Procesi i votimit në raundin e dytë përfundon pa incidente, pjesëmarrja 32.64%
Procesi i votimit në 18 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune ka përfunduar sot në orën 19:00.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se votimi është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente.
“Nga raportimet që kemi pranuar gjatë gjithë ditës, vlerësojmë se votimi ka shkuar qetësisht dhe nuk janë raportuar raste apo ngjarje që do të vinin në dyshim besueshmërinë apo integritetin e procesit zgjedhor”, tha Radoniqi.
Sipas të dhënave preliminare nga 99% e vendvotimeve, kanë votuar 429,736 qytetarë, që përbën 32.64% të votuesve me të drejtë vote. Për krahasim në raundin e parë në këto komuna pjesëmarrja ishte 38.91%.
Radoniqi shtoi se aktualisht po vazhdon numërimi i fletëvotimeve dhe se në platformën e KQZ-së do të fillojë publikimi i rezultateve preliminare.
“Numërimi është një hap kyç në përmbylljen e ditës së zgjedhjeve dhe duhet të zhvillohet sipas procedurave ligjore dhe rregulloreve të KQZ-së. U bëjmë thirrje anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të veprojnë me përgjegjësi dhe paanshmëri, për të garantuar dhe mbrojtur plotësisht vullnetin e qytetarëve", tha ai.
Ai njoftoi gjithashtu se nga ora 19:00 ka filluar afati 48-orësh për paraqitjen e ankesave në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me procesin e votimit. /Telegrafi/






























