Trupat dhe zemrat tona nuk e harrojnë, madje shpesh na duhet edhe më shumë kur nuk jemi më fëmijë. Pse është i rëndësishëm përqafimi i nënës edhe kur rritemi?

Përqafimi i nënës është diçka që na shoqëron që nga sekondat e para të jetës. Por edhe teksa rritemi, trupat dhe zemrat tona nuk e harrojnë kurrë, madje në moshë të rritur shpesh na duhet më shumë sesa e pranojmë.


Kur mendojmë për fëmijërinë, shumë prej nesh së pari kujtojnë ngrohtësinë e përqafimit të nënës, një siguri e pashpjegueshme që na qetësonte ankthin, na zbuste dhimbjen dhe na rikthente ndjenjën se jemi të dashur. Por pse ky përqafim qëndron me ne edhe shumë kohë pasi rritemi, bëhemi vetë prindër dhe marrim udhën tonë?

Shkenca dhe zemra janë dakord për këtë çështje: përqafimi i nënës është një nga format më të fuqishme të rregullimit të stresit, sigurisë dhe ndjenjës së përkatësisë që një person mund të përjetojë. Dhe kjo vlen edhe në moshën e rritur, transmeton Telegrafi.

Trupi mban mend edhe kur mendja harron

Edhe pse trupat tanë rriten, kjo nuk do të thotë se fëmija i brendshëm rritet me to. Në secilin prej nesh mbetet një pjesë që kërkon siguri, pranueshmëri, dashuri të pakushtëzuar dhe përqafimi i nënës shpesh aktivizon pikërisht këtë pikë kujtese. Prekja, sidomos ajo e njohura, i thotë trupit: “Je mirë. Nuk je vetëm. Diku ka dikë që të do, pa kushte.”

Prekja çliron oksitocinë, hormonin e lidhur me besimin, sigurinë dhe ngrohtësinë. Përqafimet ulin hormonin e stresit - kortizolin, qetësojnë rrahjet e zemrës dhe ulin tensionin. Edhe pse kjo zakonisht studiohet te fëmijët, shumë kërkime konfirmojnë se kontakti fizik, sidomos me të dashurit, ka efekte shëruese edhe në moshën e rritur.

Përqafimi nuk është vetëm fizik, është urë energjetike

Përqafimi i nënës nuk është vetëm kontakt trupor. Ai mban brenda energjinë e disa brezave, kujdesin, ndërgjegjësimin e heshtur, afërsinë intuitive. Kur një nënë përqafon fëmijën e saj të rritur, duket sikur bashkohen dy realitete: ajo që ka qenë dhe ajo që është. E mes tyre, mijëra mendime të pathëna, kujtime dhe një ndjenjë e qetë përkatësie.

Përqafimi është një mënyrë për t’u rilidhur me burimin tonë, me atë lidhje të parë që na ka përcaktuar ndjenjën e sigurisë në botë. Edhe nëse marrëdhënia me nënën tonë nuk është (ka qenë) e përsosur (dhe rrallë është e tillë), përqafimi mund të ketë fuqinë e një lidhjeje të menjëhershme, aty ku fjalët humbin dhe mbetet vetëm thelbi: prania. Lexoni edhe një letër emocionale për nënën.

Po kur nuk ka më nënë, as përqafim?

Shumë njerëz i humbin nënat para se të kenë mundësi të rilidhen me to në moshën e rritur. Në këtë rast, përqafimi i nënës mund të bëhet një hapësirë e brendshme që e ushqejmë me butësi, kujtime dhe vizualizim të brendshëm. Por ndodh edhe që përqafimi i nënës kurrë të mos ketë qenë ashtu siç kemi dëshiruar - dhe edhe atëherë, si të rritur, mund t’i japim vetes mundësinë të krijojmë një përvojë të re sigurie.

Kjo mund të nënkuptojë t’i lejojmë vetes të jemi të afërt me një person tjetër të dashur. Të kërkojmë kontakt që është i sigurt, pa gjykim, i pranishëm. Ose të shërojmë plagët e vjetra në terapi dhe për herë të parë të ndiejmë se kemi të drejtë të jemi të dashur pa kushte. /Telegrafi/