Nga: Yoko Kubota dhe Clarence Leong / The Wall Street Journal
Përkthimi: Telegrafi.com
Pasi Pekini shkurtoi subvencionet për makinat e vogla elektrike, në vitin 2019 dështoi prodhuesi pak i njohur kinez i quajtur Zhido, meqë u dërrmua shitja e makinave të cilat i prodhonte.
Tani është rikthyer. Në fillim të këtij muaji, kompania lëshoi një automjet të ri mini-elektrik të quajtur “Caihong” – që i bie “Ylberi” – i cili vjen në shtatë ngjyra dhe ka një çmim fillestar në ekuivalent të rreth 4 400 dollarëve [4 100 euro].
Rilindja e Zhido-s erdhi pasi fondet e mbështetura nga shteti dhe dhjetëra investitorë të tjerë, në fund të vitit të kaluar, pompuan një kapital të ri në kompani – pavarësisht sinjaleve të përhapura se Kina ka shumë prodhues të makinave që tejkalojnë nevojat e veta. Zyrtarët e qeverisjes vendore e mirëpritën këtë ringjallje.
“Shpresoj se Zhido mund të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të industrisë së automjeteve me energji të re”, u citua të ketë thënë guvernatori i provincës Gansu në Kinë, pasi në mars vizitoi e fabrikën e atjeshme Zhido.
Kina ka histori të gjatë të mbikapacitetit të automjeteve, me më shumë se 100 marka vendore që prodhojnë më shumë automjete sesa që blejnë shoferët e vendit për çdo vit.
Megjithatë, qeveria vazhdon të mbështesë kompanitë e tilla si Zhido dhe të tjera, duke inkurajuar prodhuesit joprofitabilë të makinave që të vazhdojnë të prodhojnë – në kohën kur zyrtarët përpiqen të nxisin rritjen ekonomike, të ruajnë vendet e punës dhe të zgjerojnë rolin e Kinës në biznesin global të automjeteve elektrike.
Inkurajimi i tillë, i cili gjithashtu vjen në formën e subvencioneve për prodhuesit e automjeteve, shton makinat në tregun global që rrezikon të bëhet më i mbifurnizuar.
Sipas të dhënave nga firma strategjike me bazë në Shangai, Automobility, si dhe shifrave të shitjeve nga Shoqata e Kinës për Makinat e Pasagjerëve, Kina aktualisht ka kapacitetin për të prodhuar rreth 40 milionë automjete në vit, megjithëse shet vetëm rreth 22 milionë makina brenda vendit.
Kjo situatë ka çuar në një luftë brutale me Tesla-n dhe të tjerët që t’i ulin çmimet në Kinë, ndërsa ka shkaktuar frikë në ShBA dhe në Evropë se prodhuesit kinezë të automjeteve do të vërshojnë vendet e tjera me makinat që nuk shiten.
Mbikapaciteti është veçanërisht i dukshëm për makinat me motorë me djegie të brendshme, interesimi për të cilat po bie pasi konsumatorët kinezë po kalojnë në EV.
Por, mbikapaciteti është gjithashtu problem për automjetet elektrike kineze, me shumë kompani që luftojnë për hisen e vet në treg. Vitin e kaluar, 123 marka shitën të paktën një automjet elektrik në Kinë, ka thënë Stephen Dyer, konsulent në AlixPartners me bazë në Shangai.
Uashingtoni është i shqetësuar se kompanitë kineze do të përpiqen të hedhin në ShBA automjetet e subvencionuara, pavarësisht tarifave të larta amerikane për makinat e importuara kineze. Vitin e kaluar, Evropa hapi një hetim mbi subvencionet kineze të automjeteve elektrike, gjë që ka të ngjarë të rezultojë në tarifa të importit në muajt e ardhshëm.
Eksportet e makinave të Kinës janë pothuajse pesëfishuar – gjatë vetëm tre vjetëve – në rreth pesë milionë automjete në vitin 2023, duke shkaktuar pjesërisht shqetësimet e mësipërme amerikane dhe evropiane. Tri të katërtat e eksporteve, në vitin e kaluar, ishin makina me motor me djegie të brendshme, shumë prej të cilave shkonin në Rusi, megjithëse gjithashtu po rritet numri i automjeteve elektrike që dërgohen jashtë shtetit.
Zyrtarët kinezë thonë se kritikat ndaj politikave të saj për industrinë e automjeteve, janë të padrejta dhe se makinat kineze janë inovative dhe se ofrohen me vlerë të mirë – diçka që thonë edhe shumë ekspertë të industrisë së automjeteve dhe drejtues të huaj të prodhuesve të makinave. Nëpërmjet Aktit të Reduktimit të Inflacionit, të cilin Kina e ka sfiduar në Organizatën Botërore të Tregtisë, ShBA-ja gjithashtu përdor mbështetjen e qeverisë për të promovuar industrinë e saj të automjeteve elektrike.
Ajo që është e qartë është se industria e automobilave në Kinë është në modalitetin e zgjerimit, edhe pse rritja e saj e shitjeve të brendshme është ngadalësuar.
Në ekspozitën “Auto China” në Pekin – ekspozita më e madhe e makinave në vend, e cila filloi të enjten – po shfaqen afro 300 modele automjetesh elektrike [EV] dhe hibride [PEV]. Ato përfshijnë një sedan elektrik sportiv të prezantuar nga Xiaomi – nga prodhuesi kinez i telefonave të zgjuar i cili sapo ka hyrë në prodhimin e makinave, dhe i cili planifikon të dorëzojë 100 mijë automjete në këtë vit.
