Pse Kosova ka nevojë për më shumë gra në udhëheqjen komunale?

Barazia gjinore në politikën kosovare është mjaft e pabalancuar, dhe ky konstatim mbështetet në mënyrë edhe më të qartë nga pasqyra e rezultateve të zgjedhjeve lokale - përkatësisht ato për kryetarë të komunave në vitin 2025. Si rrjedhojë e këtij procesi elektoral, vetëm njëra prej gjithsejtë 38 komunave të Kosovës do të udhëhiqet nga një grua. Ndërkohë, në realitetin e sotëm, ekzekutivet komunale kanë përgjegjësi për t’i kuptuar nevojat e qytetarëve, si të burrave ashtu edhe të grave. Prandaj, përfaqësimi i grave në pushtetin lokal është një mënyrë për të siguruar zgjidhje të ndjeshme ndaj perspektivës gjinore.
Të dhënat e organizatave prestigjioze që trajtojnë barazinë gjinore tregojnë se aty ku udhëheqin gratë, rritet transparenca, përgjegjshmëria dhe mbi të gjitha besimi qytetar. Në të tri shtyllat e sipërpërmendura, qeverisja lokale në Kosovë aktualisht përballet me sfida. Por, pa kaluar te përfitimet e lidershipit nga gratë, duhet shikuar realitetin e përfaqësimit të tyre në Kosovë i cili, pavarësisht përparimeve, ende mbetet i pabarabartë dhe i padrejtë.
Rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2025, në Kosovë, kanë treguar se rritja në kandidim nuk është shndërruar edhe në pushtet real. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), pjesëmarrja e grave në zgjedhjet për kryetarë komunash është rritur gjatë tetë vjetëve të fundit. Nga vetëm 8 gra kandidate në vitin 2017, numri ka arritur në 20 kandidate në vitin 2025, pra një rritje prej 150%. Në pamje të parë, ky është progres i rëndësishëm. Por, kur i shikojmë rezultatet, pamja ndryshon krejtësisht. Në vitin 2017 asnjë grua nuk u zgjodh kryetare komune, në vitin 2021 vetëm dy gra fituan garën dhe në vitin 2025, nga 20 gra kandidate, vetëm njëra arriti që të zgjidhet kryetare e komunës.
Në total, sipas D4D, prej 185 kandidatëve burra u zgjodhën 37 kryetarë komune dhe nga 20 kandidate u zgjodh vetëm 1 grua. Kjo përfaqëson më pak se 3% të të zgjedhurve. Këto shifra tregojnë se edhe pse barrierat për të hyrë në garë po zbuten, megjithatë pengesat për të fituar pushtetin në komuna mbeten të thella dhe strukturore. Dhe, ky dallim nuk është vetëm çështje statistikash, por një tregues se sistemi politik, përkatësisht partitë politike, vazhdon që të mos besojë në lidershipin e grave.
Në anën tjetër, analizat e UN Women, të institucioneve kredibile evropiane dhe të organizatave të shoqërisë civile që avokojnë për barazi gjinore, tregojnë se institucionet e udhëhequra nga gratë dallohen për nivele më të larta të transparencës, llogaridhënies dhe integritetit publik. Në të njëjtën kohë argumentojnë se kjo ka të bëjë me mënyrën se si gratë përfshihen në politikë me një model të udhëheqjes të bazuar në bashkëpunim.
Madje, shembujt nga bota, si Anne Hidalgo në Paris, Karin Wanngård në Stokholm, Muriel Bowser në Uashington dhe shumë kryetare tjera, kanë vërtetuar se prania e grave në role udhëheqëse ka mundësuar politika më gjithëpërfshirëse, komunikim më të hapur dhe vendimmarrje më të përgjegjshme.
Ndërkaq, raportet nga UN Women, UNECE, Banka Botërore dhe UNDP, konfirmojnë se publiku ka gjasa t’i besojë më shumë institucioneve që udhëhiqen nga gratë, sidomos në nivelin lokal ku ndikimi dhe kontakti është më i drejtpërdrejtë. Ndërsa, për një shtet si Kosova, ku perceptimi i korrupsionit dhe mosbesimit në institucione mbetet i lartë, këto janë vlera që nuk duhen injoruar.
Gjatë viteve të fundit, bazuar në të dhënat e publikuara në Raportin e vlerësimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore (PKBGJ) 2020-2024, del se Kosova ka bërë disa hapa përpara, por jo mjaftueshëm për të siguruar përfaqësim të barabartë gjinor.
Ligji për Barazi Gjinore kërkon 50% përfaqësim të secilës gjini në të gjitha organet vendimmarrëse, por realiteti është se në nivel qendror; në vitin 2023, gratë zinin vetëm 23.1% të pozitave të larta drejtuese, ndonëse synimi ishte 30%. Ndërsa, në nivel lokal, synimi prej 30% për drejtoritë komunale u tejkalua, duke arritur në 40.8 - që është një nga të dhënat më pozitive - derisa në Kuvendet e komunave, përfaqësimi i grave ishte 37%.
Këto të dhëna tregojnë se institucionet janë hapur më shumë ndaj grave, por se barriera kryesore mbetet maja e pushtetit ekzekutiv lokal, pikërisht aty ku lidershipi i tyre do të kishte ndikimin më të dukshëm në komunitet.
Dhe, në një realitet politik ku qytetarët kërkojnë më shumë përgjegjshmëri, prania e grave në udhëheqje komunale do të përkthehej në dobi të shumanshme, pasi shembujt e mirë tregojnë se gratë lidere i kushtojnë më shumë vëmendje transparencës dhe etikes publike; janë më të prira të konsultojnë komunitetin dhe të përfshijnë grupet e margjinalizuara; kanë tendencë të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe të shmangin konfliktet e panevojshme e të sillen më pak si figura autoritare dhe më shumë si bartëse të proceseve demokratike.
Për këto arsye, u takon partive politike që grave t’u japin mbështetje të vërtetë dhe jo vetëm kuota në letër. Po ashtu, duhet siguruar mbështetje financiare dhe trajnime të strukturuara për lidership. Krahas kësaj, mediat duhet të shtojnë hapësirën për gratë lidere dhe t’i mënjanojnë stereoptipat në raportim, duke stimuluar barazinë gjinore edhe për pozitat udhëheqëse. Paralelisht duhet shtuar fushatat ndërgjegjësuese për rolin e grave në qeverisjen lokale dhe përfitimet nga lidershipi i tyre.
Duke qenë se në Kosovë flitet shpesh për nevojën për institucione më transparente dhe më të besueshme, duhet përkujtuar se gratë në udhëheqje i sjellin këto vlera në praktikë.
Prandaj nëse duam komuna që u përgjigjen qytetarëve, jo interesave të ngushta politike e biznesore, atëherë duhet të hapim derën edhe për gjysmën e popullsisë. Jo si një “favor” ndaj grave, por si investim në demokracinë tonë. Barazia gjinore në udhëheqjen komunale është trasim i rrugës drejt qeverisjes më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse. Kosova ka nevojë për një model të tillë. Dhe, gratë e kanë vërtetuar shumë herë se mund ta bëjnë këtë me përgjegjësi dhe vetëbesim të plotë.
(Ky shkrim është hartuar në kuadër të projektit “Ajo Udhëheq: Luftimi i Gjuhës së Urrejtjes dhe Promovimi i Grave në Udhëheqjen Lokale”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim - D4D, dhe mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë. Përmbajtja pasqyron mendimet dhe qëndrimet e autorit dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht qëndrimet e organizatës/donatorit)

















































