Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren për caktimin e paraburgimit 30-ditor ndaj E.K. dhe A.K., të cilët ndodhen në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.

Sipas prokurorisë, që nga viti 2021, i pandehuri E.K. ka dhënë para viktimës B.Ç., duke shfrytëzuar gjendjen e saj të rëndë financiare, me përfitime dukshëm jo proporcionale, ndërsa vetëm nga kamatat B.Ç. ka paguar mbi 400,000 euro. Në pamundësi për të përballuar borxhin, në skemë u përfshi edhe viktima e dytë B.B., duke rritur kërkesën e të pandehurve për 550,000 euro. Për të siguruar shumën, të pandehurit kanë kërkuar që viktima B.Ç. t’u kalojë dy lokale afariste dhe një shtëpi me vlerë rreth një milion euro.


- YouTube youtu.be

Prokuroria njofton se E.K. dhe A.K., përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore, e kanë kërkuar duke përdorur forcë dhe kanosje ndaj viktimave, duke i detyruar të shkojnë te përmbaruesi privat për procedurat noteriale, por policia ka ndërhyrë dhe i ka arrestuar.

Gjatë aksionit janë sekuestruar pasuri të ndryshme, para të gatshme, pajisje elektronike, kontrata, akte noteriale dhe prova materiale që lidhen me këto vepra penale.

Prokuroria thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe mbrojtjen e viktimave, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për vënien para drejtësisë të personave që shkelin ligjin.