Analisti Baton Haxhiu tha se përmes kësaj qasjeje z. Haradinaj synon ta pozicionojë kryeministrin e vendit në një situata të pafavorshme, sa i takon vijimit të negociatave për dialogun Kosovë-Serbi.
“Haradinaj dëshiron ta vendos në një pozicion të pafavorshëm para negociatave, për arsye se ia vendos frikën brenda në trup Albin Kurtit se është i paaftë për të nënshkruar diçka në emër të Kosovës, pafuqia e tij dhe vendosja e frikës brenda tij ta armiqësojë me bashkësinë ndërkombëtare, kryesisht me Amerikën. Ku presioni është për ta bërë të pasigurt punën e Albin Kurti tani e tutje”, tha ai.
Ndërkohë analisti, Andi Bushati thotë se kryeministri Kurti sulmohet nga ana e opozitës pasi kjo e fundit e ka provuar se është e pa zonja të përballet në garat elektorale me liderin e VV-së.
“Ka një dëshpërim te kundërshtarët e Albinit që nga pafuqia për t’u përballur politikisht kapen degë mbas dege të gjejnë fabula të paqena. Në një pikë mblidhen të gjitha bashkë. Hajn nuk i ka thënë njeri edhe këtë mund t’ja thonë më vonë. Nuk po dinë se çfarë t’i thonë”, tha Bushati.
Ai shprehet se këto janë fabula të fabrikuara të cilat synojnë dëmtimin e figurës së Kurtit.
“Njeriu që i ka mundur të gjithë bashkë me votë dhe ka shumë pak kohë në qeverisje, i shpikin fabula të paqena veç prej inatit se duhet luftuar me çdo mjet”, tha Bushati.