Protesta e opozitës, 11 efektivë policie dhe disa protestues të plagosur

Policia e Shtetit ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, pas protestës së organizuar këtë të shtunë nga Partia Demokratike, ku situata u tensionua përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit.
Sipas njoftimit zyrtar, protestuesit kanë përdorur molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta, duke shkaktuar dëmtime ndaj 11 efektivëve të policisë, të cilët aktualisht po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies.
“Gjatë tubimit të sotëm, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, si pasojë e sulmeve me molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit, janë dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore 11 punonjës policie, të cilët ishin në krye të detyrës për mbarëvajtjen dhe garantimin e protestës.
Ata janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, dhe Zëvendës/Drejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.”, bëjnë me dije uniformat blu.
Policia thotë se pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes qendrës së zërit që të ndaloheshin aktet e dhunës, turma ka vijuar me përplasjet, çka i ka detyruar ata të ndërhyjnë.
“Megjithë thirrjet e vazhdueshme të Policisë, përmes qendrës së zërit, për të ndalur aktet e dhunës, ato vijuan, çka detyroi ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, sipas parashikimeve ligjore në fuqi. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme të protestuesve ndaj punonjësve të rendit. Shërbimet e Policisë vijojnë veprimet përmes analizimit të pamjeve filmike, për identifikimin e personave që kanë sulmuar dhe kryer akte të dhunshme, si dhe për shoqërimin e tyre.“, vijon njoftimi.
Një i mitur mes 23 të shoqëruarve
Ndërkohë, bëhet me dije se deri tani janë shoqëruar 23 persona. Gjatë verifikimeve, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Policia bën me dije se prindërit e tij janë njoftuar menjëherë dhe i riu nuk është mbajtur në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes. Derisa e kanë marrë prindërit.
“Deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona, dhe gjatë verifikimeve të gjeneratës dhe moshës, njëri prej tyre ka rezultuar i mitur. Menjëherë janë njoftuar prindërit dhe, deri sa është marrë nga prindërit, i mituri nuk ka qenë i shoqëruar në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, derisa është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.”, sqaron policia.




















































