PSG fillon mbrojtjen e titullit me fitore spektakolare ndaj Atalantas
Paris Saint-Germain e nisi me stil fushatën e re në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Atalantan me rezultat të thellë 4-0 në “Parc des Princes”, në një ndeshje ku kampionët në fuqi treguan forcën dhe ambicien për të mbrojtur kurorën evropiane.
Që në minutat e para, parisienët e vendosën ritmin e lojës. Pas vetëm tre minutash, Fabian Ruiz organizoi një aksion të shpejtë dhe topi përfundoi te kapiteni Marquinhos, i cili me një goditje të devijuar shënoi golin e parë të takimit, duke e dërguar PSG-në në epërsi (1-0).

Atalanta u mundua të reagonte, por në minutën e 39-të, magjia e Khvicha Kvaratskhelias vulosi momentin e ndeshjes. Sulmuesi gjeorgjian, me një goditje të fuqishme nga skaji i zonës, mposhti portierin Marco Carnesecchi dhe dyfishoi rezultatin (2-0).
Vetëm pak çaste para pushimit, PSG pati mundësinë ta thellonte epërsinë, pasi arbitri akordoi penallti pas konsultimit me VAR. Megjithatë, Bradley Barcola nuk arriti ta shfrytëzonte këtë mundësi, pasi Carnesecchi u shfaq vendimtar me një pritje të shkëlqyer, duke mbajtur Atalantan ende në lojë.
Në pjesën e dytë, kampionët francezë e mbyllën historinë e këtij dueli. Në minutën e 51-të, pas një kombinimi të shpejtë me Barcolan, Nuno Mendes shënoi nga afërsia për rezultatin 3-0, duke vulosur fitoren e PSG-së.

Pavarësisht disa tentativave të Atalantas, skuadra italiane nuk arriti të gjente golin e nderit.
Në minutën e parë shtesë të ndeshjes, festës iu bashkua edhe Gonçalo Ramos, i cili me një goditje të saktë shënoi për 4-0, duke kompletuar një mbrëmje perfekte për kampionët në fuqi.
PSG mbajti kontrollin deri në fund, duke regjistruar një fitore të pastër dhe duke dërguar një mesazh të qartë se është gati të mbrojë titullin. /Telegrafi/






























