Prokuroria Themelore në Pejë me 1,840 aktakuza të ngritura për 10 muaj

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar–tetor të këtij viti ka ngritur gjithsej 1,840 aktakuza, që paraqet një rritje prej 12.67 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin ngritur 1,633 aktakuza.
Sipas njoftimit, gjatë këtyre dhjetë muajve të vitit 2025, kjo prokurori ka pranuar gjithsej 2,612 lëndë, që është 14.2 për qind më shumë në raport me periudhën janar–tetor të vitit 2024, kur ishin pranuar 2,288 lëndë.
Në të njëjtën kohë, prokurorët e shtetit kanë përfunduar 2,733 lëndë, që përfaqëson një rritje prej 16.65 për qind krahasuar me 10 muajt e parë të vitit të kaluar, kur ishin përfunduar 2,343 lëndë.
Në njoftim thuhet se Prokuroria Themelore në Pejë mbetet e përkushtuar për rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në trajtimin e lëndëve penale, duke vepruar në përputhje me parimet e profesionalizmit dhe objektivitetit. /Telegrafi/

















































