Si ta kuptoni nëse probiotikët po bëjnë efekt - dhe çfarë të ndërmerrni kur nuk funksionojnë
Shenjat që tregojnë nëse zorrët tuaja po marrin ndihmën e duhur
Nëse shqetësimet me tretjen ju shoqërojnë çdo ditë, me shumë gjasë keni dëgjuar për probiotikët dhe efektet e tyre të njohura për shëndetin e zorrëve. Por, ndonëse marketingu shpesh i paraqet si “shërues mrekullibërës”, është e rëndësishme të dini se si të dalloni nëse ata po bëjnë punë për ju.
Mikrobioma e zorrëve është një ekosistem i ndërlikuar bakteresh dhe mikroorganizmash, ku përfshihen edhe probiotikët. Kur ky ekuilibër prishet, mund të shfaqen simptoma si fryrje, kapsllëk ose diarre, lodhje, probleme me gjumin apo shpërthime në lëkurë.
Sipas studimeve të publikuara nga Harvard Medical School, probiotikët mund të ndihmojnë në rikthimin e ekuilibrit, por efektet nuk janë gjithmonë të menjëhershme, transmeton Telegrafi.
Ja disa shenja që mund të tregojnë se probiotikët po funksionojnë:
1. Fryrje dhe gazra më të reduktuara
Nëse më parë ndiheshit të fryrë pothuajse pas çdo vakti dhe tani kjo ndjesi është zbehur, kjo mund të jetë një shenjë e mirë. Probiotikët mund të ndihmojnë në përmirësimin e tretjes së fibrave dhe karbohidrateve, duke ulur akumulimin e gazrave dhe presionin në stomak. Ekspertët rekomandojnë të jepni të paktën 3-4 javë kohë para se të gjykoni efektin e tyre.
2. Humor dhe gjumë më i qëndrueshëm
Zorra është e lidhur drejtpërdrejt me trurin përmes nervit vagus dhe prodhon mbi 90% të serotoninës në trup. Një mikrobiomë e shëndetshme ndikon jo vetëm në tretje, por edhe në humor dhe cilësinë e gjumit. Nëse vini re më pak luhatje humori dhe net më të qeta, probiotikët mund të jenë një faktor ndihmues.
3. Forcim i imunitetit
Më pak të ftohura, grip apo infeksione të shpeshta mund të tregojnë se sistemi juaj imunitar po funksionon më mirë. Probiotikët mund të stimulojnë prodhimin e qelizave mbrojtëse dhe të përmirësojnë përgjigjen ndaj patogjenëve.
4. Lëkurë më e pastër
Ekziston një lidhje e dokumentuar mes shëndetit të zorrëve dhe shëndetit të lëkurës. Nëse keni pasur akne, ekzemë apo skuqje të shpeshta dhe po vini re përmirësim, kjo mund të jetë një shenjë e ekuilibrit më të mirë të mikrobiomës.
Këshilla për përdorim efektiv:
▪ Konsultohuni me mjekun ose dietologun para fillimit të probiotikëve, veçanërisht nëse keni gjendje mjekësore kronike.
▪ Ndiqni një regjim të qëndrueshëm - probiotikët nuk japin rezultate brenda natës.
▪ Zgjidhni produkte me shumë lloje bakteresh dhe me numër të mjaftueshëm kulturash të gjalla (të paktën 1 miliard CFU).
▪ Kombinojini me prebiotikë nga ushqimi (si fibra nga perimet, frutat dhe drithërat e plota) për të ushqyer bakteret e mira.
Nëse pas 6-8 javësh nuk shihni ndryshime, mund të jetë koha të ndryshoni llojin e probiotikut ose të kontrolloni nëse problemi vjen nga ndonjë shkak tjetër.
Kujtoni se probiotikët nuk janë zgjidhje magjike, por kur përdoren në mënyrë të përshtatshme, mund të jenë një ndihmës i çmuar për shëndetin tuaj. /Telegrafi/































