Bebet që vonohen të hedhin hapat e parë mund të kenë rezultate më të mira në shkollë, sugjeron një studim i ri. 

Shkencëtarët kanë zbuluar se mosha në të cilën bebet hedhin hapat e tyre të parë lidhet ngusht me përbërjen e tyre gjenetike, shkruan Express.co.uk.


Ata kanë gjetur një lidhje midis ecjes së vonuar dhe arritjeve më të larta në arsim. Kjo sugjeron se gjeni që ndikon në momentin kur një bebe fillon të ecë, mund të ndikojë gjithashtu në suksesin e saj në shkollë.

Studimi gjithashtu thotë se mundësia për të zhvilluar Çrregullimin e Vëmendjes dhe Hiperaktivitetit (ADHD) mund të jetë më e ulët te ata që ecin më vonë.

Studimi, i zhvilluar nga universitetet e Surrey, Essex dhe Londrës, zbuloi se gjenetika llogarit për rreth një të katërtën e ndryshimeve midis fëmijëve në lidhje me kohën kur hedhin hapat e parë.

Angelica Ronald, profesoreshë e Psikologjisë dhe Gjenetikës në Universitetin e Surrey-t, tha:

"Ne kemi studiuar qindra mijëra ndryshime gjenetike që janë të zakonshme në popullatë. Ne shohim se ndryshimet gjenetike që ndikojnë në ecjen e vonuar lidhen gjithashtu me arritje më të larta arsimore dhe një gjasë më të ulët për ADHD. Ky është studimi i parë gjenetik i sjelljes së foshnjave në këtë shkallë dhe i pari që heton kur fëmijët fillojnë të ecin".

Zakonisht, bebet fillojnë të ecin në një periudhë mes tetë dhe 24 muajsh, me shumicën që ecin në mënyrë të pavarur rreth muajit të 18-të. Nëse kjo periudhë tejkalohet, prindërit fillojnë të shqetësohen.

Deri më tani dihej gjerësisht se faktorët mjedisorë ndikojnë në kohën kur bebet ecin, por ky zbulim i ri tregon se edhe gjenetika luan një rol të madh. Gjatë studimit, i cili është botuar në revistën Nature Human Behaviour, shkencëtarët analizuan informacionin gjenetik të mbi 70,000 foshnjave, duke identifikuar 11 shenja gjenetike që ndikojnë në kohën kur fillojnë të ecin.

Dr. Anna Gui, një nga autoret e studimit dhe kërkuese në Universitetin e Romës "Tor Vergata" dhe në Birkbeck, Universiteti i Londrës, tha:

"Deri më tani, nuk e kishim kuptuar se çfarë e shkaktonte këtë ndryshim të madh midis fëmijëve në lidhje me kohën kur hedhin hapin e parë". /Telegrafi/