Qeveria e Serbisë me vite të tëra financon projekte në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por të gjitha projektet “e mëdha e të rëndësishme” realizohen në katër komunat veriore të ndërlidhura me territor – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Këtë gjendje dhe “disproporcion të investimeve” e thekson edhe Branimir Stojanoviq, i cili në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës në tetor garoi si kandidat i pavarur për kryetar të Graçanicës, njërës prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Ibrit.
Stojanoviq thotë se as investimet e Qeverisë së Kosovës në vendbanimet me shumicë serbe nuk ndahen barabartë, por as mjetet financiare nga fondet evropiane.
“Shkak mund të jetë ndikimi politik, Lista Serbe, e cila dikur ishte më e balancuar sa i përket ndikimit të përfaqësuesve serbë në jug të Ibrit dhe përfaqësuesve në veri. Tani ekziston dominim absolut i njerëzve që vijnë nga veriu, andaj nuk habitem që këta njerëz punojnë më shumë për zonat e veta dhe vendet e prejardhjes”, vlerëson Stojanoviq, i cili ishte njëri prej themeluesve të Listës Serbe në vitin 2013.
Ndërkohë, ai u largua nga partia Lista Serbe dhe njëra prej arsyeve pse në zgjedhjet e fundit lokale garoi si kandidat i pavarur ishte pikërisht “investimi i pabarabartë në mjediset e banuara me shumicë serbe”.
Lista Serbe është njëra prej partive kryesore të serbëve të Kosovës, e cila përkrahet nga Beogradi zyrtar.
Kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, i cili vjen nga Mitrovica e Veriut, nuk ishte i qasshëm për deklaratë apo koment rreth “investimeve të pabarabarta” në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Ndryshe, Rakiq ndodhet edhe në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, në Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurtin.
Listës Serbe i takojnë që të dhjetë deputetët në Kuvendin e Kosovës në ulëset e rezervuara për komunitetin serb, por vetëm dy janë nga komunat në jug të Ibrit: Ljubinko Karaxhiq nga Graçanica dhe Branislav Nikoliq nga Shtërpca.
Sa qytetarë serbë ka në jug dhe veri të Ibrit?
Numri i saktë i qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë nuk dihet, sepse ata e bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011 nga Prishtina zyrtare, por sipas disa vlerësimeve të autoriteteve lokale, në komunat veriore jetojnë rreth 70 mijë qytetarë serbë.
Po ashtu, bazuar në vlerësimet e autoriteteve lokale, po kaq qytetarë serbë jetojnë në gjashtë komunat tjera në jug të Ibrit – Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillugë dhe Partesh, si dhe në disa zona të të kthyerve në rajonin e Pejës.
Komunat në veri të Kosovës, të cilat punojnë brenda sistemit të Kosovës janë formuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, derisa ato në jug të Ibrit u krijuan pas procesit të decentralizimit në vitin 2009 bazuar në Planin e Marti Ahtisaarit.
Kosova, bazuar në këtë dokument, e shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Sa investohet në komunat veriore të Kosovës?
Punimet për rinovimin e Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, e cila punon sipas sistemit të Serbisë, zyrtarisht filluan më 23 nëntor.
“Ky do të jetë një objekt bashkëkohor që do t’i përmbushë të gjitha nevojat e qytetarëve dhe kushtet e mjekimit nuk do të dallojnë nga ato në Nish, Kragujevc apo Beograd”, thotë Jelena Stojkoviq, ndihmëse e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila mori pjesë në nisjen e këtyre punimeve.
Institucionet arsimore dhe ato të shëndetësisë në zonat e banuara me popullatë serbe në Kosovë funksionojnë të gjitha sipas sistemit të Serbisë.
Kështu, më 20 gusht në Mitrovicën e Veriut u vu edhe guri themeltar për ndërtimin e objektit të “Universitetit të ri të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”, ku mësimi vazhdon të zhvillohet sipas planprogramit të Serbisë. Ky universitet u zhvendos nga Prishtina pas luftës në Kosovë në vitin 1999.
Siç është njoftuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, versioni i ri modern i objektit të Universitetit do të shtrihet në rreth 10,575 metra katrorë dhe në të brenda katër katesh do të vendosen: Fakulteti i Shkencave Matematikore, Fakulteti Juridik, Fakulteti Ekonomik dhe Rektorati. Vlera e këtij projekti, siç është njoftuar, do të jetë 6,122,190 euro (720 milionë dinarë serbë), ndërsa paratë nëpërmjet Zyrës për Kosovën i ka ndarë Qeveria e Serbisë.
Këtu përfshihen edhe projektet milionëshe si “Lugina e Diellit” dhe “Banja e Parajsës” në Zveçan.
Projekti “Lugina e Diellit” është vendbanim i ndërtuar për personat e komunitetit serb të zhvendosur nga Kosova, i cili ka kushtuar rreth 14 milionë euro. Në një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh janë në përfundim e sipër punimet për ndërtimin e rreth 300 njësive banesore.
Po ashtu, shumë afër manastirit Banjska në Zveçan, ku ekzistojnë burimet e ujit termal dhe të sulfurit është ndërtuar qendra e re turistike e shëndetësore “Banja e Parajsës”. Qeveria e Serbisë në këtë projekt ka investuar rreth 2,551,896 milionë euro (300 milionë dinarë serbë).
Sipas të dhënave të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, nga viti 2014 janë investuar mbi një milion euro për 645 njësi banesore në kuadër të objekteve, të cilat janë ndërtuar në sipërfaqe publike. Vetëm në territorin e komunës së Zubin Potokut, janë ndërtuar mbi 60 njësi banesore.
Çfarë ndodhi me investimet në komunat në jug të Ibrit?
