Në një takim të organizuar me iniciativën e Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, përfaqësues të institucioneve kyçe diskutuan mbi përmirësimin e sigurisë në shkolla dhe koordinimin ndërinstitucional për një mjedis arsimor të sigurt.

Takimi mblodhi drejtorët e drejtorive të arsimit nga komunat e Pejës, Deçanit, Istogut dhe Junikut, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Policinë e Kosovës dhe prokurorët koordinatorë për rastet e veprave penale si dhuna në familje, përdorimi i substancave narkotike dhe mbrojtja e integritetit seksual.


Në këtë kuadër, u vendos që të organizohen ligjërata informuese në tri fusha kyçe: dhuna në familje, pasojat e përdorimit të substancave narkotike dhe mbrojtja e integritetit seksual, duke përfshirë të gjitha komunat nën juridiksionin e Prokurorisë Themelore të Pejës.

Pjesëmarrësit e vlerësuan këtë nismë si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e sigurisë në shkolla, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të bashkërenduar mes institucioneve.

Ky bashkëpunim ndërinstitucional pritet të forcojë sigurinë në shkolla dhe të krijojë një ambient arsimor më të sigurt për nxënësit./Telegrafi/