LAJMI I FUNDIT:

Prodhuesit e Kosovës në Amsterdam, Panxha: Eksportet e Kosovës priten të tejkalojnë një miliard euro

Prodhuesit e Kosovës në Amsterdam, Panxha: Eksportet e Kosovës priten të tejkalojnë një miliard euro

Javën e kaluar për dy ditë rresht në Amsterdam u mbajt panairi më i madh në botë për ‘Private Label’.

Në këtë panair morën pjesë më shumë se 3,500 kompani prodhuese.


Nga Kosova ishin 13 kompani, nga rajoni vetëm Serbia kishte më shumë (Klubi i Prodhuesve ishte pjesëmarrës me 7 kompani).

Kjo nënkupton që prodhuesit tanë janë të gatshëm për eksport, e ekonomia e Kosovës gradualisht po konsolidohet në rajon si lojtar serioz.

Drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha thotë se me këto zhvillime po tregohet se prodhuesit tanë janë të gatshëm për eksport, e ekonomia e Kosovës gradualisht po konsolidohet në rajon si lojtar serioz.

“Ky fakt u vërtetua me interesimin që u shpreh për produktet tona, secila kompani kishte mesatarisht 50 takime me blerësit potencial. Sipas Mckinsey Company, për të gjeneruar një ‘business lead’ kompanitë duhet të shpenzojnë mesatarisht rreth 2000 dollarë. Bëjeni matematikën për të kuptuar rendësin e pjesëmarrjes në këtë panair! Dhe rezultate nuk munguan, dy kontrata të nënshkruar në panair dhe shumë të tjera janë në proces të negocimit”, ka shkruar Panxha.

Pse është me rendësi Private Label (PL)?

Në shtatë vende evropiane produktet ‘Private Label’ përbëjnë 40% të të gjitha produkteve të shitura, ndërsa në nëntë vende tjera kjo shifër arrin në 30 përqind. Depërtimi me ‘brende’ individuale në tregjet e huaja është tejet i vështirë. Prodhuesit kosovar përballen me shumë vështirësi, një nga këto është kosto e lartë financiare për të depërtuar sidomos në tregjet e BE-s. Prandaj PL është një zgjidhje transicionale deri sa të forcohet brendi individual.

Nëse një kompani është duke i shfrytëzuar 60 përqind të kapaciteteve prodhuese atëherë kjo kompani ka hapësirë të prodhon PL për palën e tretë. Përveç shfrytëzimit te kapaciteteve të lira, shume prodhues përfitojnë nga transeferi i diturisë nga kompanitë partnere si p.sh standardizimi i proceseve te prodhimit, kontrolli i cilësisë, avancimi në logjistik e shumë të tjera. Prandaj ne si Klub e kemi krijuar ‘Private Label Network Kosovo’ për të promovuar eksportin përmes PL.

“Vitin e kaluar eksportet e Kosovës arritën në 740 milionë euro, ndërsa sivjet duke u bazuar ne trendin ekzistues pritet që eksportet të tejkalojnë 1 miliard euro. Edhe nëse e largojmë efektin e rritjes se çmimeve, bazuar në vëllim, eksportet janë duke i thyer të gjitha rekordet”, shtoi drejtori Ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

“Fytyra e vërtet e ekonomisë se Kosovës po del në sipërfaqe, e bukuria qëndron në faktin se më në fund po ndodh zhvendosja sistematike dhe po shtrohet traseja për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të bazuar në krijim e jo në konsum të vlerave”, ka shkruar tutje Panxha./Telegrafi/