Pekini kohë më parë i identifikoi EV-të si industrinë të cilën dëshiron ta dominojë, ndërsa shumë qeveri lokale kanë konkurruar për të zhvilluar prodhuesit e rinj të automjeteve të cilët mund të sjellin vende pune.
Urgjenca për ta bërë këtë është rritur gjatë vitit të kaluar, pasi pjesë të tjera të ekonomisë së Kinës kanë ngecur, ndërsa udhëheqësi kinez Xi Jinping u ka bërë thirrje liderëve vendas të promovojnë “forcat e reja prodhuese” – një fjalë kjo kyçe në qarqet e politikës kineze për nevojën për të promovuar industritë me vlerë të lartë prodhuese.
Sipas raportit të prillit të Institutit gjerman Kiel për Ekonominë Botërore, mbështetja e qeverisë për industrinë përfshin kredi nën normën e tregut dhe zbritje për çelik dhe për bateri për prodhuesit e automjeteve.
Duke cituar raportet vjetore, nga instituti thonë se mes viteve 2018 dhe 2022, BYD-i – prodhuesi më i madh i makinave elektrike në Kinë – ka marrë rreth 3.5 miliardë dollarë subvencione direkte nga qeveria. BYD-i nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Scott Kennedy – studiues i politikave ekonomike kineze në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare – vlerëson se midis 2009 dhe 2022, Kina në përgjithësi shpenzoi afërsisht 173 miliardë dollarë në subvencione, për të mbështetur kështu sektorin e ri që përfshin automjetet elektrike dhe hibride.
Dyer nga AlixPartners thotë se, gjatë vitit të kaluar, katër marka të automjeteve elektrike në tregun e Kinës shitën më shumë se 400 mijë automjete – vëllim ky që shihet si pikë e barabartë për automjetet elektrike bazuar në financat rekorde nga Tesla. Ato ishin nga BYD, Tesla, Aion dhe Wuling.
Disa prodhues kinezë të automjeteve elektrike kanë dalë nga biznesi në vitet e fundit, ndërsa zyrtarët e lartë ndonjëherë kanë folur hapur për nevojën për më shumë konsolidim.
Në mars, në një raport vjetor të punës së qeverisë, kryeministri Li Qiang tha se Kina do të konsolidojë dhe përmirësojë pozicionin udhëheqës në industri, duke përfshirë automjetet me energji të re.
Por, ai gjithashtu theksoi synimin e Pekinit për të vazhduar investimin në prodhimtarinë e nivelit të lartë, duke përdorur vazhdimisht shprehjen “forca të reja prodhuese”. Qeveritë lokale, të cilat nga Pekini marrin sinjale për prioritetet ekonomike, janë përgjigjur duke mbështetur prodhuesit e automjeteve në zonat e veta.
Në shkurt, qyteti i Zhengzhou në Kinën qendrore u zotua se do të nxisë industritë e “forcave të reja prodhuese” dhe do të bëhet “qyteti i automjeteve me energji të re” – me kapacitet vjetor prej 700 mijë makinave të tilla.
Një muaj më vonë, një njësi ekonomike e mbështetur nga shteti në Zhengzhou, mori përkohësisht asetet që i përkisnin njësisë vendore të Haima Auto i cili ka afër tre mijë punonjës dhe një fabrikë atje. Një dosje e kompanisë tregon se në tre muajt e parë të vitit, prodhuesi i makinave me shumë vështirësi shiti më pak se dy mijë makina.
Marrëveshja pesëvjeçare i dha Haima-s ekuivalentin e rreth 27.5 milionë dollarëve në para të gatshme. Haima tha se, për të nxitur rritjen, do të fokusohet në rritjen e eksporteve në tregjet si Rusia dhe Vietnami.
Në Zhido ishte euforik disponimi pas ristrukturimit të fundit. Në një ngjarje të madhe në mes të prillit, themeluesi i kompanisë, Bao Wenguang, ngriti duart në ajër dhe bërtiti: “Zhido më në fund u kthye”!
Ren Zhenhe, guvernatori lokal i Gansusë i cili vizitoi fabrikën e tij, u citua të ketë thënë se shpreson që prodhuesi i makinave do të mund të luajë rol në rritjen e “forcave të reja prodhuese”.
Në një moment midis viteve 2014 dhe 2017, Zhido ishte ndër prodhuesit më të shitur të automjeteve elektrike në Kinë, i specializuar në mini-makinat elektrike. Në atë kohë, blerjet e makinave të tilla të vogla elektrike subvencionoheshin nga qeveria.
Sipas dokumenteve nga një platformë në internet e drejtuar nga Alibaba Group, kur Pekini i dha fund kësaj politike – kur u përpoq të inkurajonte automjetet elektrike me rreze më të gjatë – shitjet u zvogëluan duke e lënë Zhido-un me borxhe prej rreth 250 milionë dollarëve,
Pas ristrukturimit të tij në tetor – i cili përfshinte një njësi të kompanisë shtetërore China Three Gorges dhe prodhuesin kinez të automjeteve Geely – Zhido tani synon të dyfishojë çdo vit shitjet (deri më 2026) dhe të nxjerrë 16 modele të reja (deri në vitin 2028). Planifikon të zgjerojë kapacitetin e prodhimit në fabrikën e saj në Gansu me 300 mijë automjete në vit dhe “të kultivojë në mënyrë aktive biznesin e vet jashtë shtetit”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, po e voziste një fëmijë 11-vjeçar
Zbulohen mundësitë e Kosovës dhe kombëtareve tjera për të kaluar në Ligën B
Atilla Kardesh rikthehet sonte në spektaklin Big Brother VIP Kosova
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje