tij.

Në korrespondencën e zbuluar, një skaut përmendte një “franceze të ëmbël” që “do të ishte e lumtur ta takonte”, ndërsa një tjetër fliste për modele 16 dhe 17-vjeçare nga Skandinavia, duke thënë se ato “do të jenë gati vitin e ardhshëm”.

Në një mesazh tjetër shkruhej “ajo është dhurata që kisha planifikuar të të bëja”.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se disa figura të industrisë së modës vazhduan të bashkëpunonin me Epsteinin edhe pas dënimit të tij në vitin 2008 për krime seksuale, duke e ftuar në ngjarje mode dhe duke zhvilluar projekte biznesi me të.

Mes personave të përmendur në çështje ishte edhe agjenti francez i modës Jean-Luc Brunel, i cili u arrestua nën akuza për përdhunim të të miturave dhe kreu vetëvrasje në një burg në Paris në vitin 2022.

Një ish-modele ruse, Svetlana Pozhidaeva, deklaroi për CNN se ishte prezantuar me Epsteinin nga një skaut mode me premtimin për ta ndihmuar në karrierën e saj në New York. Në vend të kësaj, ajo pretendon se përfundoi si asistente personale e tij dhe përjetoi vite abuzimi. /Telegrafi/