Vetëm një orë para fillimit të finales së madhe të Eurovisionit të shtunën në mbrëmje, qindra protestues anti-Izrael bllokuan transportin publik në drejtim të arenës ku po mbahet festivali në qytetin e Bazelit, Zvicër.

Situata u tensionua kur protestuesit u panë duke djegur dhe shkelur flamuj izraelitë dhe amerikanë në qendër të qytetit, në shenjë proteste kundër pjesëmarrjes së Izraelit në konkursin muzikor.


Demonstrata u organizua nga grupet lokale Basel 4 Palestine dhe ESCalate for Palestine, dhe në të morën pjesë qindra protestues palestinezë që valëvitnin flamuj dhe mbanin pankarta ku akuzohej Transmetuesi Evropian i Eurovisionit (EBU) për bashkëfajësi në atë që ata e quajtën “gjenocidi” i Izraelit. Po ashtu, u bënë thirrje të drejtpërdrejta për bojkotimin e festivalit.

Sipas raportimit të Nau.ch, një portal i lajmeve në gjuhën gjermane, policia në vendngjarje e shpalli protestën të paligjshme dhe paralajmëroi se pjesëmarrësit do të ndiqeshin penalisht nëse nuk do të bindeshin ndaj urdhrave të dhëna.

Megjithatë, protestuesit nuk u ndalën. Edhe pse u kërkua që të qëndronin në Barfüsserplatz, ku protesta kishte nisur, turma marshoi më tej në rrugët kryesore të qytetit, duke bërtitur slogane si: “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë”.

Marshi protestues bllokoi linjat e tramvajit, të cilat po transportonin spektatorët drejt arenës St. Jakobshalle, vendi ku po zhvillohet finalja e Eurovisionit.

Ndërkohë, pati përplasje mes protestuesve dhe kalimtarëve, veçanërisht me ata që mbanin flamuj izraelitë.

Kjo nuk është protesta e parë pro-palestineze në kuadër të Eurovisionit. Të enjten, gjatë gjysmëfinales së dytë kur delegati izraelit Yuval Raphael performoi në skenë, kishte një protestë të ngjashme, por numri i pjesëmarrësve këtë të shtunë ishte dukshëm më i madh se ai i disa ditëve më parë. /Telegrafi/