Këto ditë pritet të hyjë në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Kjo do të ndodh pas publikimit në Gazetën Zyrtare, ku edhe do të fillojë rrjedhja e afatit. Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Melos Kolshi thotë se pritjet janë që “Kuvendi të konstituohet dhe jo të shkohet në zgjedhje”.

Hulumtuesi nga IKD thekson se bazuar në praktikat e kaluara, aktgjykimet publikohen prej pesë deri në dhjetë ditë prej njoftimit.


Njoftimin mbi aktgjykimin, Kushtetuesja e publikoi më 8 gusht, përmes së cilit urdhëroi deputetët që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës brenda 30 ditësh.

“Sipas njoftimit aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit, menjëherë pas publikimit të plotë ai duhet që të pranohet nga të gjitha palët apo subjektet politike dhe të shërbejë si bazë për konstitutim të menjëhershëm të Kuvendit duke e rikthyer normalitetin institucional e po ashtu duke respektuar edhe rendin kushtetues. Gjykata ka urdhëruar që brenda 30 ditëve të zgjedhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit e po ashtu kjo duke respektuar praktikat e mëhershme përmes votimit të hapur siç kanë qenë edhe më herët”, shprehet ai.

Kushtetuesja tha se kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe se ai mund të votohet vetëm deri në tri herë.

Ky vendim i Kushtetueses është kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje - parti që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkaq është mirëpritur nga partitë që deri më tash ishin në opozitë.

Deputetët e shpërfillën një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses e cila pati kërkuar konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda 30 ditësh. Por, gjykata nuk pati treguar se cilat do të jenë pasojat e mos zbatimit të këtij aktgjykimi.

Kosova është futur në krizë politike pasi nuk ka arritur të formojë institucionet e reja që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

Procesi ka ngecur te votimi për kryetar të kuvendit, pozitë për të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun por, ajo nuk ka marrë 61 votat e nevojshme.

Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se ndryshimi i kandidatit për kryeparlamentar duhet të bëhet në koordinim me partitë tjera.

“Nëse kandidati i propozuar për kryetar të kuvendit dështon që të marrë votat e nevojshme tri herë radhazi, subjekti më i madh duhet të zëvendësojë kandidatin dhe që të propozojë një kandidat tjetër. Ky ndryshim sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi duhet të bëhet në koordinim me partitë tjera duke shmangur dështimet e radhës të cilat mund të jenë dhe po ashtu zgjatjet e krizës. Skenari optimal është gjetja e një kandidati unifikues që siguron mbështetjen e shumicës duke vendosur interesin e përgjithshëm mbi interesin partiak e politik”, shton ai.

Sipas Kolshit, zgjedhjet e jashtëzakonshme do të ishin të panevojshme.

“Seanca mund të mbahet menjëherë pas publikimit të aktgjykimit, nëse në tekstin e tij apo nëse e aktgjykimit nuk parashihet ndryshe. Seancat mund të mbahen duke vazhduar atë ritmin, nëse dështohet mund të mblidhet brenda 48 orëve. Kështu që koha është kritike, andaj deputetët duhet që të reagojnë menjëherë duke respektuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duke ruajtur rendin kushtetues. Megjithatë, pritja është që Kuvendi të konstitutohet dhe jo që të shkohet në zgjedhje. Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të ishin të panevojshme sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi e po ashtu do të humbisnim shumë kohë. Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë sqaruar se dështimi në zgjedhjen e kryetarit nuk na dërgon domosdoshmërisht në zgjedhje. E po ashtu deputetët nuk duhet ta shohin këtë si opsion”, përfundon ai./KosovaPress/