LAJMI I FUNDIT:

Protesta dhe reagime rreth marrëveshjes për ‘Dubain e Ri’ – gjithçka dihet për investimin arab në ‘Plazhin e Madh’ në Ulqin

Protesta dhe reagime rreth marrëveshjes për ‘Dubain e Ri’ – gjithçka dihet për investimin arab në ‘Plazhin e Madh’ në Ulqin

Shfaqja e kompanisë arabe “Eagle Hills”, e cila pretendon se do ta kthejë qytetin më jugor malazez, në siç thonë ata, Dubain e ri ka bërë bujë në Mal të Zi – dhe ka nxitur reagime dhe kundërshtime të shumta.

Dhe një i fundit ka ardhur nga Rrjeti i OJQ-ve të Ulqinit që mendon se Qeveria e Malit të Zi duhet t’i marrë parasysh rekomandimet e komunitetit profesional dhe kolegëve nga sektori civil dhe të pranojë konkluzionet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit lidhur me shpalljen e mundshme të qirasë për “Plazhin e Madh” për 99 vjet.

Sipas mediave vendase, përcjell Telegrafi, në një deklaratë, OJQ-të e Ulqinit vlerësojnë se edhe investitori potencial është i vetëdijshëm se pa mbështetjen e komunitetit lokal, një projekt kaq madhështor nuk mund të jetë i suksesshëm.


“Qeveria përgjegjëse duhet ta kuptojë dhe ta pranojë këtë. Siç është edhe fakti që Ulqini është qyteti më i vjetër në bregun lindor të Adriatikut, që ulqinakët kanë luftuar për të drejtat e tyre komunale dhe për mbrojtjen e dinjitetit të tyre gjatë historisë, se ky qytet më tolerant në rajon ka traditën e tij, zakonet dhe mënyra të jetesës. Dhe kjo ka ekzistuar për shekuj”.

Vlerësohet se Qeveria me vendime të nxituara ka vënë në rrezik lirinë, kompetencat dhe zhvillimin, duke rënë dakord pas shpinës së mbarë opinionit ulqinak, por edhe të publikut malazez, projektin e të ashtuquajturit “valorizimi i Plazhit të Madh”.

“Nëse kjo do të ndodhte, në kundërshtim me të gjitha planet urbanistike të vlefshme, Ulqini do të humbte në mënyrë të pakthyeshme perlën e tij më të vlefshme natyrore dhe dëmi nga realizimi i një projekti të tillë për qytetarët e tij do të ishte shumë, shumë më i madh se çdo përfitim”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Reagimi i tyre vjen disa ditë pasi qindra banorë, përfaqësues të autoriteteve lokale dhe biznesmenë nga Ulqini protestuan në këtë qytet në jug të Malit të Zi, duke thënë se “Ulqini nuk është në shitje”.

Protesta e 22 marsit u thirr për shkak të pakënaqësive lidhur me tenderin për dhënien me qira të plazheve të Ulqinit, të cilat vitet e fundit janë marrë me qira nga biznesmenët lokalë, por këtë vit oferta më e mirë e marrjes me qira të plazheve u vlerësua të ishte ajo e kompanisë arabe, Eagle Hills.

Protesta në Ulqin u mbajt pavarësisht nga fakti se kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, më 20 mars njoftoi se Eagle Hills ka ndërmend të tërhiqet dhe t’ua kalojë plazhet qiramarrësve lokalë.

Siç kujtojnë mediat, kompania arabe, Eagle Hills, më 11 mars dorëzoi ofertën më të mirë për dhënien me qira për një periudhë katërvjeçare të nëntë nga 19 plazhet në Plazhin e Madh të Ulqinit.

Kjo shkaktoi revoltë te qiramarrësit aktualë të plazheve dhe autoritetet lokale, të cilët deklaruan se plazhet po u jepen investitorëve të huaj “përmes marrëveshjeve të dyshimta”.

Eagle Hills, që dha ofertën më të lartë për plazhet, është një kompani ndërtimi nga Abu Dabi i Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo kompani njihet për projekte rajonale, sikurse “Belgrade Waterfront”.

Spajiq u ka njoftuar ulqinakët se përveç tërheqjes nga tenderi për dhënien me qira të plazheve, kompania nga Abu Dabi është e interesuar që të bëjë investime në Plazhin e Madh, i cili është afër 13 kilometra i gjatë dhe ende i pa ndërtuar.

Ai tha se kompania është e interesuar të investojnë 30 miliardë euro në një mega-projekt në Ulqin, që do të përfshinte ndërtimin e një aeroporti të madh, spitalit më modern në Ballkan, një marinë dhe rinovimin e qytetit të vjetër të Ulqinit.

Ish-kryeministri Dritan Abazoviq, i cili është nga Ulqini, ka kërkuar që Prokuroria Speciale e shtetit të hetojë rastin e dhënies së qirasë për Plazhin e Madh, duke pretenduar se bëhet fjalë për një vepër korruptive.

Por nga Qeveria e Malit të Zi kanë pohuar se tenderi është realizuar në mënyrë ligjore dhe se çdo veprim tjetër i ofertuesve, përfshirë mundësinë e tërheqjes, është një vendim që u përket atyre. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Përshkallëzimi i luftës tregtare SHBA-Kinë, Trump i vendos tarifë prej 104 për qind kinezëve

Përshkallëzimi i luftës tregtare SHBA-Kinë, Trump i vendos tarifë prej 104 për qind kinezëve

Amerika
Cilat firma dhe industri evropiane janë më të ndjeshme ndaj tarifave amerikane?

Cilat firma dhe industri evropiane janë më të ndjeshme ndaj tarifave amerikane?

Botë
Sekretari amerikan i Mbrojtjes thotë se Kina përbën kërcënim të vazhdueshëm për Kanalin e Panamasë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes thotë se Kina përbën kërcënim të vazhdueshëm për Kanalin e Panamasë

Amerika
Trump premton rritje të buxhetit për Pentagonin, një trilion dollarë për ushtrinë amerikane

Trump premton rritje të buxhetit për Pentagonin, një trilion dollarë për ushtrinë amerikane

Amerika
Gjermania u thotë mësuesve të organizojnë trajnime për mbrojtje civile, pasi BE-ja u tha qytetarëve të përgatisin komplete mbijetese 72-orëshe

Gjermania u thotë mësuesve të organizojnë trajnime për mbrojtje civile, pasi BE-ja u tha qytetarëve të përgatisin komplete mbijetese 72-orëshe

Evropa
Ukrainasit prodhojnë robotin e ri, së shpejti pritet të përdoret në fushëbetejë – ka mitraloz të kalibrit të madh

Ukrainasit prodhojnë robotin e ri, së shpejti pritet të përdoret në fushëbetejë – ka mitraloz të kalibrit të madh

Evropa
Kalo në kategori