Probleme me rrjetin elektrik në Sllovi të Lipjanit - KEDS del me reagim

KEDS ka njoftuar se po vazhdon investimet në modernizimin e rrjetit elektrik në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, përmes projekteve “Sllovi IV (Shkolla e re)” dhe “Sllovi IV (Shkolla e re) – TS i Ri”.
Sipas KEDS-it, investimi synon rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike për banorët e kësaj zone.
“KEDS është duke investuar në modernizimin e rrjetit të tensionit të ulët dhe të mesëm, me qëllim të rritjes së sigurisë dhe përmirësimit të cilësisë së furnizimit me energji elektrike për banorët e kësaj zone”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të projektit, pjesa më e madhe e rrjetit do të jetë ajrore, ndërsa shtyllat ekzistuese prej druri do të zëvendësohen me 110 shtylla të reja prej betoni. Një pjesë e rrjetit të tensionit të ulët do të vendoset nëntokë.
Projekti përfshin edhe dy transformatorë 10(20)/0.4 kV, me kapacitet prej 250 kVA.
Sipas të dhënave të publikuara nga KEDS, vlera e planifikuar e investimit është 142,597.27 euro, ndërsa deri më tani janë realizuar punime në vlerë prej rreth 116,353.30 euro.
“KEDS vazhdon të investojë në përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës energjetike, për një rrjet më të sigurt dhe furnizim më cilësor për konsumatorët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


































