Përmes muzikës, Alan Freed ndihmoi në ngushtimin e ndarjes racore të Amerikës, por fryma pioniere e DJ-it nga Klivlendi pati një çmim.

Nga: James Hall / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Emri Alan Freed mund të jetë sot kryesisht i harruar, por për disa vite - në vitet ‘50 dhe ‘60 të shekullit XX - ai ishte një pionier kulturor. Ai e prezantoi termin “rokënrol” [rock and roll] për publikun e gjerë amerikan në fillim të viteve ’50 të shekullit XX dhe bashkoi, për herë të parë, dëgjues të zinj dhe të bardhë përmes muzikës, duke ndihmuar në ngushtimin e ndarjes racore të Amerikës vite përpara se Akti për të Drejtat Civile, i vitit 1964, të ndalonte diskriminimin mbi bazë race.

Por, fryma pioniere e Freedit pati një çmim. Karriera e tij u ndërpre kur ai u përfshi në një skandal dhe njeriu që kishte nxitur një “furi adoleshentësh” në mbarë vendin, siç e quajti The New York Times, vdiq në vitin 1965, në moshën 43-vjeçare, pikërisht kur zhanri që ai kishte ndihmuar ta sillte në rrjedhën kryesore po shpërthente rreth tij.

Jeta dhe trashëgimia e jashtëzakonshme e Freedit tani po shënohet në një muzikal të quajtur Rock & Roll Man, që aktualisht është në turne në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas përshkrimit të shfaqjes, ai “e dëgjoi të ardhmen - dhe e dinte se duhej ta linte të këndonte”.

Kur Freedi filloi punën si DJ pas Luftës së Dytë Botërore, audiencat e bardha dëgjonin kryesisht suing, big-band dhe xhaz, ndërsa zhanri i sapolindur ritëm dhe bluz [R&B] - në thelb blues ose soul - ishte i popullarizuar mes audiencave të zeza në qytetet e mëdha. Freedi nuk i kushtonte rëndësi këtij dallimi dhe, kur nisi një program të dedikuar për R&B-në në radion WJW të Klivlend (që kishte një audiencë të madhe të bardhë) në vitin 1951, ai refuzoi të luante versione të bardha të këngëve të zeza.

Me mënyrën e tij të shpejtë, jashtëzakonisht energjike dhe paksa të ngjirur të të folurit, Freedi u thoshte dëgjuesve: “Le të bëjmë rokënrol me ritëm dhe bluz”! Pasi kjo shprehje u përhap mes dëgjuesve të tij gjithnjë në rritje, Freedi më vonë përcaktoi se çfarë ishte rokënroli. “Rokënroli është në të vërtetë suing me një emër modern. Ai filloi në diga dhe plantacione, përfshiu këngë popullore dhe përmban bluz dhe ritëm”, tha ai.

Në vitin 1952, Freedi organizoi atë që konsiderohet gjerësisht si koncerti i parë pop ndonjëherë: Moondog Coronation Ball në Arenën e Klivlendit [Cleveland Arena]. Një turmë e madhe prej rreth 20 mijë njerëzish u paraqit, por entuziazmi pothuajse shkaktoi trazira dhe koncerti u ndërpre para kohe. Popullariteti i Freedit u rrit jashtëzakonisht dhe WJW i dha më shumë kohë në transmetim. Përpjekja e tij për të kapërcyer ndarjen racore përmes valëve të radios ka jehuar ndër dekada. Një këngë e vitit 1994, They Used to Call It Dope, nga grupi rap Public Enemy, përmban vargun: “Alani i çliroi valët aq sa Lincolni i çliroi skllevërit”.

Me kalimin e kohës, Freedi u bë edhe yll filmi dhe televizioni, përveçse DJ, duke u shfaqur në filma si Rock Around the Clock, me grupin Bill Haley and the Comets, dhe Rock, Rock, Rock! me Chuck Berryn. Megjithatë, një element i dyshimtë kishte filluar të hynte në botën e Freedit: ryshfetet për transmetim në radio, të njohura si pejolla [payola].

