LAJMI I FUNDIT:

Problematic Guys

Problematic Guys

A është presidenti i vendit çun problematik? Po kryeministri? Kryeparlamentari?

Sigurisht që jo. Problemi nuk është te ne. Gjithnjë është te ata. Edhe kur nuk është, është!


Jemi apo nuk jemi ne pala destruktive në dialogun me Serbinë i cili për nga rëndësia e ka tejkaluar dialogun e munguar me vetveten?

Tash, dikush, për hir të saktësisë do të insistoj se nga ana formale me vetveten nuk mund të kesh dialog, por vetëm monolog, edhe pse duke pasur parasysh strukturën, por edhe hutimin tonë të brendshëm, qoftë brenda-shqiptar apo brenda-kosovar, mund të ketë edhe trialog, me gjasa shumë më të pakta për një marrëveshje të brendshme për cilindo nga problemet e mëdha të shoqërisë dhe shtetit tonë, sesa që janë gjasat për një marrëveshje të jashtme.

Sido që të jetë, ne po rrimë, edhe ata po rrinë. Krejt po rrinë. Çështja e Kosovës ka mbetur një agjendë e paqartë të cilin njëra palë do me e zgjedhë me matematikë, me numër të njohjeve, me vota, ndërsa tjetra me territore, me vija të reja kufijsh, me forcë duke u armatosë sërish, ndërkohë që masa popullore po rrjedh me logjikën e ujit, kudo që e gjejnë një “vrimë” apo derë hapur.

Dyert për Kosovën vazhdojnë të mbeten mbyllë. Kjo nuk është më një perspektivë e errët, është tashmë realitet i prekshëm. Kosovarët nuk shkojnë dot askund pa e grumbulluar një mal me letra, dhe pa humbur kohë dhe nervat e tyre për një udhëtim qoftë edhe të thjeshtë, brenda dite, në ndonjë metropole evropiane, ndërkohë që nëpër qytete kosovare, madje nëpër vende të kushtueshme, kanë mbërri grupe refugjatësh të cilët as që kujdesën për të mbuluar ardhjen dhe qëndrimin e tyre, dhe të cilët sikur e bëjnë me qëllim që liberalizimi i vizave për kosovarët të duket akt i rrezikshëm për Evropën.

Tash kemi ardhur në një pat institucional. Qeveri ka edhe s’ka. Kuvend ka edhe s’ka, sepse nuk ka numra të konsoliduar për të marrë vendime, ndërsa presidenti zakonisht llafazan, hesht. Ka apo nuk ka zgjedhje nuk dihet, edhe pse për zgjidhje po dihet.

Edhe LDK ka kryetar, edhe nuk ka, sikurse PDK ka kryesi edhe nuk ka, sikurse AAK ka parti ose nuk ka, apo Vetëvendosja ka ide çka të bëjë apo nuk ka?

Kështu, institucione ka edhe nuk ka. Një gjë është e sigurte, përgjegjësi nuk ka. Përgjegjësi institucionale. Nëse ky ka qenë qëllimi, mund të konsiderohet si sukses i politikës.

Edhe në rrafshin e përgjegjësisë dhe moralit publik, ka huti. Fëmijët më nuk hyjnë tinëz nëpër faqe erotike. I shohin personalitetet publike të performojnë (pothuajse) lakuriq në skenë dhe humbin idenë e të lejueshmes dhe të palejueshmes publike. Derisa media është e obliguar të paralajmëroj se cilat programe janë për mosha të rriturve, skena politike dhe estrada e kanë hequr paralajmërimin “+18”.

Kur institucionet nuk funksionojnë, sidomos ato të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, marrëdhëniet mes njerëzve do të duhej t’i rregullonin ligjet dhe administrata funksionale e gjykatat. As ato nuk funksionojnë. Funksionojnë vetëm ato segmente që realizojnë interesat e grupeve të mëdha të interesit, vallëzojnë rrëshqitshëm nëpërmes vrimave në ligje dhe nën tingujt e orkestrës që e paguajnë vet. Kështu, parja publike rrjedh në xhepat privatë, vendimmarrja publike është bllokuar dhe vetëm individët me deklarata politike dramatike ngushëllojnë ose tmerrojnë qytetarët e rreshtuar në tabore.

Temperaturat e korrikut ishin ekstreme. Vapë, pluhur, politikë dhe dëshpërim publik përtej dozës së lejuar.

Kush janë çunat problematikë? A po e qojnë vendin edhe njëherë në zgjedhje të parakohshme, duke krijuar bazat e krizës së re trevjeçare?

Kështu ka mbetur e brendshmja, peng i së jashtmes, sikurse edhe e jashtmja ka mbetur peng i papërgjegjësisë tonë, sikurse edhe rreshtimit gjeopolitik të pakryer si pasojë e mos konsolidimit të brendshëm të administratës Trump e cila po ka implikime planetare.

Vera mbase nuk është edhe për asgjë tjetër, pos për me ndejt kot në një vend ku të gjithë korrin diçka edhe pse nuk kanë mbjellë asgjë. Çunat problematikë ja kanë marrë dorën krizave. Ai që e krijon krizën me më shumë adrenalinë, ai vjen në pushtet. Ne duhet ose ta gjejmë vendin tonë në krizë ose duhet të ecim nga këtu.

Ndërkohë, pjesa dërmuese po pret sërish me na çliru NATO dhe kjo mundësisht të ndodhë derisa ne jemi me pushime. Me na çliru nga vetvetja duket mision i pamundshëm, edhe pse ftesat po vijnë nëpër dhjetëra adresa, duke iu afruar edhe pallateve të ngritura me paratë e qytetarëve.

Ankesa publike nuk duket e sinqertë dhe ndjenja e fajit po ashtu, madje as dëshira për me i zgjedhë problemet. Çunat problematikë vendorë dhe gocat problematike nga jashtë, pritet të vazhdojnë llafin për paqen, qoftë edhe me luftë, menjëherë pas pushimeve. Paqja po tërhiqet përpara lobit të luftës.

Ka kujdes edhe për publikun i cili aktualisht po pushon dhe bën qejf plazheve duke mbledhur energjitë për me duru edhe aktin tjetër të tragjikomedisë (ndër)kombëtare të quajtur Kosovë. Në fund të fundit, kriza, qoftë edhe permanente, është një zgjidhje kur sjell fitime, dhe njerëzit e urtë përshtaten.

Çfarë të bësh kur nuk është e qartë kush janë çunat problematikë?!