Prokuroria Themelore e Prishtinës ka bërë të ditur se ka sekuestruar 55 mijë euro dhe ka iniciuar rast për shpëlarje të parave kundër të pandehurit G.G. 

Kështu bëhet e ditur në njoftimin për media.


“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik dhe të dëmtuarit në çështjen penale kundër të pandehurit G.G. për veprën penale ‘Mashtrimi’ nga neni 323, paragrafi 4, se në vazhdën e hetimeve ndaj të pandehurit G.G., më 12 mars 2025, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka realizuar dy kontrolle në Komunën e Gjakovës.

Me këtë rast ka sekuestruar edhe 55 mijë euro para të gatshme dhe njëkohësisht ka iniciuar rast në lidhje me veprën penale ‘Shpëlarja e parave’, nga neni 56 i Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizimit”, thuhet në njoftim.

Ditë më parë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur po ashtu se ka sekuestruar 166 parcela të cilat gjenden në komunën e Novobërdës dhe Graçanicës, si dhe dy banesa në Prishtinë në vlerë mbi 1 milionë euro për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë përfituar me vepër penale.

Në njoftim bëhej e ditur se rasti ka të bëjë ndaj të dyshuarit G.G. /Telegrafi/