Qeveria serbe investon para edhe në vendbanimet serbe në jug të Ibrit, por fjala është për investime kryesisht më të vogla krahasuar me ato në veri.
Sa për shembull, nga mesi i nëntorit, Zyra për Kosovën e Qeverisë serbe njoftoi që ishte vënë gurthemeli për ndërtimin e çerdhes së re në Gorazhdevc afër Pejës.
“Ky institucion parashkollor po ndërtohet në tokën e kishës dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej 460 metrash katrorë derisa do të pranojë 60 fëmijë. Përfundimi i tij pritet në pranverën e vitit të ardhshëm”, është thënë pa dhënë shumë detaje rreth shumës së këtij projekti.
Ndonëse Qeveria e Serbisë qysh në vitin 2018 njoftoi se do të ndajë mjete për ndërtimin e spitalit në Graçanicë, kjo ende nuk është bërë.
Graçanica, pas luftës në Kosovë u bë qendra kryesore administrative për komunitetin serb që jeton në komunat në jug të Ibrit, marrë parasysh që aty pas luftës u zhvendosën pothuajse të gjitha institucionet nga Prishtina, por të cilat funksionojnë sipas sistemit të Beogradit.
Po ashtu, pas luftës në Kosovë në vitin 1999, Qendra Klinike Spitalore nga Prishtina u zhvendos në Graçanicë në kontejnerë, madje ende ndodhet aty. Në këtë institucion shëndetësor për shërim udhëzohen qytetarët serbë nga komunat në jug të Ibrit. Edhe vetë mjekët nga Qendra Klinike Spitalore në Graçanicë paralajmëronin në të shkuarën se çfarë gjendje alarmante ekziston në këtë institucion.
A ndikon mungesa e investimeve në mbijetesën e serbëve në jug të Ibrit?
Branimir Stojanoviq konsideron që mbijetesa e komunitetit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në jug të Ibrit do të rrezikohet nëse vazhdon “disproporcioni i investimeve të përgjithshme”.
“Jeta dhe ky raport është pjesa më traumatike. Serbët këtu mbijetuan me më shumë apo më pak para, por me më shumë apo më pak respekt dhe mundësi që të ndikojnë në gjërat rreth vetes ka qenë vendimtare për njerëzit se a do të mbeteshin këtu apo jo. Në situatën aktuale, ku ata shumë pak ose aspak nuk kanë ndikim në procese dhe vendime si dhe në jetën e tyre, njerëzit po largohen nga këtu”, thotë Stojanoviq.
Ai thekson se “po krijohet atmosferë që më të dëgjueshmit po favorizohen e jo ata të cilët mund ta avancojnë jetën e qytetarëve serbë në Kosovë”.
Megjithatë, sipas tij, serbët që jetojnë në jug të Ibrit gjithnjë e më shumë po i potencojnë pakënaqësitë e tyre në zgjedhje, pavarësisht se Lista Serbe edhe në zgjedhjet e fundit lokale fitoi në dhjetë komuna të banuara me shumicë serbe në Kosovë.
“Kjo fitore është gjithnjë e më pak bindëse”, thotë Stojanoviq duke shprehur bindjen që populli po bëhet më i guximshëm kur është fjala për të votuar dhe se voton nga bindja e jo bazuar në premtime apo presion.
Në zgjedhjet e fundit lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës, Branimir Stojanoviq fitoi mbi 1,800 vota apo rreth 22 për qind.
Kujdesi për serbët në Kosovë apo territor?
Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd vlerëson se “investimet e Qeverisë serbe në Kosovë gjithmonë ishin pjesë e politikës ditore dhe strategjisë”, dhe rikujton që në shumicën e rasteve nuk dihet saktë se sa kushton ndonjëri prej projekteve.
“Padyshim që për veriun jepet më shumë që nga viti 2009, e nga viti 2016 prejse (presidenti serb, Aleksandar Vuçiq) luajti me letrën e ndryshimit të kufijve, e ka shtuar shumë financimin për veriun”, thotë Janjiq dhe vlerëson që paraardhësi i Vuçiqit, Boris Tadiq llogariste në “autonomi të posaçme për veriun e Kosovës”.
Janjiq konsideron që Beogradi nuk brengoset për serbët që jetojnë në Kosovë, por për territorin e veriut të Kosovës, si pjesë e cila eventualisht do të mund t’i bashkëngjitej Serbisë.
“Nëse shohim jetën politike, Lista Serbe në veri edhe kalon, por në pjesën qendrore gjithmonë ka opozitë. Për politikanët në Beograd ky është ambient i padëshirueshëm. Por, realisht, Beogradi ka heqë dorë nga serbët në pjesën qendrore të Kosovës në aspektin e investimeve shtetërore dhe i trajton sikur pakicë serbe, për shembull në Slloveni”, thekson Janjiq.
Institucionet heshtin për investime në pjesët e banuara me serbë
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës me pyetjen se sa para këtë vit janë ndarë për realizimin e projekteve kapitale në vendet me shumicë serbe në jug të Ibrit, por përgjigje nuk pati.
Përgjigje nuk kanë dhënë as nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë në pyetjen se sa para investohen në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë dhe përse pothuajse të gjitha projektet realizohen në komunat veriore të Kosovës.
Përndryshe për katër komunat në veri të Kosovës ekziston edhe Fondi Zhvillimor i themeluar në vitin 2013 në bazë të Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013.
Në këtë fond derdhen paratë nga tatimet e grumbulluara në pikat kufitare 1 dhe 31 (Jarinjë e Bërnjak në veri të Kosovës) dhe janë të dedikuara për zhvillimin në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë nuk i janë përgjigjur pyetjes se sa është vlera e këtij fondi deri më tash dhe sa para janë shpenzuan për projekte në komunat në veri të Kosovës. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje