Pritet të nisin punimet për largimin e materialeve që përmbajnë azbest në objektin Tulltorja-Prishtinë

Duke filluar nga data 25 korrik 2025, në objektin Tulltorja në Prishtinë do të nisin punimet për trajtimin dhe largimin e materialeve që përmbajnë azbest.
Lajmi është bërë i ditur nga shkolla model “Qamil Batalli” përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
Sipas njoftimit, punimet do të realizohen në përputhje me të gjitha standardet ligjore dhe masat e nevojshme të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit publik dhe mjedisit.
“Kompania përgjegjëse për kryerjen e punimeve është Daakonn sh.p.k., e cila është e licencuar dhe e certifikuar për menaxhimin e materialeve që përmbajnë azbest. Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë që të respektohet perimetri i sigurisë i përcaktuar në terren, të shmanget qëndrimi i panevojshëm pranë zonës së punimeve dhe të ndiqen udhëzimet e personelit të sigurisë”, thuhet në postimin e shkollës.
Punimet parashikohet të zgjasin deri më 10 gusht 2025. /Telegrafi/

















