Në tregun në rritje të rokënrolit, transmetimi në radio ishte oksigjeni i suksesit. Prandaj, kompanitë diskografike u paguanin fshehurazi DJ-ve që të lëshonin disa disqe të caktuara. Sipas DJ-it të Klivlendit, Joe Finan, ajo epokë ishte “një mjegull alkooli, femrash dhe ryshfetesh”. “Tarifa këshillimi”, thoshin DJ-të. Freedi u përfshi në këtë praktikë dhe establishmenti - i cili në fillim nuk ishte shumë i bindur për rokënrolin - reagoi shpejt. Në vitin 1959 u zhvilluan hetimet e para të Kongresit për pejolla.

Freedi u pushua nga stacioni WABC në Nju-Jork pasi refuzoi të nënshkruante një deklaratë për Komisionin Federal të Komunikimeve (FCC) të qeverisë, ku thuhej se ai nuk kishte marrë kurrë ryshfete pejolla. Deklarata ishte “një fyerje për reputacionin tim, për integritet”, pretendoi ai. Por, më vonë Freedi pranoi se kishte marrë ryshfete (askush nuk e di sa morën realisht DJ-të, por një DJ - jo Freedi - mori 22 mijë dollarë për të transmetuar një këngë). Kur pejolla u shpall e paligjshme në vitin 1960, Freedi u deklarua fajtor për dy akuza ryshfeti komercial, u gjobit me 300 dollarë dhe mori një dënim me kusht.

Ai gjithashtu pati probleme lidhur me kreditet e autorësisë së këngëve, si për shembull në këngën Maybellene të Chuck Berryt. Në atë kohë, kompanitë diskografike ndonjëherë u jepnin DJ-ve që ndihmonin kredite publikimi. Këto atribuime, natyrisht, nënkuptonin marrjen e honorarëve - honorarë që rriteshin nëse kënga transmetohej rregullisht në radio. Ishte pejolla me një emër tjetër. Më pas erdhi edhe një aktakuzë për evazion fiskal, kryesisht sepse Freedi nuk kishte deklaruar taksat mbi të ardhurat nga pejolla.

Megjithatë, shumë muzikantë e shihnin Freedin si kokën e turkut. Neil Young e hapi këngën e tij të vitit 1983, Payola Blues, me vargun: “Kjo është për ty, Alan Freed” (mesazhi i këngës simpatizuese dukej se ishte se korrupsioni i pejollas ishte edhe më i madh në vitet ’80 të shekullit XX sesa në vitet ’50 të shekullit XX). Por, skandali e dëmtoi rëndë. Stacionet e mëdha nuk e punësonin më Freedin, kështu që ai u zhvendos në bregun perëndimor dhe punoi për stacione më të vogla. Ai pinte shumë dhe karriera e tij praktikisht kishte marrë fund. Freedi, i martuar tre herë, vdiq më 20 janar 1965 në moshën 43-vjeçare, ende duke pa pasur borxh 38 mijë dollarë Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme.

Por, historia nuk përfundon krejtësisht aty. Në vitin 1986, Freedi ishte një nga të parët që u fut në Rock and Roll Hall of Fame, së bashku me Elvisin, Buddy Hollyn dhe James Brownin. Në një epilog të çuditshëm, për një kohë hiri i Freedin u ekspozua në selinë e Hall of Fame në Cleveland. Por, në vitin 2014, institucioni i kërkoi familjes së Freedit t’i largonte ato, duke thënë se ekspozimi i mbetjeve njerëzore nuk ishte i përshtatshëm. “Dëbimi ishte një goditje e fundit për trashëgiminë e njollosur të Freedit”, shkroi Wall Street Journal.

Megjithatë, trashëgimia e tij nuk duhet të jetë e njollosur. Freedi ishte tolerant dhe përparimtar, pavarësisht historisë së tij të trishtë. Siç shkroi kritiku kulturor amerikan Greil Marcus në vitin 1992, rokënroli duhej të kishte vdekur deri në vitin 1960, sepse të gjithë themeluesit e tij mungonin: “Elvisi në ushtri, Berry në rrugë për në burg, Buddy Holly i vdekur, Alan Freedi i dëbuar nga valët e radios nga skandalet e pejollas [dhe] Little Richard në krahët e Zotit.”

Por, rokënroli nuk vdiq. Po hiri? Tani është varrosur në mënyrë të sigurt dhe të përshtatshme në një varrezë në Klivlend ... nën një gur varri në formë xhuboksi. /Telegrafi/